Shteti i Baba Mondit dhe rreziku që të duket më serioz se shteti i Edi Ramës!

21 Shtator 2024, 19:25 / IDE NGA DESADA METAJ

Shteti i Baba Mondit dhe rreziku që të duket më serioz se shteti

Një intervistë e Edi Ramës në median ndërkombëtare dhe një ide e vagullt për një "shtet brenda shtetit" kanë mjaftuar që narrativa e politikës së ditës të kthehet te "Vatikani" i Shqipërisë.

Disa të zellshëm kanë parë aty teori konspirative, ndërsa mendjet më të ftohta e kanë tallur këtë ide, që duket më shumë si reklamë për promovimin e turizmit shqiptar. Dhe nuk është ide e keqe, po të mendosh se në mes të Europës mund të gjesh një vend të rrethuar e të mbrojtur, me një tabelë ku shkruhet "shteti sovran i bektashinjve të gjithë botës." Tirana nuk ofron asgjë për vizitorët e Shqipërisë. Një qytet pa muze, pa jetë kulturore, pa parqe, i ngarkuar me kulla dhe beton, ka nevojë për pak "ngjyra". E sigurisht që Edi Rama nuk mund të mjaftohet vetëm me ngjyrosjen e fasadave. Tashmë si kryeministër, ai mund të krijojë një shtet në "5D" dhe ta ngjyrosë me të gjelbrën e Baba Mondit.

"Kjo nuk është një çështje pronësie, por një çështje shpirtërore," deklaroi kryeministri në intervistën për NYT, edhe pse shpirtërorja e tij dhe e Baba Mondit, që projektohet si sovrani i mini-shtetit, janë të dyshimta, në mos të pakuptimta për shqiptarët që i njohin.

Aq sa shpirtërorja e Baba Mondit parashikon që shteti i konsideruar "islamik" do të ketë edhe alkool në përdorim. "Shteti i tij mysliman që shpresoj ta ndërtojë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit, që do të kontrollojë territorin, do të lejojë alkoolin, gratë të vishen si të duan dhe të mos vendosë rregulla të stilit të jetesës," - tha Baba Mondi për NYT, duke përmendur edhe sipërfaqen prej 27 hektarësh që ka në dispozicion për këtë dëshirë të tij. Mjaftueshëm për të ndërtuar blloqe pallatesh dhe për të krijuar komoditetin e negociuar për një shtet që do të përfshihet në paketat turistike si joshje ekzotike islamike për europianët që vijnë vetëm njëherë në Shqipëri.

Nëse kjo ide dhe dëshirë e Edi Ramës realizohet apo jo, mbetet për t'u parë në ditët dhe muajt në vazhdim. Fakt është që, për të ftuar sa më shumë turistë - si segmenti i vetëm i ekonomisë që funksionon - kryeministri është gati të ndërtojë jo vetëm shtetin e bektashinjve, por edhe të shpikë kala për Skënderbeun apo malin e Zeusit.

Vetëm se do të ishte më e udhës që Baba Mondin ta linte të drejtonte teqenë e tij dhe të mos e përzinte me punë shtetërore. Sepse, ku i dihet, ndoshta shteti i Baba Mondit sfidon atë që ka ndërtuar Rama. Dhe, me gjasë, kreu i bektashinjve do të duket më serioz si shtetar sesa katoliku i pagëzuar Edi Rama.

Po ndodh...