“Je keqpërdorur si sifon”/ AGSH dënon gjuhën denigruese të Berishës ndaj Klodiana Lalës: Të tërhiqet dhe të kërkojë falje

12 November 2026, 12:41 / POLITIKË ALFA PRESS

“Je keqpërdorur si sifon”/ AGSH dënon gjuhën

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala, duke i cilësuar ato si gjuhë denigruese dhe sulme personale ndaj saj.

Përmes një deklarate publike, AGSH shpreh solidaritetin me gazetaren dhe i bën thirrje Berishës të tërhiqet nga deklaratat dhe të kërkojë falje.

Reagimi:

AGSH dënon gjuhën denigruese të Sali Berishës ndaj gazetares Klodiana Lala

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin dhe dënon gjuhën denigruese të përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala.

Deklaratat e Berishës, përbëjnë sulme personale që cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm.

AGSH thekson se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale, etiketimit apo diskreditimit publik për shkak të pyetjeve që shtrojnë, informacioneve që publikojnë apo mënyrës se si ushtrojnë profesionin e tyre.

Çdo politikan, përfshirë drejtuesit e opozitës, ka të drejtën të kundërshtojë raportimet mediatike, të kritikojë përmbajtjen e tyre dhe të kërkojë korrigjimin e pasaktësive. Megjithatë, kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në një instrument për të sulmuar personalisht gazetarët apo për të vënë në dyshim integritetin e tyre profesional përmes akuzave të pambështetura në fakte.

AGSH vlerëson se një gjuhë e tillë, veçanërisht kur përdoret nga figura me ndikim të lartë politik, rrezikon të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, të minojë besimin publik te media dhe të krijojë një klimë frikësuese për ushtrimin e lirë të profesionit.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me gazetaren Klodiana Lala dhe u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë, pa dallim, të respektojnë dinjitetin dhe pavarësinë e gazetarëve.

Me i bëjmë thirrje kreut të PD të tërhiqet nga këto deklarata dhe të kërkojë falje.

Po ndodh...