“Lufta’’ e partive të reja si ‘’lufta’’ midis të varfërve

22 Shtator 2024, 23:40 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

“Lufta’’ e partive të reja si

Ndër të tjera, në panoramën politike shqiptare po shpërfaqet një konflikt i ri. Është konflikti midis partive të reja. Duke qenë se këto parti, nga “Shqipëria Bëhet”, “Nisma-Thurje” apo “Bashkë” e Arlind Qorrit, pa hequr këtu ndonjë parti tjetër si “Mundësia” për shembull, synojnë pak a shumë një tortë elektorati të ngjashme, do të ishte normale që herët apo vonë të kishte dhe konflikte midis tyre.

Sepse që të gjitha këto parti retorikën kryesore të tyren, më shumë se sa ideologjike, e kanë anti sistemike. Të gjitha pa përjashtim, kryefjalën e tyre kanë ndryshimin dhe rinovimin e klasës politike kundër dyshes dhe sistemit Rama-Berisha.

Duke qenë kështu, duket sikur secili drejtues prej tyre pretendon që ta përfaqësojë këtë elektorat. Në këtë mënyrë, lufta e tyre ka filluar që tani, në studiot televizive më së paku. Gara e tyre është se cila nga ato përfaqëson vërtetë të renë dhe se cila nga ato është kundër oligarkëve apo kundër sistemit politik. Me pak fjalë, cila nga ato është ‘’ndryshimi’’ i vërtetë.

Mirëpo kjo ‘’luftë’’ absurde që bëjnë midis njëra/tjetrës është njësoj si ‘’lufta’’ midis varfërve. Lufta midis të varfërve është një metaforë sociologjike që paraqet konfliktet në shtresat më të varfëra të shoqërisë duke lënë të qetë shtresat më të pasura të saj. Zihen në varfërinë e tyre në vend që të kërkojnë të kenë akses në të mirat materiale të shoqërisë.

Fiks kështu po ndodh edhe me partitë e reja në Shqipëri. Diku për delirin e ndonjë drejtuesi, diku për paaftësinë politike, partitë e reja janë duke zhvilluar një betejë se kush do të përfaqësojë të renë. Në vend që të bashkojnë forcat kundër sistemit politik aktual, ato janë duke e ndarë edhe atë pak elektorat që mund ta përfaqësonin më së mirë së bashku. Në vend që të pretendojnë që të marrin elektorat nga dy partitë e mëdha, ato janë duke punuar për të marrë një pjesë të vogël të elektoratit duke krijuar përçarje dhe midis njëra tjetrës.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025 do të kenë edhe një funskion të rëndësishëm për demokracinë shqiptare. Përveç faktit se kush do të jetë fituesi, ato të përcaktojnë nëse sistemi politik 34 vjeçar Rama-Berisha do të depërtohet dhe do të çahet nga parti të reja, apo ky system do të vazhdojë të qeverisë Shqipërinë edhe për shumë vite të tjera. Futja në skenën politike të partive të reja, kësaj herë nuk ka rëndësi, të majta apo të djathta, do ti shërbente sistemit politik shqiptar dhe demokracisë tonë. Kjo gjë do ti jepte fund binomit Rama-Berisha dhe do të krijonte një hapësirë të re politike për perspektivën e Shqipërisë.

Mirëpo ky qëllim mund të arrihet vetëm nëse partitë e reja bëhen bashkë kundër këtij sistemi. Në të kundërt, do të fragmentizonin elektoratin e tyre dhe në terma pragmatiste do të humbisnin qëllimin. Nuk ka dyshim se skena politike shqiptare ka nevojë për ripërtëritje. Ka nevojë për fytyra dhe forca të reja. Ata që thonë se fragmentizimi i opozitës apo dalja e partive të reja është në favor të Ramës, ende nuk e kanë kutpuar se sfida e vërtetë e zgjedhjeve të vitit 2025 nuk është nëse do të fitojë Rama apo Berisha, por nëse ky binom 34 vjeçar do të arrijë që të çahet dhe të fillojë rinovimi i sistemit politik shqiptar.

Dhe këtë qëllim partitë e reja duhet ta kuptojnë që vetëm bashkë, madje me një listë të përbashkët, mund ta arrijnë. Në të kundërt, sistemi politik 34 vjeçar i Shqipërisë do të vazhdojë të qeveriset edhe për shumë vite të tjera nga binomi Rama-Berisha.

ide