Flamingoja, simboli i ri i rezistencës? Euractiv: Të Gjelbrit shohin te Shqipëria një kauzë europiane
Të Gjelbrit po ndjekin traditën e tyre të hershme për të përdorur kafshët si mënyrë për të përcjellë një mesazh politik, duke u fokusuar te revolucioni në rritje i flamingove që po përhapet në Shqipëri.
Zogjtë rozë po përjetojnë një moment politik në vendin ballkanik, ndërsa protestat e nxitura nga një projekt për ndërtimin e një resorti me lidhje me familjen Trump po marrin gjithnjë e më shumë përmasa.
Të Gjelbrit, të cilët kanë humbur vrullin e valës së gjelbër që i çoi në pushtet në mbarë Europën në vitin 2019, shpresojnë se ky mund të jetë edhe momenti i tyre.
Kafshët dhe politika kanë një histori të gjatë së bashku. Kafshët heraldike, si luanët dhe dragonjtë, kanë shërbyer për shekuj me radhë për t’u dhënë madhështi atyre që përdorin figurën e tyre. Gjatë Revolucionit Amerikan, Karolina e Jugut përdori gjarprin me zile me sloganin “Mos më shkel” (“Don’t tread on me”) për të paralajmëruar ushtrinë britanike të qëndronte larg. Panda gjigante e butë ka zbukuruar logon e WWF-së për më shumë se gjashtë dekada.
Por ndoshta askush nuk e ka bërë këtë më mirë se Të Gjelbrit e Gjermanisë – një parti relativisht e re, me lidhje të forta me lëvizjen për mbrojtjen e natyrës, e cila më pas u bë forca dominuese politike e ambientalizmit në Europë.
Fillimisht ishte bretkosa, e papërshtatur për një botë që po motorizohej me shpejtësi dhe që po zhdukej masivisht. Aktivistët e hershëm të të Gjelbërve, të njohur për sandalet Birkenstock, u bënë të famshëm për punën vullnetare duke shpëtuar bretkosat që të mos shtypeshin nga makinat. Premtimi i nënkuptuar për votuesit ishte: “Do të bëjmë të njëjtën gjë edhe për ju.”
Më vonë, bletët u shndërruan në simbol të betejës kundër bujqësisë intensive dhe industrisë agrokimike. Pas tyre, në repertorin simbolik të partisë hynë edhe ujqërit, këtë herë si simbol i lëvizjes kundër gjuetisë.
Flamingot kundër oligarkëve
Po cili është mesazhi politik i këtij zogu rozë që ushqehet me karkaleca?
“Për shqiptarët, flamingoja është simboli se vendi i tyre nuk është në shitje”, tha eurodeputetja e të Gjelbërve, Jutta Paulus, e cila vizitoi protestat kundër ligjit që lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura natyrore, si laguna Vjosë-Nartë, shtëpia e flamingos tashmë emblematike, ku dhëndri i Presidentit Trump, Jared Kushner, synon të ndërtojë një resort luksoz.
Ndërsa familja MAGA po grumbullon miliarda dollarë në mënyrë krejt të hapur, zogu rozë me këmbë të gjata, që zakonisht qëndron mbi një këmbë në ujërat e cekëta, po shndërrohet në simbol të një beteje të shekullit XXI kundër kapitalizmit grabitqar dhe korrupsionit oligarkik.

“Është sikur ata po qëndrojnë këtu me ne”
Për të Gjelbrit, të cilët po vuajnë në sondazhe dhe kanë rënë nga vendi i katërt në të gjashtin në Parlamentin Europian, pasi humbën rreth 20 eurodeputetë në zgjedhjet e vitit 2024, flamingoja përfaqëson një mundësi.
“Kur njerëzit në Shqipëri protestojnë për mbrojtjen e natyrës, është sikur ata po qëndrojnë në rrugë këtu bashkë me ne, dhe e kundërta është po aq e vërtetë”, tha Sven Giegold, zëvendëskryetar i Partisë së të Gjelbërve në Gjermani.
“Do të doja që shumë njerëz të protestonin për natyrën edhe në Gjermani”, shtoi ai.
Giegold, ish-eurodeputet për shumë mandate, hyri në Parlamentin Europian në vitin 2009 dhe në vitin 2022 u thirr në Berlin për të punuar me zëvendëskancelarin e atëhershëm Robert Habeck. Ai konsiderohet prej kohësh një nga mendimtarët më novatorë të lëvizjes dhe në vitin 2000 ishte bashkëthemelues i degës gjermane të lëvizjes antiglobalizim Attac.
Të Gjelbrit fituan mbështetje popullore për rolin e tyre në protestat kundër marrëveshjeve të tregtisë së lirë gjatë viteve 2010, ku “pula me klor” (“chlorine chicken”) – një tjetër simbol i lidhur me kafshët – u bë emblema e atyre protestave.
Një kryengritje popullore
“Revolucioni i flamingove” në Shqipëri është bërë tashmë fiksimi i tij më i fundit.
“Po, kjo më preku”, tha ai nga rrëza e Alpeve Bavareze, kur Euractiv e kontaktoi në telefon. “Njerëzit po dalin në rrugë për të protestuar kundër politikanëve të tyre, dhe zgjidhja është Bashkimi Europian.”
Sipas burimeve brenda partisë, Giegold njihet për pasionin e tij ndaj kafshëve prej lodre. Ai krijoi menjëherë një linjë pelushësh në formën e flamingos, me mbështetjen e grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian. Kushdo që e kërkon mund të marrë falas një flamingo prej pelushi (ndonëse inkurajohet një donacion vullnetar për organizatën shqiptare për mbrojtjen e natyrës PNEA).
Është krijuar gjithashtu edhe një listë komunikimi e quajtur “Klubi i Revolucionit të Flamingove”, e cila i mban të informuar anëtarët për mundësitë e ardhshme për të dalë në protesta.

Në ngjitje
“Qytetarët po ngrenë zërin kundër miliarderëve të pangopur si Donald Trump dhe Jared Kushner”, thonë Të Gjelbrit.
Dhe, si një shenjë e qartë se protesta ka hyrë tashmë në kulturën popullore, ylli i muzikës Dua Lipa – prindërit e së cilës janë shqiptarë etnikë nga Kosova – e quajti këtë lëvizje “frymëzuese”.
“Ajo që më shqetëson realisht është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik”, u tha Lipa dëgjuesve të podcast-it të saj.
Lufta kundër dobësimit të mbrojtjes së mjedisit, e kombinuar me frymën kundër oligarkisë që simbolizon flamingoja, po përhapet në pjesën tjetër të Europës edhe falë diasporës së madhe shqiptare në Gjermani dhe Austri.
A mund të bëhet ky zog – ashtu si bleta apo ujku më parë – fytyra e një lëvizjeje të re politike, të cilën Të Gjelbrit do të arrijnë ta përvetësojnë me sukses?
“Në Gjermani flamingot mund t’i shohësh vetëm në kopshtin zoologjik”, bëri shaka Giegold.
Për momentin./ Euractiv
Po ndodh...
Rama & Berisha, tango e shëmtuar antiprotestë
ide
Të gjithë po e lexojnë gabim këtë protestë
Diktatura që nuk ka nevojë për pranga
"Republika e gardheve" kundër Republikës së qytetarëve
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128