Sikur të mos mjaftonte mohimi i votës, por fëmijëve të emigrantëve që lindin jashtë ju heqin të drejtën e bonusit të lindjes!

18 Shtator 2023, 18:08 / IDE NGA ALBAN DACI

Sikur të mos mjaftonte mohimi i votës, por fëmijëve të

Dy lajme kontradiktore në një javë:
- I pari ishte se shqiptarët në gjashtë muaj ka sjellë rreth 444 milion euro në Shqipëri
- I dyti ishte që maxhoranca me propozim të Qeverisë ju heq të drejtën e bonusit të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Pra, lajmi i dytë është shenja e falënderimit që ka Qeveria shqiptare për kontributin e vazhdueshëm që i kanë dhënë emigrantët ekonominë shqiptare dhe familjarët tyre.

Argumentimi i maxhorancës për këtë vendim është se: “Bonusi ka për qëllim për të rritur popullsinë në vend”. Në fakt ky vendim, përveç se është me siguri antikushtetues, sepse qytetarët shqiptarë i trajton të pabarabartë dhe me dy standarde, dëshmon faktin sesi Qeveria shqiptare dhe politika vazhdojnë të kenë një qasje të vazhdueshme dhe absurde kundër emigrantëve, të cilët në 30 vitet e fundit janë kontribuuesit më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare duke tejkaluar disa herë edhe vetë buxhetin shtetëror.
Përveç kësaj, ky vendim ka edhe diçka tjetër që bie me kundërshtim me vetë argumentimin e tyre për rritje të popullsisë. Pse e them këtë? Shumica e fëmijëve të emigrantëve që lind jashtë, në disa vende marrin me “ius solis” shtetësinë e vendi ku kanë lindur dhe në disa raste të tjera e fitojnë me naturalizim.

Pra, do të thotë se këto fëmijë po të duan kanë të gjitha mundësitë të mos zgjedhin fare shtetësinë shqiptare ose pasaportën shqiptare, por këtë e bëjnë për ndjesisë që ju jep lidhja me përkatësinë kombëtare dhe të qenit shqiptarë! Me një sjellje të tillë Qeveria i përbuz fëmijët e emigrantëve në vend që të bëj politika “patriotike” për t’i afruar ata me Atdheun dhe të identifikohen me institucionet e Shtetit amë.

Me gjithë këtë sjelle antikushtetuese të Qeverisë shqiptare që në fakt i bie t’i paguaj bonuset e lindjeve të emigrantëve me paratë që sjellin prindërit e tyre duke kontribuar në ekonominë e vendit, emigrantët vazhdojnë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në Shqipëri dhe t’i pajisin rregullisht me pasaportë shqiptare duke kontribuar përsëri në buxhetin e shtetit.

Në kontributin e emigrantëve nuk duhet të mohojmë as faktin se shumë prej tyre kanë derdhur rregullisht kontributet shoqërore duke bërë kështu që sistemi i pensioneve për të moshuarit të jetë thuajse i garantuar. Fëmijët e emigrantëve edhe pse janë shtetas shqiptar me të drejtë të plotë ju mohohet e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur si dhe po ashtu nuk mungojnë edhe raste si këto që janë përbuzje dhe antikushtetuese. Nuk duhet të avancohet kjo ide antikushtetuese dhe deskriminuese për fëmijët e emigrantëve.