PD e Berishës, e shpjeguar në një foto

18 Shtator 2024, 12:09 / POLITIKË NGA ALFAPRESS.AL

PD e Berishës, e shpjeguar në një foto

Kur Sali Berisha u shpall "Non grata" dhe u pezullua nga grupi parlamentar i PD, Luan Baçi ishte nga të parët që iu bashkua.

Ambicia e madhe e ish-zyrtarit lokal të vogël, e kishte bërë që të mos e duronte dot mbi krye Enkelejd Alibeajn që e shihte si rival në Fier dhe, duke iu bashkuar Berishës, të provonte fatin nga "kaposh shqerak" të shndërrohej në "kaposh deti" në politikën e trazuar shqiptare, por mbi të gjitha në "zonën e tij elektorale".

Ashtu ia bëri, duke mos kursyer asgjë dhe askënd. Ashtu si në 2017, kur nuk kurseu asnjë prej kundërshtarëve të Bashës, të njëjtën gjë bëri edhe me kundërshtarët e Berishës. Sigurisht një prej të shigjetuarëve të tij të mëdhenj, ishte edhe Gazment Bardhi.

Mirëpo, koha rodhi dhe muajt sollën atë që Baçi nuk e kishte menduar kurrë. As Drejtues Politik në Qarkun e tij në Fier ku luftoi me epizëm për të ngritur Foltoren, Rithemelimin dhe mbajtur në këmbë berishizmin, nuk e bëri Lideri për të cilin ngeli 3 vite rresht studio më studio. Kishte një besim të verbër te Berisha, por Baçit të shkretë, do ti duhej të sakrifikonte sërish dhe për kë?!.  Kur emërimi i Bardhit në Fier, fillimisht u përfol në media, Baçi nuk ngurroi të shprehej, se nuk pranonte të dëgjonte dhe të fliste me askënd, përveçse me Berishën. Kjo foto e shkrepur në një takim të Bardhi,( tashmë "shefi") dhe Baçit me demokratët në Patos, flet më shumë se çdo fjalë tjetër.

Me imazhin e Berishës mbi krye, që me sa duket po e thotë fjalën e tij për Baçin dhe Bardhin, këtë të fundit me një nënqeshje tipike nën buzë dhe me Baçin me kokën "e prerë" për të mos arritur të bëhej asnjëherë shef i madh as në Fierin e tij, pavarësisht përpjekjeve.

Gjithsesi, Berisha mbi krye flet më shumë se gjithçka tjetër. Ai duket se e frymëzon Baçin për t'i kujtuar primaret dhe kërkesën për të futur në primare edhe Gazment Bardhin. "Aty ta shohë Bardhi me shokë sa i vlen lëkura", mendon me vete Baçi, pa e ditur se çfarë mendon fotoja që ka mbi krye./Alfapress.al