
Reforma në drejtësi që nuk donin

Të gjithë jemi dëshmitarë se si natën e 21 korrikut të vitit 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në unanimitet, me 140 vota pro, ndryshimet kushtetuese që i hapnin rrugë implementimit të reformës në drejtësi. Reformë e cila kishte për synim rritjen e cilësisë së dhënies së drejtësisë nëpërmjet një riorganizimi rrënjësor të sistemit, si nëpërmjet organeve të reja që gëzonin më shumë pavarësi nga politika ashtu dhe nëpërmjet vetingut që do të garantonte integritetin e funksionarëve të drejtësisë së re. E në kuadër të kësaj reforme, historike e të parecedentë, u miratuan një sërë ligjesh të reja si dhe u ndryshuan shumë nga ato aktuale, materiale e proceduriale.
Për të ardhur në aktualitet, shikoni se si kanë ndryshuar këto dy nene të Kodit të Procedurës Penale. Bëhet fjalë për dispozitat që rregullojnë procedimin e subjekteve të posaçme.
Në nenin 288 të KPrP të vitit 2014, si subjekte të posaçme konsideroheshin edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe ato të Kushtetueses. Me ndryshimet e vitit 2017, në këtë dispozitë trajtohen vetëm deputetët ku kërkohet autorizim nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë të çdo forme si dhe kontrollin personal apo atë të banesës.
Ndërsa neni 289 ka ndryshuar thelbësisht, madje që në titull. Nëse në Kodin e 2014 dispozita në fjalë flet për NDALIMIN E VEPRIMEVE TË TJERA DERI NË DHËNIEN E AUTORIZIMIT, me ndryshimet e vitit 2017, Prokuroria LEJOHET TË KRYEJË VEPRIME TJERA, QOFTË DHE TË KËRKOJË MASA TJERA SIGURIMI, NDAJ DEPUTETIT DHE PERSONAVE TJERË NË HETIM EDHE PA PATUR AUTORIZIM.
Duket qartë se fryma e ndryshimeve ligjore në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, ku fokus të veçantë kanë patur politikanët si subjekte të hetimit nga Prokuroria e Posaçme, ka qenë e atillë që imuniteti mos të bëhet pengesë e thellimit të hetimeve apo të përbëjë shkak për t'iu shmangur drejtësisë, kujto këtu rastin e Arben Ahmetajt.
Kaq sa i takon debatit nëse duhej dorëzuar apo jo pasaporta në funksion të zbatimit të vendimit të gjykatës. Çdo rezistencë, që fshihet pas interpretimit se po cënohet liria e subjekteve me imunitet, është tentativë për të sfiduar ligjin dhe institucionet si dhe është në kufijtë e veprës penale të pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës.
Kështu që, juridikisht SPAK dhe GJKKO nuk kanë asnjë shkelje ligjore në këtë histori. Madje, Policia e Shtetit ka aplikuar standarte të dyfishta sepse në rastin e një qytetari të thjeshtë do të kishte zero shans të kthehej duarbosh, pra të mos e sekuestronte pasaportën. Gjithsesi, këtë po ia lëmë privilegjeve që gëzon emri Berisha dhe gjithçka që ai përfaqëson. Ama, mos të qahet për diktaturë sepse gjykata, prokuroria dhe policia janë treguar shumë zemërgjerë në këtë rast. Ndryshe nga sa parashikon ligji dhe fryma mbi të cilën u hartua reforma në drejtësi, që u votua me 140 vota pro nga ata që nuk e donin për shkak të këtyre efekte që po sjell.

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128