Në tregun politik ka vetëm një vend bosh, e djathta jo berishiste

20 Mars 2024, 20:32 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Në tregun politik ka vetëm një vend bosh, e djathta jo berishiste
Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha sot zhvilloi një takim me disa parti politike por edhe me personalitete publike për të krijuar atë që ata e quajtën harku opozitar Euro-atalantik. 

Megjithëse kryefjala ishte Reforma Zgjedhore dhe kërkimi i listave të hapura, pra, kthimi i votës te qytetarët, në atë tryezë kishte një emërues të përbashkët më domethënës.

Po të shikosh personat që ishin në krye të tryezës Bamir Topi, Spartak Ngjela, Preç Zogaj apo Rexhep Uka, janë të gjithë njërëz që i përkasin të djathtës historike të cilët i bashkon një gjë e përbashkët. Janë të gjithë politikanë që shquhen për betejat politike që kanë bërë historikisht me Sali Berishën dhe berishizmin si filozofi politike. Jo rastësisht ata ishin sot prezent aty, pasi kjo pjesë e Partisë Demokratike që organizoi këtë event tashmë ka marrë vëndin e së djathtës jo berishiste në politikën shqiptare.

Në fakt, nëse ka një vend bosh sot në tregun politik shqiptar, është pikërisht e djathta jo berishiste. Çdo hapësirë tjetër është e zënë. Kush e kupton këtë gjë e shfrytëzon këtë hapësirë dhe ka të gjitha mundësitë për ta rritur forcën e tij politike. Kush nuk e kupton, vazhdon me retorika boshe dhe aksione që nuk pasqyrojnë realitetin politik, dhe si të thuash, xhiron bosh. Mirëpo që ta shfrytëzosh këtë hapësirë, duhet ta artikulosh këtë të djathtë, ta përvetësosh dhe ta kthesh në një vizion jo vetëm për të djathtën por edhe për elektoratin gri. Ka shumë të pakënaqur në Shqipëri me qeverinë, por që nuk ja japin votën opozitës vetëm se aty qëndron ende Sali Berisha.

Të krijosh një të djathtë bashkëkohore jo berishiste nuk do të thotë që ajo është anti berishiste. Janë dy koncepte që në shumë aspekte ndryshojnë me njëra-tjetrën. Të krijosh të djathtën jo berishiste, në radhë të parë, do të thotë që të jesh i bindur që Shqipëria ka nevojë për të. Në radhë të dytë, të kesh kurajon dhe kapacitetin për ta bërë një gjë të tillë.

Edhe për arsyen se vendet e tjera janë të zëna. Ata që janë sot në radhët e Partisë Demokratike zyrtare duhet ta kenë të qartë se vetëm ky pozicion, vetëm kjo hapësirë ka një mundësi reale për t’u zhvilluar dhe për t’u forcuar si formacion politik. Në të kundërt, është energji e harxhuar kot dhe një miopi politike.

Është e kotë, dhe nuk përputhet me sociologjinë politike që një parti tradicionale si PD të sillet si një formacion i ri politik kur nuk është i tillë. Partia Demokratike është një parti historike në Shqipëri. Vendin e partive politike të reja dhe retorikën anti-sistem e bënë Adriatik Lapaj, Endri Shabani apo Arlind Qorri. Sepse kanë të drejtën për ta bërë, duke qenë se nuk janë gjendur asnjëherë në pushtet në Shqipëri.

Ajo që mund ta sjellë të re Partia Demokratike për Shqipërinë, është pikërisht një parti që shkëputet njëherë e mirë nga emri i Sali Berishës dhe berishizmi si koncept. Është e papranueshme për historinë e së djathtës shqiptare që të lidhë përjetësisht fatin e saj me fatin e një personi. Është një moment historik për ta realizuar një gjë të tillë dhe për t’i thënë shqiptarëve se kjo është një parti politike e cila e tejkalon ermin e një personi. Në fakt, është një detyrë që e ka Partia Demokratike për ta bërë një gjë të tillë. E djathta shqiptare ka shumë vlera, shumë histori dhe shumë beteja të cilat është mëkat t’i lidhësh vetëm me emrin e Sali Berishës.

Elektorati i kësaj të djathte është aty. Pret një Parti Demokratike e cila të jetë e aftë të artikulojë vlerat që ajo mbart historikisht dhe arsyet për të cilat ajo është fromuar. Në të kundërt, çdo vizion tjetër apo synim tjetër, është një lodhje e kotë e predispozuar për të dështuar. Dhe kjo gjë duhet bërë sa është mundësia dhe koha. Ndryshe, e djatha në Shqipëri do të përfundojë me përfundimin politik të Sali Berishës. E ardhmja në fakt, është një e djathtë jo berishiste. Një e djathtë që i duhet demokratëve, por sidomos Shqipërisë.

 

Po ndodh...

ide