Kauza vs numra

14 Shtator 2023, 17:44 / IDE NGA ALBI XHUNGA

Kauza vs numra

Realiteti i ri në Kuvendin e Shqipërisë, ku disa deputetë të Partisë Demokratike shkuan dhe u ulën në prehrin e ngrohtë të non gratta-s, nuk e ndryshon status-quo-në politike. Dukja nuk e ndryshon përmbajtjen. Produkti i dalë nga bashkimi ‘’parimor’’ i atyre që kanë merakun e opozitarizmit, nuk do të jetë një produkt politik, por do të jetë një produkt thjesht dhe vetëm propagandistik. Disa deputetë, të cilët si njerëz të lirë votuan përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar dhe nga PD, sot shkojnë e ulen në prehrin e tij të ngrohtë pa u skuqur e pa u zverdhur. Ky shkrim nuk ka për qëllim, as të evidentojë vlerat morale të deputetëve të caktuar, as integritetin e tyre. Dukshëm këta deputetë shkuan tek non gratt-a, si një përpjekje për të shpëtuar karrierën e tyre politike. Kjo ngjarje më sjell në mendje një histori të biblës.

‘’Një çifligar kishte punësuar disa njerëz për të punuar tokat e tij, duke iu propozuar 1 monedhë ari për ditën e punës. Nga mesdita, kur shikon se puna nuk po ecte me ritmin e dëshiruar, ai punëson disa njerëz të tjerë për të punuar në pjesën e mbetur të ditës, duke iu propozuar të njëjtën pagesë, 1 monedhë ari. Pasdite, ai vlerëson se për ta mbaruar punën do t’i duheshin dhe disa punëtorë të tjerë. Kështu që angazhon edhe disa njerëz të tjerë për pjesën e mbetur të ditës, duke iu propozuar të njëjtën pagesë, 1 monedhë ari. Në këtë moment ata që e kishin filluar punën që në mëngjes herët ankohen, duke i thënë se nuk ishte e drejtë që ata punonin që prej mëngjesit për një pagesë prej 1 monedhe, ndërkohë që ai iu propozonte të njëjtën pagesë atyre që do të punonin vetëm pak orë nga pasditja deri në mbrëmje. Çifligari iu përgjigjet duke iu thënë se ata po merrnin pagesën për të cilën kishin rënë dakort, ndërkohë që çfarë bënte ai me paratë e tij nuk ishte puna e tyre.’’ Këtë histori e tregon Jezusi për të argumentuar se ata që i bashkoheshin më vonë do të kishin të njëjtin shpërblim (parajsën) me ata që i ishin bashkuar më herët dhe se kjo nuk ishte padrejtësi.

Mirëpo qielli me tokën i kanë megjithatë ca ndryshime të vogla. Jezusi mund t’u premtonte të njëjtin shpërblim ndjekësve të mëhershëm dhe atyre të mëvonshëm, sepse parajsa ka vend për të gjithë. Ndërkohë që në realitetin tokësor gjërat janë paksa më të koklavitura. Psh numri i vdekatarëve që popullojnë Kuvendin e Shqipërisë është i limituar. Siç është i limituar edhe fondi i votave të Berishës, i cili nuk mjafton për ndjekësit e hershëm, e jo më për fluksin e refugjatëve të fundit të PD-së. Dmth, përtej fasadës së solidaritetit mes deputetëve të këtij grupimi të ri parlamentar, priten megjithatë disa zhvillime interesante…

Llogaria e numrave

Është paksa e sikletshme për burrin (edhe për gruan) të shpjegojë se si, për interesin publik (gjithmonë për interesin publik), ai po bën sakrificën sublime të të lëpirit aty ku ka pështyrë, çka në fakt i përgjigjet njëfarësoj definicionit Churchill-ian për politikanin: ‘’Politikani është ai që na tregon ç’do të ndodhë në të ardhmen dhe kur ato që ai na ka thënë se do të ndodhin, nuk ndodhin, ai na shpjegon përse-në’’.

Shpjegimi më i artikuluar i dumbabistëve të vonuar (këtu më duhet të shpreh njëfarë konsiderate për dumbabistët e orëve të para) është se ata shkuan atje, sepse atje shkuan demokratët. Ata shkuan atje, sepse kuptuan se PD zyrtare nuk mund t’i sjellë demokratët në pushtet, pasi numrat i ka Berisha. Kjo është thjesht një përpjekje për të debilizuar debatin publik. Një përjekje për të marrë për budallenj demokratët dhe të gjithë shqiptarët. Autorit të këtyre rreshtave nuk i plas fare (po fare ama) kush i sjell demokratët në pushtet, e as nëse vijnë apo jo ndonjëherë demokratët në pushtet. Unë nuk e kam nderin të jem një prej tyre, nuk kam ndërmend të bëhem një prej tyre në të ardhmen dhe nuk më interesojnë hiç këto llogari cinike. Mua nuk më intereson të rrëzohet Rama, që në vend të tij të na vjedhë një Ramë me xhaketë blu dhe administrata të popullohet nga militantë të paaftë demokratë në vend të të paaftëve socialistë, të cilët edhe vjedhin nga pak. Ajo që më intereson është rrëzimi i Ramës nga dikush që ka një projekt, jo për të punësuar demokratët, por për të përmirësuar jetën e shqiptarëve, për të ndërtuar një shtet më të drejtë, për të çliruar tregun e monopolizuar që po i merr frymën ekonomisë. Ajo që më intereson është një projekt politik që bashkon popullin opozitar, i cili është sot më i madh se dy gjysmat e Partisë Demokratike të marra së bashku, por fatkeqësisht është i papërfaqësuar politikisht dhe nuk del të votojë.

Në skemën klasike, mazhoranca përfaqëson status-quo-në, ndërsa opozita përfaqëson shpresën. Nëse në Kuvendin e Shqipërisë do të përplasen numrat, fitorja i takon mazhorancës. Nuk janë numrat ata që përcaktojnë forcën e një opozite në kuvend. Po të jetë thjesht çështje numrash, çdo opozitë është e dobët. Opozitë dmth minorancë. Numrat në kuvend janë armë e mazhorancave. Opozitat luftojnë me ide për ta përmbysur këtë status-quo. Opozitat luftojnë me kauza. Opozitat nuk mund të fitojnë beteja parlamentare me anë të numrave. Ama ato mund të fitojnë betejën për të përmbysur situatën në burimin e pushtetit, i cili është vota e qytetarëve. Një opozitë e fortë është një opozitë me kartë morale, një opozitë me kauza, një opozitë me ide.

Rama nuk është shumicë ndër shqiptarë. E kanë votuar vetëm 48 përqind. Berisha nuk është shumicë ndër opozitarë, zgjedhjet e fundit e provuan. Votat që mori PD dhe votat e atyre që nuk dolën të votojnë janë ku e ku më shumë se votat e Foltores. I pari dhe i dyti shiten si shumicë, sepse e kanë kthyer në neveri skenën politike shqiptare dhe kjo mban larg votuesin gri. Përplasen, krijojnë tensione, vjellin vrer etj etj. E gjitha kjo bëhet për të mbajtur larg politikës dhe larg kutive të votimit qytetarin e lirë të papozicionuar. E bëjnë sepse kanë tmerr nga vota e lirë.

Përplasje vizionesh

Trumpetohet nevoja e bashkimit të grupit parlamentar për të pasur një aksion opozitar më efikas. Ok. Po mbi cilat ide? Mbi cilin vizion? Këto pyetje janë pak të sikletshme për gazbardhistët. Deputetët janë (të paktën teorikisht) qënie të lira dhe ata mund t’i bashkohen cilit grupim të duan dhe cilit lider të duan. Ata nuk janë të detyruar t’i rrinë besnikë partisë në të cilën u zgjodhën dhe as atyre që i votuan. Por gjithsesi kanë detyrimin moral të shpjegojnë piruetat e tyre.

Dy janë vizionet që po përplasen ndër demokratë. Dy oferta politike po iu serviren demokratëve shqiptarë. Njëra është oferta anti-spakiste e Sali Berishës dhe e Foltores, se ata ashtu i kanë ca halle. Pas goditjeve në mazhorancë, po ua ndjen prapanica lagështirën.
Vizioni tjetër është i opozitës pa halle. Vizioni i Partisë Demokratike, e cila ofron mbeshtetje politike për drejtësinë e re, punon krah për krah me garantët e kësaj drejtësie që është shpresa e fundit për shqiptarët, me SHBA dhe BE. Shqiptarët do të zgjedhin. Propaganda punon fort për të krijuar idenë se të dyja palët janë e njëjta gjë. Por propaganda efktet i ka gjithmonë me datë skadence. Rrotën e historisë nuk e ndal dot askush.

Individ vs turmë

Unë si individ kam nevojë për t’u përfaqësuar politikisht. Bindjet dhe interesat e mia duhet të përfaqësohen politikisht. Në këtë rast unë nuk kam pse të ndjek turmat (qofshin këto edhe shumicë) dhe të tretem në to. Unë kam bindjet dhe interesat e mia dhe do të ndjek atë grupim politik që më përfaqëson. Nëse ky grupim politik në të cilin unë gjej përfaqësim, është shumicë apo pakicë, kjo nuk varet nga unë. E dija paraprakisht dhe e kam deklaruar publikisht se Roland Bejko kishte zero shanse të fitonte Bashkinë e Tiranës, mirëpo tek ai shikoja të përfaqësuara bindjet e mia politike. Ndërkohë që e kisha fort të sigurt se zgjedhjet do t’i fitonte lali Eri. A mos duhet të kisha rendur te lali Eri sepse ai do të ishte shumicë???

Me këtë idenë e shumicave janë përpjekur (jo pa sukses) t’i idiotizojnë shqiptarët. Me këtë idenë e shumicave po përpiqen t’i idiotizojnë opozitarët. Njeriu ndjek bindjet dhe interesat e tij, jo turmat. Botën e kanë ndryshuar idetë e mëdha. Historia na mëson se të gjitha idetë e mëdha fillimisht përkrahen nga një pakicë njerëzish të ndriçuar. Më pas ato pushtojnë botën…