“Non gratta”, pa qenë nevoja të jesh shpallur i tillë

29 Janar 2023, 10:37 / EDITORIAL NGA PREç ZOGAJ

“Non gratta”, pa qenë nevoja të jesh shpallur i tillë

Shpallja “non gratta” është një vendim, të themi ekstrem, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj funksionarëve dhe ish funksionarëve me peshë në shtetet e tjera të botës. Të cilët janë të përfshirë në çështje të mëdha korruptive ose konsiderohen shkelës të të drejtave të njeriut.

Por “non grata” nuk është një damkë që ndan dy botë, në kuptimin që kush nuk e ka është automatikisht në rregull me parimet e qeverisjes së mirë, me antikorrupsionin, me luajalitetin ndaj partnerëve amerikanë dhe europianë, e tjerë. Zona e së paligjshmes, e së papranueshmes, e antidemokratikes, e së dëmshmes, e së dënueshmes ka një shtrirje  mjaft të gjerë këndej dhe përtej pikes “non grata”.

Mendimi për ta lëshuar pa duar meqenëse “nuk jam  non  grata” është  kurthi që politikanët e vëtëkënaqur e dritëshkurtër i ngrenë vetvetes. Ata harrojnë se çdo berr varet nga këmbët e veta.  

Të marrim aferën “McGonigal”, që pret të gjykohet në SHBA, e njohur tashmë gjerësisht nga publiku  shqiptar. Për atë pjesë që lidhet me Shqipërinë, përshkrimi i aktakuzës së ngritur kundër ish funksionarit të lartë të FBI-së, Charl McGonigal, tregon qartë se kryeministri Edi Rama i ka përdorur  takimet  informale me të pandehurin në fjalë dhe me dy miqtë e tij shqiptarë, Neza dhe Duçko, për të vënë në lëvizje hetimin e lobimit të PD-së në SHBA nëpërmjet lobistit Nik Muzin. Datat e takimeve Rama-McGonigal, veprimet e këtij të fundit, marrja prej tij 225 mijë dollarëve nga Neza, pagesat  nga Duçka të shpenzimeve të udhëtimit të dëshmitarëve nga Europa për llogari të hetimit në Uashington-të gjitha këto shkojnë  paketë.

Ka kolegë të medias në Tiranë që po thonë se  Rama bëri detyrën duke denoncuar apo nxitur hetimin amerikan të një marrëveshjeje me pikpyetje apo me shkelje si ajo e PD-së me Nik Muzin.  

Do ta thosha edhe unë këtë; Do ta lavdëroja edhe unë Ramën si mbrojtës të ligjeve amerikane dhe shqiptare. Por me dy kushte: E para, po ta thoshte vetë i pari që po bënte detyrën. Por nuk e ka thënë as në vitin 2017, as tani. E dyta, kryesorja, dyshimet që kishte për lobimin me probleme të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës duhej t’ja përcillte zyrtarisht  FBI-së, institucioneve amerikane.

Por siç e dimë tashmë nga akuza, në takimet e tij me zyrtarin  e FBI-së nuk ka asgjë institucionale. Nga asnjëra palë. Ka vetëm  fshehtësi, pazare “ më jep të të jap”, konspiracion, duke hedhur gurin e fshehur dorën.

Institucionet amerikane e dinë të vërtetën e marrëveshjes së lobimit mes Partisë Demokratike të Bashës dhe Nik Muzin në vitin 2017.  Edhe sikur kjo marrëveshje të përmbante të gjitha “gjynahet” që i ka  taksur retorika e Ramës dhe socialistëve të tjerë përgjatë viteve, edhe sikur  socialistët në njërën anë dhe Berisha me të vetët në anën tjetër të mos ishin përgenjështruar në “profecitë” e tyre se Basha nuk shkel dot në SHBA sepse arrestohet në çast, SHBA dhe institucionet e saj nuk do ta “amnistonin” Ramën për sa i përket mënyrës si ka vepruar dhe  rolit të tij në bisedimet e fshehta me funksionarin e FBI-së.  

Pëmendja e tij kaq shpesh në tekstin e aktakuzës kundër McGonigal, për rrjedhin edhe nga mediat e shumta amerikane, e nxjerr Ramën në dritë të keqe dhe përfaqëson goditjen  me të madhe që ka marrë reputacioni dhe imazhi i tij në SHBA e më gjerë. Ai mund të mos ketë bërë ndonjë shkelje të ligjit amerikan apo shqiptar në takimet e tij me McGonigal, Nezën dhe Duçkën.  Por ka shkelur me të dyja këmbët standartet e sjelljes dhe të trasparencës në  atë që është kostumi dhe lartësia e postit të  kryeministrit të një vendi aleat me SHBA.  

Nuk ka dyshim se sjellja e tij është lexuar saktë nga  autoritetet amerikane. Është lexuar si shprehje e impenjimit të tij për të dëmtuar e shkatërruar  me duart e amerikanëve alternativën opozitare si rruga për të siguruar jetëgjatësinë apo përjetësinë në pushtet. Çudi, pra, kur mendon se në vitin 2017 Lulzim Basha kishte dalë nga zgjedhjet politike të atij viti me një rezultat që kishte prekur fundin. Përballja e alternativave në demokraci bëhet për epërsi përmes votës së lirë dhe jo për zhdukje të njërës palë nga tjetra. Politologu i madh liberal, Rajmond Aron, na mëson se jo shkatërrimi por respektimi i kundështarit në përballje është një prej vlerave që dallon marrëdhënien dhe bashkëjetesën e kundështarëve politikë në demokraci nga ajo në diktaturë.  

Çdo çudi e merr shpjegimin e vet një ditë. Kjo histori nuk mbaron këtu. Është si një shakullimë. Shkon përtej një impulsi a tundimi të kryeministrit për ti bërë gropën opozitës me duart e amerikanëve! Një përpjekje kësisoj, shoqëruar me korrupsionin pa frena, e merr de fakto “titullin” non grata pa qenë nevoja apo pa pritur të jesh shpallur i tillë zyrtarisht.

Po ndodh...