
Traktati i Vestfalisë-momenti i ngurtësimit të shteteve në një botë që tani nuk ekziston

Nëse ka një moment në histori ku rendi ndërkombëtar ka marrë formën e tij më të ngurtë, më të rreptë dhe më të paprekshme, për më shumë se tre shekuj, ai është viti 1648. Paqja e Vestfalisë, që i dha fund një prej luftërave më shkatërrimtare që kishte parë Europa (Luftës Tridhjetëvjeçare) hodhi bazat e shteteve kombe, të ndara nga feja, pak a shumë rendi ndërkombëtarë që funksionon edhe sot.
Atë vit, në sallonet e errëta të Munsterit dhe Osnabrückut, përfaqësues të kombeve dhe principatave evropiane vendosën të ndajnë botën – jo sipas vullnetit të Zotit, jo sipas pasurisë apo të drejtës natyrore – por sipas kufirit të armëve dhe gjuhës. Kështu, at'botë lindi parimi i sovranitetit kombëtar, ku çdo shtet ishte një ishull më vete, një perandori mbi territorin e vet, ku asnjë tjetër nuk kishte të drejtë të ndërhynte.
Ky ishte çasti kur kufiri u shenjtërua, kur ndërhyrja në punët e brendshme u shpall agresion, dhe se shtetet do të ishin sovrane dhe do të qeverisnin vendin sipas ligjeve lokale. Me nënshkrimin e asaj Paqeje, në të vërtetë po hidheshin themelet e Rendit Ndërkombëtar që do të mbizotëronte për shekuj me radhë. Prej aty filloi të ndërtohej bota e ndarë, e fragmentuar, por me një marrëveshje për ta mos e copëtuar më tej.
Dhe ky model – i ngritur si mur mbrojtës ndaj kaosit të fetarëve dhe sundimtarëve absolutistë – funksionoi. Bota filloi të formësohej sipas atij modeli, dhe shtetet-kombe filluan të lindin njëri pas tjetrit. Një komb - një fe - një gjuhë. Shpesh me luftra, gjak dhe mosmarrëveshje, por sot në Organizatën e Kombeve të Bashkuara numrohen rreth 200 shtete.
377 vjet kanë kaluar që kur u nënshkrua ky Traktat që formësoi botën që ne njohim. Prej atëherë dhe deri më sot bota është ndërtuar sipas atij modeli, ku shtetet sovrane kanë sanksionuar në Kushtetuta se interesi kombëtar do të jetë ylli i vetëm polar.
Por bota nuk është më ajo që ishte në 1648. Dhe këtu fillon paradoksi.
Marrëveshja e Vestfalisë, me të gjithë solemnitetin e saj historik, vazhdon të jetojë si sistemi i heshtur i mendimit politik modern. Madje edhe Kombet e Bashkuara, të ngritura mbi idealet e një bote të bashkuar pas Luftës së Dytë Botërore, e kanë në thelb frymën vestfaliane: çdo shtet është zot i vetvetes. Traktati i Vestfalisë ishte një zgjidhje e ndritur për kohën e vet – por që ne kemi harruar të ndërtojmë rendin për kohën tonë.
Por ndërkohë, realiteti që ne jetojmë nuk është më një realitet vestfalian. As një realitet i shekullit të XX - para dhe pas Luftës së Dytë.
Realiteti i sotëm është realitet kompleks global, i ndërlidhur me miliarda sinjale të padukshme komunikimi, njëkohësisht një realitet fragjil dhe i tejkaluar nga vetvetja.
Traktati i Vestfalisë ishte projekt i jashtëzakonshëm për Europën e shekullit të XVII, por arkitektura e atij Traktati nuk funksionon më në botën e vitit 2025. Sepse bota e sotme është diçka futuristike, që tejkalon fuqinë e politikës dhe kornizat e saj. Sot jetojmë në BOTËN E RE TË TEKNOLOGJISË.
8 miliardë njerëz jetojmë në një planet të vogël, të cilit mund t'i biesh rrotull për 40 orë. Çdo banorë i globit ka në dorë një super kompjuter inteligjent, i aftë të kalkulojë dhe të përpunojë informacione për gjithë historinë e njerëzimit, përfshirë të ardhmen. Secilit banorë të globit i preket direkt portofoli nga çdo vendim politik, ushtarak ose krizë ekonomike. Krejt njerëzimi varet nga rrjeti World Wide Web (www).
Nëse shtojmë Inteligjencën Artificiale dhe Bombat Atomike, pamja bëhet dramatike. Teknologjikisht ne gjendemi në vitin 2225, ndërsa botën e qeverisim sipas arkitekturës së vitit 1648.
Të mendosh se Kina dhe SHBA mund të rrinë secila brenda kufijve të vet është naivitet. Të mendosh se një virus mund të qëndrojë brenda një shteti është marrëzi. Të mendosh se një algoritëm që lind në Silikon Valley nuk do të ndikojë zgjedhjet në Stamboll është mosnjohje e realitetit.
Vestfalia ishte zgjidhje për një epokë që kishte kohën, hapësirën dhe distancën si aleate. Sot, koha është e çastit, hapësira është e tejkaluar, dhe distanca është fshirë nga teknologjia. Dhe prapë, rendin ndërkombëtar e udhëheqin akoma rregullat e 1648-ës.
Nuk është për t’u çuditur që krizat globale nuk gjejnë zgjidhje. Sepse mjeti që kemi në dorë për t’i zgjidhur është si një çelës i vjetër që i kthen dhëmbët më kot në një bravë që nuk ekziston më.
Ne vazhdojmë të sillemi si në kohën e Vestfalisë, ndërkohë që bota ka shpërthyer në mijëra grimca realitetesh të reja, që nuk i njihnin diplomatët e shekullit të XVII. Ata nuk e kishin idenë se një ditë një njeri në Afrikë do të lexonte në të njëjtin çast një postim nga Amerika, apo se një klikim do të bëhej lajm global. Ata nuk e kishin idenë se një server i padukshëm mund të zgjidhte më shumë fate njerëzore sesa një mbret i gjithëpushtetshëm.
Dhe megjithatë, ne sot akoma vazhdojmë të qeverisemi sipas arkitekturës së asaj marrëveshjeje kur armët ishin shpata, baruti dhe kuajtë. Kur ushtritë caktonin fushën e betejës dhe shfarosnin njëra tjetrën. Ndërsa sot mund të shfarosësh një kontinent me një klik.
A është koha që të shpallim fundin e rendit vestfalian?
A është koha që të shpikim një sistem të ri ndërkombëtar, që nuk mbron thjesht kufijtë, por mbijetesën e specieve, të planetit, të lirisë, të jetës si Koncept Universal?

Dështimi i kushtueshëm i Balluk-Reformës së ujit
ide

Shqipëria "tokë e zanun" e politikës!

Katër pamjet e Thethit

Beteja e Thethit fitohet në zyrat e shtetit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128