I fluturuan vezën mbi kokë në Dublin/ "Irish Times" zbardh prapaskenat: Një i arrestuar pas incidentit, si u përjashtuan shqiptarët nga aktiviteti ku fliste Rama

12 November 2026, 14:40 / POLITIKË ALFA PRESS

PAMJET, një i arrestuar pas incidentit me kryeministrin RAMA:Një 50 vjeçar shqiptar është arrestuar pas një proteste dhe incidenti që ndodhi pasditen e djeshne në Dublin, para një eventi ku pritej të fliste kryeministri shqiptar, Edi Rama. 

Grupi i protestuesve, sipas Irish Times, ishte mbledhur në Institututin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA) ku kryeministri i Shqipërisë do të mbante ligjeratën për “udhëtimin europian” të vendit tonë.

Grupi, i përbërë kryesisht nga shqiptarë që jetojnë në Irlandë, tha se ishte mbledhur dhe kërkonte më shumë llogaridhënie nga qeveria e Tiranës.

Ata thanë se donin që qeveria e tyre t’i dëgjonte protestuesit në Tiranë si dhe t’i jepnin një mesazh BE-së për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri që vendi të bëhet sa më shpejt anëtar i BE-së.  Anëtarët e grupit thanë të mërkurën se fillimisht u ishin ndarë biletat përmes faqes së internetit të IIEA-s dhe se kishin ndërmend të merrnin pjesë në takim dhe t'i bënin pyetje Ramës.

Megjithatë, ata thanë se IIEA më pas anuloi biletat, duke u thënë se ishte një aktivitet vetëm për anëtarët.

Kur disa nga grupi u përpoqën të anëtarësoheshin në IIEA, atyre iu tha se instituti nuk do të ishte në gjendje të përpunonte anëtarësimin para ngjarjes.

Enida Friel, një nga anëtarët e grupit, bileta e së cilës u anulua dhe u shfaq për të protestuar, tha: “Atë që bëri BE-ja për Irlandën, ne duam të njëjtën gjë për Shqipërinë. Synimet tona janë pozitive.”

Ajo shtoi se grupi i shqiptarëve nuk kishte qëllim që të prishte eventin, por përkundrazi donin t’i bënin pyetje Ramës.

Kryeministri shqiptar u sha me tërbim me të mbërritur si dhe të paktën një vezë u hodh në drejtim të tij. Në atë kohë kishte një prani të gardës. 

Garda konfirmoi se kishte reaguar ndaj një incidenti me prishje të rendit publik rreth orës 12:30 të pasdites. “Një burrë, rreth të 50-ave, i cili u arrestua, është liruar pa akuzë”, tha policia.

Një zëdhënëse e IIEA-s tha se eventi ishte vetëm për anëtarët, përveç nëse përcaktohet ndryshe, dhe se anëtarëve u ishte lëshuar një ftesë për t’u regjistruar në faqen e saj të internetit - por takimi nuk ishte promovuar publikisht nga IIEA.

“Kur u bë e qartë se një numër jo-anëtarësh ishin regjistruar, ne i kontaktuam dhe i njoftuam se nuk mund të merrnin pjesë në event. Ne e bëjmë këtë rregullisht për të siguruar vlerën e anëtarësisë sonë”, tha ajo.

Ajo tha se lista e pjesëmarrësve nuk u nda me përfaqësuesit shqiptarë ose të tjetëve.“Na vjen sinqerisht keq për çdo konfuzion të shkaktuar dhe si një gjest vullneti të mirë, i ofruam secilit prej individëve mundësinë për të marrë pjesë në event online, ku ata do të ishin në gjendje të bënin pyetje përmes funksionit të bisedës”, tha ajo.
"Ne ishim shumë të lumtur ta lehtësonim këtë dhe moderatori i drejtoi pyetje folësit si nga ata në sallë ashtu edhe nga ata online."

Po ndodh...