Argita Malltezi Berisha, "goca e FAMILJES"

16 Shtator 2024, 22:32 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

Argita Malltezi Berisha, "goca e FAMILJES"

Nga aktakuza e SPAK ndaj të pandehurit Sali Ram Berisha dalin plot xhevahire. Nëse në fund të kësaj historie FAMILJA nuk dënohet si familje mafioze, drejtësia e re ka dështuar. FAMILJA i plotëson denjësisht të gjitha kushtet për t’u quajtur organizatë mafioze.

Nëse lexon kryeveprën Gomorra të Roberto Savianos, vë re me lehtësi ngjashmërinë flagrante të kapove mafiozë me Sali Berishën. Saviano përshkruan kapot mafiozë si njerëz që i referohen kodit të nderit. Natyrisht që nderi për ta nuk është njësoj si nderi për frymorët e tjerë.

Psh për mafiozët një burrë i ndershëm (homo d’onore) është një burrë i sprovuar në krim dhe nuk bashkëpunon kurrë me policinë. I përshkruan si njerëz të pa interesuar për luks. Kapot mafiozë bëjnë jetë të thjeshtë. U pëlqen të punojnë kopshtin, vishen thjesht, nuk mbajnë ora e bizhuteri të shtrenjta, etj.

Si njerëz për të cilët gjëja më e shtrenjtë në botë është familja (e vetmja pikë ku ata nuk kanë ndryshim nga burrat normal). I përshkruan si burra të moralshëm. Kapot mafiozë janë burra familjarë. Nuk mbajnë dashnore. E vetmja akuzë që Toto Rina i bëri Tomazo Bushetës në përballjen e vetme mes tyre në gjykatë, ishte se ‘’ti ke shumë gra’’, për të vënë në dukje moralin e dobët të Bushetës.

Natyrisht që morali i kapove mafiozë limitohej te besnikëria bashkëshortore. Vrasjet e të pafajshmëve psh, nuk përbënin problem moral. Nëse i analizon të gjithë ‘’vlerat’’ e një kapoje mafioz sipas Savianos, i cili studimit të mafias i ka kushtuar gjithë jetën e tij, mund të vësh re me lehtësi se Sali Berisha është bartës i të gjitha këtyre karakteristikave.

Natyrisht që kush ka lexuar Savianon dhe njeh Sali Berishën, nuk kishte nevojë të lexonte aktakuzën e SPAK për të arritur në këtë përfundim. Sali Berisha mund të përkufizohet me një fjalë të vetme, PADRINO!

Me faktet tronditëse që kanë dalë nga materiali prej 500 faqesh po merren të gjitha mediat, ndaj nuk ka vlerë të trajtohen në një shkrim. Mjafton të thuhet se FAMILJA ka bërë shiun dhe diellin në këtë vend.

Nuk kuptohet se ku mbaron FAMILJA e ku fillon shteti, ku mbaron shteti e ku fillon FAMILJA. Të treja pushtetet, legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori, janë në këmbët e FAMILJES. Partia Demokratike është thjesht një parti e domestikuar. Edhe pushteti i katërt, ka qenë e vazhdon të jetë në këmbët e FAMILJES.

Por duket se këtij të fundit nuk i ka ardhur radha akoma. Përgjimet e SKY ECC që përfshijnë lakejtë mediatikë duket se do të zbardhen në një fazë të dytë. Rregulli i ndjekur duket të jetë nga lart poshtë. Kështu ndodhi me reformën në drejtësi. Vetingu nisi nga lart poshtë. Kështu duket se po ndodh edhe me goditjen penale, nga lart poshtë.

Ama ka 3 perla në këtë dosje që meritojnë vëmendje.

Perla e parë: ‘’Ajo gocë e FAMILJES’’

Me këtë përkufizim shumë interesant, Xhimi Begeja, ortaku në biznes i Abit, shkruan një letër ankimi, se po ia fusnin pak. Se kush ia fut kujt në biznese të pista, dihet. Por nuk është kjo interesante. Interesante është perceptimi që ka një protagonist në këtë biznes të pistë për FAMILJEN. As pena e Ismail Kadaresë nuk do ta përkufizonte më mirë atë që përfaqësonte Argita Malltezi Berisha. Gocë e FAMILJES!

Kjo grua që del në televizor dhe pa pikë turpi mbrohet duke thënë se ‘’cili shqiptar nuk do të paguante shpenzimet shëndetësore të prindërve të tij?’’ Sipas aktakuzës, Sali Berisha nuk kishte rritur pasurinë e tij, për të ruajtur imazhin e politikanit të ndershëm, por i kishte kaluar paratë te vajza e tij dhe nga llogaritë e saj i përdorte sipas nevojave të tija. Flasim për shpenzime që ai nuk i përballonte dot me pagën e tij prej deputeti. Pra Argita Malltezi Berisha i referohet traditës shqiptare për të ndihmuar prindërit në nevojë. Perlë!

Vetem se ‘’prindi në nevojë’’ kishte nevojë për gjysmë milioni euro për të paguar shpenzimet e një gjyqi në Britaninë e Madhe, për të hequr statusin e të shpallurit non gratta. Fare normale. Cili shqiptar i mirë nuk do të paguante gjysmë milioni euro për emrin e mirë të babait të tij të ndershëm? Thjesht perlë!

FAMILJA duket se ka përzgjedhur zonjën Argita Malltezi Berisha për pasardhësen e padrinos. Përzgjedhja e Gitës duket e mirë studiuar. Përveç pamundësisë për t’i besuar dikujt jashtë FAMILJES drejtimin e forcës familjare politike, çka duket të jetë dhe shpresa e fundit për mbrojtje, Gita duhet, në mos të marrë realisht drejtimin, së paku të përflitet si drejtuese potenciale. Nga xhevahiret e dala nga aktakuza, do të jetë e vështirë për SPAK të mos vërë nën akuzë Argita Malltezi Berishën. Në mos e bëftë SPAK, ka për t’ia kërkuar gjykata. Abi nuk mund t’i bënte të gjitha pa dijeninë dhe bashkëpunimin e bashkëshortes. Ndaj duhet fabula gati, se SPAK po godet drejtuesen e ardhshme të Partisë Demokratike. Megjithëse askush nuk e ka parë zonjën Malltezi Berisha të bëjë politikë para vënies nën akuzë të babait dhe bashkëshortit të saj.

Megjithatë, edhe sikur ta kenë seriozisht se ajo do të jetë drejtuesja e ardhshme e PD, zgjedhja duket e drejtë. Askush më shumë se zonja Malltezi Berisha nuk e meriton të drejtojë një parti anti SPAK. Askush nuk ka humbur më shumë se ajo nga puna e Prokurorisë së Posaçme. Dy figurat kryesore të një gruaje janë babai dhe burri. Në rastin e zonjës Malltezi Berisha janë të dy të burgosur. Në pritje është edhe i vëllai. Ajo e meriton më shumë se kushdo tjetër!

Perla e dytë: ‘’Kontribut patriotik"

Biznesmenit Fatmir Bektashi, vetëm për këtë frazë, duhet t’ia ulin ca dënimin. Në zërat e shpenzimeve të firmës së ndërtimit, shumat e parave që shkonin për FAMILJEN, z. Bektashi i quante ‘’kontribut patriotik’’. E kush mund të gjente një definicion më të goditur? Kontributi për FAMILJEN kryeministrore natyrisht që ka doza patriotizmi. Një sarkazëm kaq të goditur mund ta gjesh vetëm në kryeveprat e letërsisë botërore.

Perla e tretë: Filantropia

Akuzave të SPAK se financimet e fondacionit të mamit janë pastrim parash, FAMILJA iu përgjigjet me ndjenjën e lartë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, fëmijët në nevojë. Në historinë e mafias nuk gjen asnjë familje mafioze që të mos ketë bërë bamirësi. As një të vetme. Kush nuk do donte ta shpëlante pak emrin me veprën e lartë të bamirësisë? Mirëpo ajo që bien ë sy në bamirësitë e FAMILJES, është se përqindja e fitimit që shkon për bamirësi është e papërfillshme. Edhe Zani Caushi ka shpërndarë thasë me miell, të cilët në përqindje fitimi nga aktiviteti kriminal ishin më të larta se ato të FAMILJES.

Për ta mbyllur, duhet të përmendim dhe dy fenomene shumë interesantë.

Fenomeni i parë është lufta kundër shtetit. Kur Toto Rina pordhi nga trutë, e gjithë mafia u fut në një luftë të zellshme me shtetin italian. Në Tiranë po ndodh ca më keq. Meqënëse Sali Berisha ka pjerdhur nga trutë, dumbabistët po luftojnë jo vetëm me SPAK-un dhe shtetin shqiptar, por po luftojnë zellshëm edhe me të gjithë botën e qytetëruar. Me SHBA, me Britaninë e Madhe, me BE-në. U ka mbetur vetëm t’i shpallin luftë papës në Vatikan.

Fenomeni i dytë është besnikëria mafioze. Roberto Saviano vinte në dukje formën e shprehjes së besnikërisë ndaj kapos së arrestuar. Kur arrestohej një kapo mafioz, familjet e tjera të zonës dilnin në rrugë, qanin, çirreshin në fytyrë, shkulnin flokët, shtriheshin përtokë, ulërisnin. E gjitha bëhej për t’i shprehur besnikërinë kapos së burgosur. Në Tiranë po ndodh ekzaktësisht e njëjta gjë, po me një ndryshim të vogël. Në Tiranë kjo po ndodh nëpër studio televizive live…

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128