Beteja sharlatane anti-amerikane e “non-gratës”!
Parlamenti dha edhe dje shfaqjen e radhës, të padobishme, të shëmtuar, në shërbim të klaneve të korruptuara të politikës.
Ka kaluar një çerek shekulli, që prej viteve të fundit të shkollës së mesme, qëkurse i ndjek zhvillimet politike, nxitur nga origjina familjare antikomuniste si dhe nga dëshira për tu angazhuar.
Gjithmonë këto inskenime në sallën e seancave parlamentare përveçse më kanë ngjallur neveri, njëherësh edhe më kanë bindur se këto skena dhune e errësire nuk janë asgjë tjetër përveçse ballo me maska politikanësh të korruptuar.
Kurrë nuk zihen e nuk debatojnë për thelbin e ligjeve, për vendimet në favor të vendit e të qytetarëve, për principet e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë. Përkundrazi ndërtojnë skena e skenare të tilla, për t`i fshehur publikut devijimin e standardeve të demokracisë funksionale.
Gjithmonë do zihen jo për thelbin e funksionit ligjvënës, do zihen ose për proçedurat rutinë parlamentare, e ke ti apo e kam unë, ose kacafyten për kërkesat e pa bazuara në ligjet e veprimtarisë kuvendore, në rregulloren parlamentare dhe në gërmën e frymën e Kushtetutës. Që të gjitha “jo për ne por për qytetarët”, janë "beteja" sharlatane në mbrojtje të copave që kanë zaptuar, apo të copave që u`a kanë vënë syrin. Gjoja u paskan zënë për komisionet hetimore.
Kush di të na thotë, cilit politikan e pushtetar të korruptuar i ka hyrë gjemb në këmbë nga hetimi parlamentar? E kundërta ka ndodhur. Komisionet hetimore kanë qenë thjesht presione politike të një pale mbi palën tjetër, po kurrë jo instrumenta që t`i kenë shërbyer ndëshkueshmërisë të abuzimeve me pasuritë dhe financat publike. Berisha me foltoristët kot përpiqen të na bindin për të kundërtën. I kemi me dhjetra shembujt që kontrolli parlamentar vetëm i ka rritur në karrierë të gjoja hetuarit me të tilla komisione.
Po ju listoj dy-tre shembuj më poshtë.
Mbaj mend se një komision parlamentar dikur hetoi Arben Ahmetajn për vjedhje milionash tek Telekomi i shtetit, me kompaninë e tij telefonike. Jo vetëm nuk u dënua, po na u bë disa herë ministër e deri zëvendësi i kryeministrit Edvin. U desh SPAK, ky institucion "produkt" Amerikan të ja “kërciste” prangat.
Vetë Edvini u hetua për abuzimet në bashkinë e Tiranës me komisionin Olldashi. Jo vetëm nuk u gërvisht për asgjë, përkundrazi na u bë tre herë kryeministër.
Ilir Meta me ndihmën e Ndre Legisit theu vazo e tavolina, desh e kapën për “zverku” kryeparlamentaren, në një nga këto sherret e turpshme parlamentare. Njërin e flakën si lëvozhgë limoni, ndërsa Metaj pasi u bë ministër e zëvendës kryeministër i doktor non gratës, kapi Presidencën nën pushtetin e Edvinit.
Si përfundim ka edhe një arsyetim ligjor, kushtetues dhe politik për këto lloj hetimesh. Kur çështjen e ka marrë drejtësia, ç`do ndërhyrje tjetër ndalon. Kur drejtësia flet të gjithë duhet të heshtin. Nuk ka koment mbi vendimet e drejtësisë.
Mbështesni SPAK-un më parë se sa të bëni skena të tilla dhe luftë për komisione pa bereqet.
Në këto tre dekada SPAK ka dhënë shembuj konkret. Të tjerët, nga të gjitha anët e politikës kanë qenë e janë mburoja të krimit, të trafiqeve, vjedhjes së pasurive tona të përbashkëta. Kush i frikësohet prangave të SPAK mos të na bëjë të vjellim me inskenime delirante në Parlament.
ide
Opozita ‘mos më prek me dorë’
PD në betejë me qeverinë, drejtësinë dhe ndërkombëtarët
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128