Greqia përkujton 13-vjetorin e vrasjes së Pavlos Fyssas, tubime antifashiste në disa qytete

18 September 2026, 10:16 / BOTA ALFA PRESS

Në disa qytete të Greqisë do të zhvillohen sot tubime dhe marshime në përkujtim të 13-vjetorit të vrasjes së muzikantit dhe aktivistit antifashist Pavlos Fyssas, i cili u vra më 18 shtator 2013 nga Giorgos Roupakias, anëtar i “Agimit të Artë”.

Manifestimi kryesor do të mbahet në Keratsini, pranë Pireut, në orën 17:30, pranë monumentit të ngritur në nder të Fyssas, pikërisht në zonën ku ai u vra. Më pas, pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt Kokkinia-s dhe stacionit të metrosë në Nikea.

Policia greke ka njoftuar masa të posaçme sigurie dhe kufizime të qarkullimit në zonat ku do të zhvillohen tubimet.

Në Selanik, manifestimi do të nisë në orën 18:00 pranë Kamaras dhe do të pasohet nga një marshim në qendër të qytetit. Për shkak të protestës, disa stacione të metrosë pritet të mbyllen përkohësisht.

Tubime përkujtimore janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera, përfshirë Patrën, Janinën, Iraklion dhe Hanian në Kretë.

Pavlos Fyssas, i njohur me emrin artistik Killah P, ishte 34 vjeç kur u vra. Vrasja e tij përshpejtoi hetimet ndaj “Agimit të Artë”, ndërsa shtatë vjet më vonë drejtues të organizatës u dënuan nga drejtësia greke për drejtimin e një organizate kriminale.

Përvjetori i këtij viti zhvillohet vetëm pak ditë pas lirimit nga burgu të Ilias Kasidiaris, ish-zëdhënës dhe një prej figurave drejtuese të “Agimit të Artë”. Pas përfundimit të dënimit, ai paralajmëroi rikthimin e tij në skenën politike.

Po ndodh...

ide