Si eliminohen organizatat kriminale që kanë marrë peng partitë politike?

17 Mars 2023, 13:17 / IDE NGA RED VARAKU


Si eliminohen organizatat kriminale që kanë marrë peng

Klanet politike të cilat operojnë si organizata të strukturuara kriminale nuk mund të largohen kurrë me votë.

Kjo sepse fuqia e tyre kriminale e shtrembëron dhe e përkul lehtësisht vullnetin e qytetarëve të thjeshtë, sepse posedon mjete shantazhi dhe presioni të jashtëzakonshme mbi qytetarët.

Pra, në momentin që organizatat politike shndërrohen në organizata kriminale ato nuk mund të munden kurrë me votën e qytetarëve, sepse mjetet politike që qytetarët kanë në dispozicion janë të pafuqishme për tu përballur me fuqinë e parave të krimit dhe korrupsionit dhe me infrastrukturën kriminale që posedojnë këto organizata.

Rrjedhimisht nuk kemi të bëjmë me struktura politike ku diskutohet mbi projekte politike që synojnë mirëqenien e qytetarëve, por kemi të bëjmë me struktura paramilitare interesi parësor i të cilave është sundimi i qytetarëve me qëllim skllavërimin e tyre.

Ilustrimi më i mirë i këtij realiteti është dështimi i shoqërisë shqiptare për të prodhuar  rrotacion në zgjedhjet e fundit për shkak të shndërrimit të PS në organizatë tipike kriminale ku është asgjësuar totalisht procesi politik brenda partisë dhe e cila përdor mjete extrapolitike për të fituar zgjedhjet.

Gjithashtu , identik me këtë është pafuqia e PD për tu distancuar nga organizata kriminale që e ka marrë peng atë sipas DASH.

Rezistenca e deritanishme e establishmentit të korruptuar brenda PD, i cili po tenton ta mbajë pushtetin e tij mbi PD përmes dhunës, shantazhit dhe presionit me mbështetjen e hapur të oligarkëve dhe grupeve kriminale është simptoma më e rëndë që dëshmon kapjen e thellë të kësaj partie nga një organizatë e strukturuar kriminale.

Kësisoj përpjekja e PD për tu distancuar nga korrupsioni dhe krimi po përballet me një agresion të padëgjuar politik, kriminal dhe mediatik pikërisht nga një strukturë kriminale e korruptuar,aq sa është vënë në pikëpyetje dhe vetë ekzistenca e saj, sepse nuk mund të ketë kurrsesi një bashkëjetesë midis një organizate politike dhe organizatë kriminale.

Kështu është e qartë që qytetarët do të jenë gjithmonë të pafuqishëm për tu përballur me struktura të tilla kriminale. Rrjedhimisht , çmontimi i këtyre organizatave mund bëhet vetëm përmes ndërhyrjes së drejtësisë, e cila duhet të operojë mbi këtë strukturë me të njëjtat instrumente me të cilat operohet mbi një organizatë kriminale përmes hetimeve, fletë-arresteve dhe ndëshkimeve.

Vetëm me ndihmën dhe mbështetjen e një sistemi të pa kapur gjyqësor qytetarët mund të ngadhënjejnë mbi organizatat kriminale që kanë marrë peng partitë politike në Shqipëri, vetëm kështu  mund të çlirohet politika nga krimi i organizuar dhe vetëm kështu mund të rikthehet demokracia funksionale në Shqipëri.

 

ide