I dashur babi, sikur të kisha një babi!

I dashur babi,
Po të shkruaj ty që të gjithë të kuptojnë se çfarë pret një vajzë, çfarë merr, si ndërtohet apo shkatërrohet një jetë, jeta ime kur nuk të kam ty në krah, kur nuk më frymëzon e beson, e mbi të gjithë kur ma përplas derën në fytyrë e më thua që kjo nuk është më shtëpia ime. Kur ti heq dorë prej meje, pasi “më përcjell me nder” nga dera jote për në atë që ti e quan “derën time”, ndonëse unë nuk jam e sigurt e kam shumë frikë, ti më shpërfill plotësisht! A thua të mbaron dashuria për mua kur më nxjerr nga ajo derë?
Atë ditë që dola, isha vetëm 17 vjeçe. Nuk dija asgjë për jetën, për burrin e shtëpinë. Kur ti dhe mami më thatë që kjo është rruga e duhur unë ju besove. Kur prindërit e burrit thanë që më donin si vajzën e tyre, edhe atyre u besova. Ju besova ju të gjithëve dhe bëra gjithçka që doni ju, për t’ju bërë të lumtur e të ndiheni krenar. Asnjëri nga ju nuk e kuptoi dhimbjen time prej 3 vitesh. Jetova jetën tuaj por jo timen. Kur njoha një djalë, rastësisht teksa vrapoja të kapja rendin e punëve që duhet të bëjë nusja që të ndihet krenar babai, u ndjeva ndryshe. Mbase nuk gjej fjalë t’ju shpjegoj, por dikush që doli nga rruga më kuptoi më mirë se të gjithë ju!
Ndodhi ajo që e pa çdo njeri! U organizua funerali i shpirtit e jetës time, videot morën dhenë. M’u thye shpirti babi, m’u shemb toka nën këmbë, dhe ti më dhe goditjen e fundit. Po zien Shqipëria për mua, u mbushen ekranet, çdo kush po flet, shumë po hedhin baltë mbi mua, por askush babi, askush nuk më frikëson, vetëm ti! Jam strukur në këtë errësirë dhe po pres që ti të më mbytësh, nuk e di se si. Por jam e bindur që gjithë ata që po flasin do të fryjnë aq shumë sa ti do vraposh tek unë e do më lësh pa frymë!
Babi nuk të kam turpëruar, por ti më le vetëm! Ti më hodhe në rrugë! Ai nuk ka qenë pranë meje, i jam lutur të më merrte me, por më tha jo. Unë atëherë nuk e dija, por ti vërtetë mendon se kështu është martesa, kështu është jeta, kështu është familja? Nuk e dua shtëpinë ku jetoj vetëm, nuk dua para, nuk dua asgjë! Dua vetëm jetën time dhe dashurinë tuaj! Po të kisha ty në krah, do më kishe kuptuar e mbrojtur, nuk do më kishe martuar. Mund të kisha studiuar, mund të isha rritur, do më kishte zgjedhur e dashur një djalë babi, jo nëna e një djali. Mund të ishte ai djali që isha me të, që me siguri nuk do më shohë më me sy. Mbase tani nuk do më dojë më askush. Pa ty, e duke të pasur frikë ty, ku ta gjej forcën për t’u ngritur, për të jetuar e punuar? Si të dal nga shtëpia kur nëse jam përballë teje në korridor më duket se janë çastet e fundit të jetës time.
Ti më gjuajte edhe para policisë babi. As ata tani nuk do e marrin seriozisht denoncimin tim. Edhe për ta jam një e përdalë, kam tradhtuar burrin që nuk e kisha kurrë burrë, atë që më dhe ti, e zgjodhët ju. Vëllai i tij, të cilit i kam dhënë bukë me duart e mia filmoi videon që po e shikon sot gjithë Shqipëria. Ata nuk më donin as që më duan, iu duhej një shërbyese, vetëm se e quajtën “nuse”, po po “nuse”, një nuse pa burrë!
Babi, unë jam vajza jote! E ke harruar këtë? Përse po më vret dhe nuk po vjen ngadalë të më mbrosh, kuptosh dhe nxjerrësh nga kjo errësirë. Nuk jam penduar babi! Ta them në sy që nuk jam penduar edhe nëse janë fjalët e mia të fundit.
Nëse ia dal mbanë babi, nëse arrij të ndërtoj jetën që dua, atë video mund ta shohin fëmijët e mi. Po babi, por unë nuk do i lë kurrë vetëm, ata do më përqafojnë mua me aq shumë dashuri e mbështetje saqë do e harroj dhimbjen që ndjej tani. Unë do i mësoj të jetojnë, të duan, do u flas për dashurinë dhe do u tregoj dashurinë time. Unë do të jem si nëna e si babai që do doja të kisha tani në krah. Nuk do jem si ju.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
