Paligjshmëria nuk luftohet me aksione, por me strategji dhe vullnet politikë
Goditja në të njëjtën ditë nga policia e shtetit e 233 shpërndarësve të kokainës dhe drograve të tjera më shumë se sa një bilanc pozitiv, ka elemente të theksuara show-i mediatik.
Një gjë e tillë nxjerr në pah atë që dihet: policia ka informacion të plotë dhe të qartë për shpërndarësit e drogës në ambientet e shkollës, por ajo nuk vepron.
Pavarësisht kësaj, dihet që problem nuk janë shpërndarësit e vegjël, por furnizuesit e mëdhenj, të cilët nuk kapen asnjëherë, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me pushtetin dhe strukturat përgjegjëse të policisë.
Goditja e këtij aktiviteti të paligjshëm dhe shumë të dëmshëm për rininë, nuk mund të bëhet me aksione sa herë emërohet një ministër i ri.
Së pari, politika duhet të shkëputet dhe të mos i përdorë për fushata zgjedhore njerëzit e inkriminuar, që njihen lehtësisht në qytetet e Shqipërisë, dhe, së dyti, strukturat e hetimit duhet të gjurmojnë elementet e inkriminuar brenda policisë, që mbajnë lidhje, paguhen dhe informojnë furnizuesit e mëdhenj sa herë që ka aksione të tilla.
Lufta kundër përdorimit të narkotikëve duhet të jetë një punë e përditshme jo vetëm e policisë, por edhe e institucioneve të tjera, duke filluar nga familja, shkolla, njësitë vendore, drejtoritë e shëndetit publik, media, institucionet fetare etj.
Përdorimi i drogës, të shërbyerit si model dhe promovimi i të rinjve që kanë bërë lekë nëpërmjet veprimtarive kriminale, është shndërruar në një kulturë të dëmshme dhe të rrezikshme për shoqërinë tonë.
Shkolla e ka humbur rëndësinë e saj.
Familja është e pafuqishme dhe e paaftë të merret me edukimin e fëmijës. Për të mos të folur për raste ku vetë prindërit janë bashkëfajtor me fëmijët e tyre për krijimin dhe promovimin e steriotipeve të tilla.
Ndërsa policimi në komunitet, një eksperiencë e vyer e partneritetit me policitë partnere, është harruar dhe nuk funksionon më prej vitesh.
Tek adoleshentët, për shkak të kësaj kulture të përgjithshme, është ngulitur ideja se vetëm rruga e pasurimit nëpërmjet shitjes apo kultivimit të drogës është e vetmja mënyrë e sukseshme e pasurimit të shpejtë dhe e jetës së luksit.
Ky fenomen nuk mund të luftohet me aksione, që zgjasin aq sa zgjat show-i mediatik, por ka nevojë për një strategji afatgjatë, që mund të realizohet vetëm nëse do të ketë vullnet të mirë nga të gjithë institucionet përkatëse.
Por kjo nuk mund të bëhet në një vend ku politika nuk shihet si mision, por si aksion i shpejtë pasurimi; ku polici ndjek të njëjtin model si politika dhe e ka mendjen të bëjë ndonjë lekë për vete dhe për shefin; ku shkolla është e pafuqishme të ushtrojë ndikimin e saj tek adoleshentët problematikë; ku prindërit nuk duan t’ia dinë fare se çfarë bëjnë fëmijët jashtë derës së shtëpisë; ku politika i përdor trafikantët për vota; ku ministri shoqërohet me kontigjentë të rrezikshëm të botës së krimit; ku Kryeministri thotë kokat hënkshit, për sa kohë nuk më rrezikoni pushtetin mua; ku opozita e jashtëligjshme i ka partner, sepse i bashkon paligjshmëria e tyre; ku opozita e ligjshme është e pafuqishme të bëjë diçka që të përkthehet në aksion konkret; ku media shpeshherë merr sponsorizime dhe mbijeton nëpërmjet veprimtarisë së tyre; e kështu me radhë.
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128