Marrëveshja e patentave si kartel kriminal

18 Shkurt 2023, 11:29 / IDE NGA KLODIAN TOMORRI

Marrëveshja e patentave si kartel kriminal

Marrëveshja mes Drejtorit te Transportit Rrugor, atij te Tatimeve dhe Shoqatës se Autoshkollave është kartel i pastër kriminal.

Çfarë ndodh me çmimet?

Në marrëveshje thuhet shprehimisht se për patentat e klasit B, kostoja minimale fiskale do të jete si më poshtë:

Për marrjen e njohurive teorike - 30 mijë lekë,

Për marrjen e njohurive praktike- 55 mijë lekë,

Totali për marrjen e patentës B - 85 mije lekë.

Patenta B është patenta masive që nevojitet për të drejtuar autoveturat. Në pamje të parë këtu duket sikur kanë përcaktuar koston për qellime fiskale. Por shiko çfarë shkruajnë tek paragrafi tjetër:

‘Palet janë dakortësuar se tarifat e pagesës së përgatitjes për marrjen e njohurive teorike dhe njohurive praktike për drejtues mjeti (Kosto minimali fiskale K.M.F duke përfshirë dhe TVSH) ... do të jetë e njëjtë për të gjithë subjektet që zhvillojnë aktivitetin Autoshkollë në Republikën e Shqipërisë dhe do të jetë sipas tabelës së mëposhtme dhe është pjesë përbërëse e kësaj marrëveshje’.

Pra këta nuk i kanë dhënë vetëm karakter fiskal, sic është për shembull kostoja minimale fiskale e ndërtimit. Që apartamenti shiten në treg me çmim të lirë dhe shteti e mbledh taksen mbi një çmim dysheme fiskal. Ne rastin e patentave, këta kanë bërë fiksim çmimi të detyrueshëm.

Ky është karteli në formën e tij më të rëndë. Madje me arkitekte zyrtarët publike. Në këtë rast, kokat e kartelit janë drejtori i Transportit Rrugor, drejtori i Tatimeve dhe kreu i Shoqatës së Autoshkollave.

Pasi lajmi i dyfishimit të çmimit të patentave doli në media, Blendi Gonxhja beri një reagim të padëgjuar më parë. Nuk tha që ky është lajm i rremë, por tha se është lajm i gabuar. Në fakt kjo e dyfishon çmimin. Këtej e tutje njerëzit do të paguajnë 850 dollarë për të marrë patentën sepse kështu do Gonxhja i Transportit, Cenua i Tatimeve dhe Lazja i Autoshkollave.

Ndaj ne duhet te kriminalizojmë kartelet në Kod Penal. Sa herë që këta bëjnë nga këto paçavuret kështu, duhet të kërcasin prangat. Se kjo nuk ka asnjë ndryshim nga vjedhja që bën një hajdut, kur te hyn në shtëpi apo vjedhja e një zyrtari me tendera.

Është e njëjta gjë. Madje kjo është më e rëndë.

 

 

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128