Partia Demokratike, më shumë elektorat se sa parti

30 Mars 2023, 17:31 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Partia Demokratike, më shumë elektorat se sa parti

Report Tv publikoi ditën e djeshme në “Repolitix” rezultatet e para të sondazheve të Institutit Italian “Piepoli” për zgjedhjet lokale të 14 Maj. Sipas këtij sondazhi, në rang kombëtar Partia Demokratike kishte një mbështetje 11 deri në 15 për qind. Ndërsa koalicioni Bashkë Fitojmë, ose ndryshe koalicioni Meta-Berisha , kishte një mbështetje 31 deri në 35 për qind. Nëse do ti zbresim kësaj përqindjeje 6 deri 7 pikë që ka patur Partia e Lirisë ne zgjedhjet e fundit, atëherë mbështetja për lëvizjen politike të Sali Berishës mbetet diku te 25-26 për qind. Një mbështetje që ka mbetur kostant që nga koha e rikthimit të tij në politikën aktive pas përjashtimit nga Partia Demokratike. Pra, raporti midis Partisë Demokratike dhe Sali Berishës është 1 me 2 në favor të këtij të fundit.

Nëse do ta marrim të mirëqenë rezultatin e këtij sondazhi, gjithmonë brenda kufizimeve që çdo sondazh mbart, kjo mbështetje për Partinë Demokratike , duke parë kontekstin politik të vitit të fundit, nuk është aspak në shifra demotivuese. Përkundrazi! Janë shifra që premtojnë dhe sigurojnë të ardhmen e saj politike. Problemi qëndron te fakti se, Partia Demokratike ka më shumë mbështetës se sa është parti politike në plotë kuptimin e fjalës. Ose më saktë, nuk është sjellë si e tillë në vitin e fundit për disa arsye.

E para, që nga largimi i Lulzim Bashës pas 6 marsit të kaluar, Partia Demokratike është gjendur në një kaos të vërtetë. Nuk është nevoja të përmenden të gjitha arsyet, pasi ato janë të ditura nga të gjithë. Por fakt mbetet se, që nga ajo kohë e deri pak javë më parë Partia Demokratike ka qëndruar në gjendje të ngrirë. Pa asnjë aktivitet politik, pa asnjë takim me strukturat apo mbështetësit e saj, me përjashtim të ndonjë rasti sporadik, pa asnjë artikulim të qartë politik apo strategji për të ardhmen. Sigurisht ka pasur politikan që kanë mbajtur qëndrime në parlament apo çështje të caktuara në media, por asnjëherë nuk është sjellë si një institucion koheziv dhe i qëndrueshëm. Por edhe këto zëra, kanë qenë zëra individual dhe të pakoordinuar. Gjë e cila, ka dëmtuar sigurisht mbështetjen e saj politike.

E dyta, Partisë Demokratike i ka munguar lidershipi. Megjithëse gjatë kësaj kohe formalisht në krye të saj ka qenë Enkeled Alibeaj, që për hir të së vërtetës detyrën e tij kryesore e ka përmbushur më së mirë, atë të rezistencës ndaj sulmit të palës tjetër, dhe falë tij PD arriti të mbijetojë, përsëri ky ka qenë një lidership I komanduar dhe jo i zgjedhur. Pas largimit të Bashës, Partia Demokratike nuk arriti të zhvillojë zgjedhje brenda saj për lidershipin e ri apo qoftë edhe për konfirmimin e të vjetrit nëpërmjet votës. Dhe dihet, që një parti politike pa lidership nuk ka se si të funksionojë si e tillë.


E treta, Partia Demokratike ka qenë gjatë kësaj kohe në një agresion politik, financiar dhe shpeshherë mediatik. Është e qartë se pala tjetër ka patur më shumë mjete në dispozicion për të zhvilluar betejën e saj. Partia Demokratike zyrtare edhe sot e kësaj ditë nuk ka një televizion, portal apo gazetë të mbështesë linjën e saj politike. Ndërsa nga ana tjetër, të gjitha këto mjete nuk kanë munguar aspak. Dhe ne një kohe kur politika kushton, është normale që ajo palë që zotëron mjete të tilla do të jetë me e suksesshme .

E katërta, Partia Demokratike deri më tre mars ka qenë në një pasiguri juridike që ka dëmtuar aktivitetin e saj. Një zgjatje absurde nga gjyqësori shqiptar ka bërë që kjo situatë të sqarohej vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve. Ndërkohë që, zgjidhja e saj juridike duhet të përbënte prioritet për gjykatat shqiptare, pasi bëhej fjalë për partinë më të madhe opozitare që ka përfaqësuar dhe përfaqëson qindra mijëra njerëz. Aq me tepër për një parti historike siç është Partia Demokratike. Në këtë kontekst, qartësisht që opozita futet e disaavantazhuar në zgjedhjet lokale.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme është fakti se, edhe kur situata juridike u sqarua, Partia Demokratike tregoi pavendosshmëri për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Mbledhjet e stërzgjatura për të vendosur mënyrën se si do të merrte pjesë në zgjedhje e tregojnë më së miri këtë gjë. Ato reflektuan qëndrimet e ndryshme brenda asaj partie. Partia Demokratike nuk ishte pamundur të kandidonte 61 kandidat për zgjedhjet lokale, thjesht ishte e pavendosur. Njerëz të rëndësishëm brenda saj kishin qëndrime të ndryshme. Disa mendonin që mos të merrnin pjesë në zgjedhje me kandidatë, si për shembull Gaz Bardhi dhe Jorida Tabaku , e disa tjetër me ne krye Enekeld Alibeajn të kandidonin në 6i bashki. Kjo frymë paqartësie u reflektua më pas edhe poshtë në bazë. Ku disa kanidatë u tërhoqën, e disa të tjerë nuk kandiduan. Kjo ishte një lëvizje strategjike totalisht e gabuar. Kur drejtuesit nuk janë të qartë për strategjinë e tyre politike, si mund të jetë ndryshe baza e partisë. Sigurisht që ata do të ndikohen nga drejtuesit e tyre dhe qëndrimet që ata kanë, aq më tepër kur bëhen publike për mediat.

Ndërsa nga ana tjetër, Sali Berisha dhe grupi që mbështet atë, ka qenë në një aktivitet të plotë dhe të qartë politik. Në mënyrë konstante ka zhvilluar betejën e tij politike, gjë e cila patjetër që I ka dhënë avantazh politik. Por ky avantazh, me gjithë forcën e lidershipit të Sali berishësh, me sa duket nuk shkon më shumë se sa 25-26 për qind. Një përqindje larg të qenit kandidat për kryeministër. Por ky është një diskutim tjetër.

Megjithëse këto vështirësi , të cilat janë krijuar disa herë nga drejtuesit politik të Partisë Demokratike me qëllim apo pa qëllim, e disa herë nga kontekstet dhe rrethanat, përsëri mbështetja për të vazhdon të jetë kostante rrett 15 për qind. Një elektorat që qartësisht nuk voton më për Sali Berishën , edhe sikur partia të bashkohet. Kjo është e qartë si drita e diellit.

Për të gjitha këto arsye, mundësitë që partia Demokratike të ketë të ardhme janë të gjitha. Elektorati ekziston, madje me potenciale të mëdha për tu rritur, nëse politika e kësaj partie ndryshon. Çështja është se cili ka dëshirën dhe mundësinë për ti përfaqësuar ata. Ose më saktë, a ekziston vullneti vërtetë për ta bërë këtë betejë politike edhe pas 14 Majit. Nëse ambiciet nuk shfaqen, nëse nuk do të ketë vërtetë një linjë të qartë politike, rreziku që edhe ky elektorat që ka mbetur të qëndrojë në shpi, dhe Partia Demokratike të mos ekzistojë më, është eminent.

Po ndodh...