Kur injoranca nuk shitet vetëm në Big Brother...

12 Mars 2023, 17:55 / IDE NGA JETON GJOKMARKAJ

Kur injoranca nuk shitet vetëm në Big Brother...

Ka një mendim pothuaj dominant në mjedisin shqiptar, sipas të cilit shkolla dhe niveli pothuaj mjeran i cilësisë së saj si dhe politikat arsimore pa vizion e të dominuara nga mediokriteti janë problemi më i madh i shoqërisë shqiptare.
Dhe si për me e argumentu këtë konkluzion, pra mungesën e një politike shtetërore serioze, largpamëse dhe atdhetare për arsimin, është e mjaftë të sjellim në vëmendje shumicën e emrave të ministrave që kanë drejtuar ministrinë e arsimit në vitet pas rënies së komunizmit, të cilët kanë qenë shembëlltyrë e mediokritetit, paaftësisë dhe e mungesës së autoritetit që vjen prej kontributeve intelektuale dhe shkencore e jo prej faktit se një kryeministër të emëron ministër.
Do ditë më parë Partia e Lirisë organizoi një tryezë kinse shkencore me temën shumë pretencioze: “Arsimi prioritet kombëtar”. Shumë mirë deri këtu. Me bindjen se mund të mësoja diç serioze e me vlerë u fokusova me e ndjek këtë tryezë në ballë të të cilës ishte siç e do zakoni i partisë vetë kryetari Ilir Meta/Metaj.
Në fakt do të ishte më mirë që kryetari të ishte ulur diku kah fundi i tryezës e të dëgjonte specialistët, profesorët, akademikët etj. Por kjo është qasja e tij dhe nuk komentoj më shumë. Partinë e vet e ka.
Ajo që shënon anën më qesharake, posaçërisht edhe më fyese të kësaj tryeze është organizimi dhe drejtimi i saj nga Kejdi Mehmetaj, personi më i pashkolluar në atë tryezë.
Përkatësisht përballë saj në pozitën e “nxënësit” gjendeshin profesorë e pedagogë universiteti, intelektualë me tituj e grada shkencore.
Nuk po them që është mëkat apo faj të jesh i apo e pashkolluar. Është çështje kapaciteti mendor, intelekti, perkushtimi dhe serioziteti e ambicjeje për t’u arsimuar dhe kualifikuar. Por kjo është tjetër temë.
Fakti që unë dua me fokusu është tallja e Partisë së Lirisë me një temë e çështje kaq madhore.
Pa dashtë me u marrë me këtë zonjën me emrin Kejdi Mehmetaj, që nuk mund të krahasohet as me Besa Shahinin, me më të paaftën e gjithë ministrave të arsimit që e kanë drejtu atë ministri, sepse Besa të paktën studimet universitare i kishte krye të plota, përkundër Kejdit që nuk ka guxu as me i fillu studimet për master shkencor, problemi i vërtetë qëndron me emrat e tjerë në atë tryezë ( natyrisht këtu nuk e kam fjalën për Viron Bezhanin ), që janë me kontribute disavjeçare në drejtimin e arsimit apo në fushën e menaxhimit dhe të mësimdhënies në universitete, të cilët pranojnë të drejtohen nga një e pashkolluar për të qenë e aftë me drejtu politikat arsimore.
Nuk më duket se Partisë së Lirisë i mungojnë kapacitetet e duhura për me hartu dhe me drejtu politikat arsimore. Ndaj, referuar emrit të asaj që ka qenë edhe më parë zëri i ish LSI-së e eshtë eshe tash zëri i PL-së për politikat arsimore dhe shkencore të kësaj partie, mendja më shkon se kjo parti as që e ka idenë se çfarë do me thënë përgjegjësi politikash dhe menaxhimi të arsimit si prioritet kombëtar.
Për më shumë argumenta lexoni CV-në e Kejdi Mehmetajt dhe besoni mandej në angazhimin e Partisë së Lirisë për të ardhmen e arsimit si prioritet kombëtar. Pra prej zonjës Mehmetaj mateni serioziteti dhe përgjegjësinë me ç’ka na ofrohet Partia e Lirisë në politikat arsimore. Dhe pastaj mos u habisni se pse injoranca nuk shitet vetem në Big Brother.

Po ndodh...