Bamirësitë e shëmtuara të politikanëve Sinaj (majtas) dhe Berisha (djathtas)!

20 Shtator 2024, 15:43 / IDE NGA GJERGJ EREBARA

Bamirësitë e shëmtuara të politikanëve Sinaj (majtas)

Në mënyrë të përsëritur, deputeti socialist , na vuri në dukje këto ditë se ai e ka zemrën kaq të madhe, sa pagën e tij si deputet e jep për bamirësi. Sinaj gjeti të përdorë argumentin e bamirësisë për të zhvlerësuar faktin që institucione të ndryshme shtetërore kanë bërë blerje te rrjeti i kompanive nën pronësinë e tij, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës, pavarësisht kjo nëse blerjet janë shumë apo pak apo nëse vetë Sinaj ka qenë apo jo në dijeni të këtyre transaksioneve. Por ndërsa çështja e shkeljes së Kushtetutës është një çështje tjetër, pretendimi i Sinajt për bamirësi me rrogën e deputetit është, mendoj, ku e ku më bezdisëse se sa paratë e fituara në shkelje të Kushtetutës.

Sinaj nuk është i pari në fakt që na përplas në fytyrë bamirësinë. Pak më herët, ish-kryeministri bërtiti me të madhe dhe u ankua i çuditur se si, hetimi i Prokurorisë së Posaçme për dyshimet për korrupsion ndaj tij, ka përfshirë, si të dhëna që tregojnë përfitime të atij vetë, donacione që vajza dhe familja e vajzës së ish-kryeministrit kanë bërë për një fondacion të drejtuar nga bashkëshortja e tij, fondacion që ka për qëllim të ekzistencës së vet ndihmën për fëmijët me aftësi ndryshe.

Unë vetë e mbaj mend themelimin e fondacionit në fjalë si dhe disa ankande të pështira në të cilat, biznesmenë, ca të korruptuar dhe ca jo, ofruan dhe blenë me çmime të kripura piktura të ndryshme, me qëllim që të ardhurat të shkonin në ndihmë të fondacionit. Ishte një shfaqje banale, dukshëm për të shpëlarë korrupsionin me bamirësi nën pushtetin e një kryeministri, i cili, për shkak se ishte kryeministër dhe kishte në dispozicion një buxhet prej disa miliardë eurosh, mundej dhe duhej që, me paratë e taksapaguesve, të ndërtonte çfarëdolloj agjencie të nevojshme për të ndihmuar fëmijët, të rriturit,  të moshuarit, njerëzit dhe kafshët, institucione për mbrojtjen e mjedisit apo për zhvillimin e artit apo të shkencës, pa pasur nevojë për të kërkuar donacion nga vajza apo nga dhëndri.

Megjithatë, puna e Berishës është një gjë që nuk ia vlen të merresh gjatë. Ai është tashmë i akuzuar dhe si i pandehur, ka të gjitha të drejtat të mbrojë veten si ta shohë të arsyeshme.

Është në fakt kjo puna e Sinajt ajo që të bezdis më shumë. Deputet biznesmen i një partie që prezantohet si e majtë, i caktuar nga kjo parti që të mbledhë votat në një nga zonat më të varfra të Shqipërisë, Sinaj është në fakt një jopolitikan i cili nuk mbahet mend të ketë folur për ndonjë gjë politike, të ketë mbajtur ndonjë qëndrim për probleme të ndryshme që normalisht shqetësojnë njerëzit e angazhuar politikisht apo të ketë iniciuar ndonjë reformë, ndonjë ndryshim për mirë në shoqërinë në të cilën jetojmë. Faqja e tij në Facebook është ajo e një roboti që rishpërndan postime të ndryshme të kryeministrit dhe të ministrave, ndërsa vetë Sinaj nuk duket sikur ka folur ndonjëherë për ndonjë gjë nga ato që zakonisht politikanët flasin deri sa bëhen bajatë. E vetmja gjë që mbaj mend që ky jopolitikan ka thënë është që e jep rrogën për bamirësi.

Nuk e vë në dyshim që rrogën mundet ta japë për bamirësi. Përderisa janë paratë e tij, ka të gjitha të drejtat të bëjë çfarë të dojë me të. Vetëm se kjo nuk është çfarë funksioni i deputetit është. Deputeti, si përfaqësues i popullit, i mandatuar për ta përfaqësuar atë, dhe me rrogën që merr pikërisht nga ky popull, në vend që të merret me këtë punë, pra përfaqësimin, të interesave dhe të shqetësimeve apo opinioneve të popullit që përfaqëson, pretendon se është bamirës pikërisht përkundrejt popullit që përfaqëson. Është njësoj sikur një punëmarrës, në ditën që merr rrogën, të shkojë te punëdhënësi dhe t’i thotë: mbaje këtë rrogën se je hallexhi, të ka zënë ndonjë siklet e të duhen ca para. Ke një familjar të sëmurë e të duhet të shkosh deri në Tiranë për një palë analiza, sepse këtu në fshat nuk ka kujdes shëndetësor. Ose të ka ngordhur lopa, apo breshëri të dëmtoi të mbjellat.

Sepse në vend që të bëjë bamirësi, Sinaj duhet të bëjë përfaqësuesin e popullit, duhet të bërtasë në parlament se pse në Shqipëri ka varfëri, pse, në zonën ku ai i mobilizon votat për partinë, ka njerëz në halle dhe në nevojë, se pse këta njerëz duhet të presin rrogën e tij dhe nuk marrin ndihmë ekonomike apo pse ndihma ekonomike është e pamjaftueshme.

Sepse ka qëlluar që jetojmë në një kohë kur bota i ka mjetet në dispozicion që të mos ketë në asnjë vend dhe asnjë fshat, sado të largët, njerëz në nevojë dhe mjeti kryesor me të cilin bota lufton këto probleme është shteti social, në të cilin, edhe të varfërit, edhe ata që nuk munden, duhet të trajtohen me dinjitet, jo me rrogën e deputetit, e cila, pavarësisht madhësisë së zemrës, nuk mjafton kurrsesi për të zgjidhur problemin e varfërisë, por përmes taksimit dhe rishpërndarjes, siç shkruhet në preambulën e Kushtetutës që Sinaj dukshëm nuk e di se e ka shkelur./BIRN

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128