Apokalipsi i rremë i politikës shqiptare

13 Shtator 2023, 11:54 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Apokalipsi i rremë i politikës shqiptare

Libri “Nëntëdhjeteshtata – apokalipsi i rremë” i Fatos Lubonjës ka kaluar pa vëmendjen e duhur.

I botuar në vitin 2010, ku ngjarjet e trajtuara në vepër duken se janë lënë në harresë dhe jeta politike ka marrë një rrjedhë tjetër, atyre pak lexuesve që u ka rënë në duar, e kanë kaluar në heshtje, si mënyra më e mirë e mohimit.

I shkruar në trajtën e një kronike rrëfimtare për ngjarje që herë është protagonist e aktor dhe herë të tjera është rrëfyes i vëmendshëm dhe mbledhës faktesh autentike, libri është një dëshmi e qartë e muajve të mynxyrshëm janar-mars 1997, ku konflikti social e politik, i nxitur nga rënia e skemave piramidale, u përshkallëzua në mënyrë të rrufeshme derisa çoi në rënien e shtetit, marrjen në dorë të rendit nga banditë të armatosur dhe shkaktoi një plojë të përgjakshme me mijëra viktima të pafajshme.

Të vërtetën e vet, autori e jep nëpërmjet tregimtarit të ngjarjes, që quhet Fatos Qorri dhe rrëfen nëpërmjet ditarit të tij, dhe të një rrëfimtari të jashtëm, në vetën e tretë, i cili tregon ngjarje që zhvillohen jashtë alteregosë së shkrimtarit.

Është për të ardhur keq që kujtesa jonë kolektive si popull është kaq e shkurtër dhe që, nëpërmjet kësaj mungese të madhe, kemi ribërë gabime të rënda përsa i përket qasjes sonë ndaj politikanëve, rrjedhimisht së ardhmes sonë.

Ata që bëmë ndaj komunizmit, duket se e kemi ripërsëritur në këto vitet e tranzicionit shqiptar, duke ricikluar të njëjtat figura për tri dekada me radhë.

Dhe nuk mund të priten rezultate të ndryshme nga të njëjtët aktorë politikë.

Libri është një evokim i ngjarjeve më të zeza të historisë së Shqipërisë së postkomunizmit dhe tregon se si babëzia për pasurim të shpejtë dhe të pandershëm, makutëria e politikanëve për t’u kapur me thonjë pas karriges së pushtetit edhe kur toka po u rrëshket poshtë këmbëve si pasojë e vetë atyre, por edhe pafuqia e njerëzve për t’u ngritur dhe për t’u revoltuar, është një e keqe e madhe që do të pjellë vetëm ditë të zeza dhe pa asnjë të ardhme të mirë.

Njihemi aty me një galeri të pasur protagonistësh të kohës, flitet për ngjarje të jetuara nga afër, përshkruhen personazhe dhe portretizohen me një vërtetësi të tejskajshme, gjë që mund të realizohet vetëm nga një njohës i thellë i antropologjisë sonë socio-kulturore siç është Fatos Lubonja. Figura mbizotëruese që jepet me një vërtetësi të madhe, çka të duket se edhe sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar asgjë prej tij, është ajo e Presidentit të kohës, Sali Berishës, i shoqëruar edhe nga personazhe të tjerë.

Ja një ndër fragmentet e librit:

“U ndava nga Meidani duke kthyer vështrimin nga tryeza e stërmadhe ku kryetari bën mbledhjet e Kryesisë. M’u kujtua se një herë, kur kam hyrë në atë zyrë, Majko, më tregoi me një adhurim të veçantë karriken në krye të saj, atë të kryetarit Nano. “Askush prej nesh nuk ulet në atë karrike”, - më tha.

A mund të presësh të ngrenë nga karrikja Berishën njerëz që s’guxojnë të ulen në një karrike bosh?” (fq. 235).

I vendosur në krye të Forumit për Demokraci në një periudhë aspak demokratike, Lubonja ka shprehur angazhimin intelektual së bashku me zhgënjimin se si politika dhe opozita e kohës e përdori këtë Forum si një mjet për të marrë pushtetin dhe se si, nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta dhe të errëta, ata e kishin më të lehtë për të gjetur gjuhën me njëri-tjetrin se sa me intelektualët e llojit të Lubonjës apo me ish-të burgosurit politikë të regjimit, si Kola dhe Gumeni. Autori e përshkruan shoqërinë shqiptare si “një shoqëri ku mungon komunikimi i vërtetë; njerëz që s’ballafaqohen as me të tjerët vërtetësisht as me vetveten, por nëpërmjet një kodi ku ka peshë vetëm se kush fiton, kush ia hedh tjetrit e kush fundoset”.

Pas marrëveshjes së partive politike të 9 Marsit, Forumi për Demokraci praktikisht e humbi peshën e tij dhe në një bashkëbisedim me R. Meidanin, ai sjell në vëmendje një detaj mjaft të rëndësishëm, i cili tingëllon aq realist edhe sot:

“Nëse nuk dënohet as Berisha pas asaj që ka ndodhur, atëherë, askush nuk do të dënohet më në këtë vend dhe, nëse askush nuk dënohet, kjo do të jetë më keq se sa mosdënimi i krimeve të komunizmit. Në këtë farë demokracie, pushteti do të mund të bëjë çdo lloj krimi paskëtaj. Sepse në komunizëm shumë kanë bërë krime në mungesë lirie, kurse tani vjedhja e parave, e votës dhe reagimi ndaj protestave deri në vrasje dhe shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, është bërë në liri të plotë zgjedhjeje.”

Përse nëntitulli i rremë? “Ishte një ngjarje që dukej apokaliptike, por ishte një apokalips i rremë. Ky nuk do të zbulonte asgjë në emër të asgjëje. Do ta linte gjendjen ashtu siç kishte qenë.”

Si sot! Politika përsërit gabimet e së shkuarës, duke i shtuar asaj gabime të reja me të njëjtët protagonistë dhe nga i njëjti popull, që i ndjek qorrazi, në verbëri, drejt marrëzisë...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128