E hëna e parë e muajt, “betejë” për hallin e Berishës e jo për buxhetin e shqiptarëve

5 Nëntor 2023, 21:29 / IDE NGA BESART LOGU

E hëna e parë e muajt, “betejë” për hallin e

Të gjithë jemi dëshmitarë se si salla e Parlamentit është kthyer në arenë përplasjesh mes hallexhinjëve të politikës. Politikanë që i bën bashkë i njëjti hall, raporti që kanë me organet e drejtësisë.

Stisja e një konflikti, që në fakt nuk ekziston, e ka shoqëruar klasën politike përgjatë gjithë këtyre viteve tranzicion. Mbajtja gjallë e kësaj përplasje imagjinare ka patur për qëllim reflektimin e konfliktualitetit edhe në shoqëri, duke e ndarë atë në dy kampe ekstremistësh, si e vetmja mënyrë që pamundëson zgjimin e ndërgjegjes qytetare dhe vetëdijes kolektive në raport me pushtetin por dhe çdo vullneti tjetër tenton t'i përdorë.

Skizma e para dy viteve në PD ishte ngjarje, që për nga rëndësia e pasojave që prodhoi, kaloi edhe kufijtë e vetë partisë. Zbuloi për publikun një fakt të tmerrshëm: bashkëpunimin e tre aktorëve politik, Berisha-Meta-Rama. Një lidhje e ngushtë mes tyre që shtrihej jo vetëm në rrafshin politik por dhe në atë ekonomik e mediatik. Milionat e eurove të tenderave dhe lejet e ndërtimit për kulla, marrë përmes të tretëve, ishin vetëm maja e ajsbergut e këtij bashkëpunimi.

Hetimet pasurore të SPAK po zbardhin edhe më tej masën e përfitimit dhe mënyrën e realizimit. Laku po ngushtohet. Prandaj Trekëndëshi ka intensifikuar bashkëpunimin në rrafshin politik. Nëpërmjet mediave të tyre, private dhe shtetërore, me licensë kombëtare ose jo, orientojnë debatik publik me tema të tilla si "karriget e përmbysura, provë e rikthimit të pluralizmit dhe demokracisë".

Nesër është e hënë. Më saktë, e hëna e parë e muajit. Ditë kur Berisha duhet të paraqitet në SPAK në cilësinë e personit nën hetim. Çuditërisht, nesër Kuvendi ka një axhendë të ngjeshur të komisioneve parlamentare me objekt "buxheti 2024".

Nga ana tjetër, Rithemelimi ka paralajmëruar sërisht protestë, me shkulje mikrofonash dhe improvizim të skenave të komedisë "Pallati 176". Rrëshkitje totale nga misioni që ka dhe duhet të përmbushë opozita por që në fakt është pikërisht ajo që i duhet më tepër Edi Ramës. Buxheti i 2024 do të rëndojë më tepër xhepat e qytetarëve, sidomos biznesin e vogël, prandaj duhet kaluar pa zhurmë e debat konstruktiv. Dhe kush më mirë se Berisha me të tijët mund ta bëjë më me devotshmëri e garanci, përveç faktit se e ka detyrim ndaj Ramës në kuadër të bashkëpunimit disavjeçar e shumëplanësh.

Tashmë, kuptohet nga çdo njeri që ka një minimum logjike dhe që është në gjendje të krijojë një mendim të pavarur, përjashto këtu militantët ekstremist me vare e kokë dashi, se Berisha-Meta-Rama janë trinomi që po mbajnë peng zhvillimin dhe integrimin e vendit. Skenat e përplasjeve në Parlament nuk janë vetëm skenë krimi por dhe skenë turpi. Hallexhinjëve të politikës i ka nisur numërimi mbrapsht.

ide