“Shi dollarësh” nga qielli në Kazakistan! Valixhet me para hidhen nga dritarja, arrestohen dy drejtues të lartë të shtetit

12 November 2026, 10:42 / BOTA ALFA PRESS

“Shi dollarësh” nga qielli në Kazakistan! Valixhet me para

Një skenë e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e 12 nëntorit në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, ku një valixhe e mbushur me kartëmonedha që ngjanin me dollarë amerikanë u hodh nga dritarja e një pallati. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa pak më vonë autoritetet konfirmuan arrestimin e dy zyrtarëve të lartë të vendit, të dyshuar për përfshirje në një çështje korrupsioni.

Bëhet fjalë për Nurlan Zhakupov, kreun e fondit shtetëror të pasurisë Samruk-Kazyna, dhe Elzhas Otynshiev, drejtuesin e kompanisë kombëtare të hekurudhave Kazakhstan Temir Zholy (KTZ). Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Kazakistanit konfirmoi se të dy janë ndaluar më 11 nëntor, së bashku me persona të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimet janë kryer nga Shërbimi Kundër Korrupsionit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të korrupsionit. Autoritetet bëjnë me dije se po zhvillohen veprime hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e çështjes, por nuk kanë dhënë detaje konkrete mbi akuzat ndaj dy drejtuesve.

Nurlan Zhakupov është në krye të fondit shtetëror Samruk-Kazyna që prej prillit 2023. Ai ka studiuar në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare (MGIMO), ku është diplomuar për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në vitin 2001.

 

Karrierën e ka nisur në sektorin financiar, duke punuar për kompani dhe institucione të njohura si ENRC, Chambishi Metals në Zambia, Credit Suisse dhe RBS Kazakhstan. Më pas ka mbajtur poste drejtuese në Tau-Ken Samruk, Kazatomprom dhe institucione të tjera investimi.

Ndërsa Elzhas Otynshiev mori drejtimin e kompanisë kombëtare të hekurudhave Kazakhstan Temir Zholy në korrik 2026. Ai ka punuar më parë në fondin Samruk-Kazyna, ku është marrë me strategjinë, investimet dhe administrimin e aseteve.

Otynshiev e nisi karrierën në vitin 2007 si konsulent në kompaninë Ernst & Young në Moskë. Më pas punoi për disa vite në Samruk-Kazyna dhe institucionet e lidhura me të, duke mbikëqyrur portofolin e investimeve në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.

Fondi Samruk-Kazyna administron disa prej aseteve më të mëdha shtetërore të Kazakistanit, përfshirë kompani në sektorët e naftës dhe gazit, energjisë, industrisë, minierave dhe transportit.

Arrestimi i dy drejtuesve të lartë ka tërhequr vëmendjen për shkak të rëndësisë së institucioneve që ata drejtonin, ndërsa hetimet pritet të zbardhin nëse ekziston një lidhje mes pamjeve të parave të hedhura nga dritarja dhe dyshimeve për korrupsion. Deri tani, të dy konsiderohen të dyshuar dhe nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor ndaj tyre.

It rained dollars in Kazakhstan

No miracle took place — suitcases stuffed with bundles of cash were simply thrown out of a residential building window in Astana.

It soon emerged that Nurlan Zhakupov, head of the Samruk-Kazyna sovereign wealth fund, and Yelzhas Otynshiev, head of Kazakhstan Railways, had been detained.

Samruk-Kazyna manages some of Kazakhstan’s largest assets in the energy, industrial and transport sectors.

— NEXTA (@nexta_tv) November 12, 2026

 

Po ndodh...