AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni ciklin poetik nga Klejda Plangarica!

AlfaPena është nisma më e re në Alfapress.al, dhe ka si qëllim të promovojë letërsinë e mirë shqipe të çdo poeti dhe shkrimtari.
Klejda Plangarica sjell për AlfaPena ciklin poetik të freskët dhe të pabotuar:
E VJETRA DASHURI E RE
E vjetra dashuri e re!
E ikura edhe pa qenë Ikje...
Dëborë e heshtur - pa qenë acar,
e urta - mbi llavë të ndezur,
shtruar durueshëm vit pas viti.
E fshehura - edhe pa qenë mëkat!
Gjithmonë Kthim edhe kur humbej,
çdoherë Prani edhe pa qenë prani!
(Dekadë e dytë nisi flatrimin,
dëborë e re shtrohet përmbi...)
E vjetra dashuri e re!
Të qelqtë të dija - prandaj të krisa,
të fluturimtë - t'i shprisha flatrat.
Flokë-flokë të hidhja si gjurmë pas viteve
që kthim të ishe!
Nëse qiellon edhe pa flatra,
nëse në krisje ngjitesh prapë,
nëse dhe prekja nuk të tret,
prej ç'lënde je:
- E vjetra dashuri e re?!
KURRË LUMË
Asnjëherë nuk jam kredhur në një lumë
Jo se ka munguar lumi - As ura!
Jam ulur shpesh brigjeve në soditje,
Me maja gishtash gurë zalli kam puthur
E majë gishtash jam rrëqethur ujit-acar,
Kam lëshuar gjethet si varka në ikje
Ngaherë të ngarkuara përplot me ngasje
E kurrë s'jam kredhur pas tyre në ndjekje...
Kohën kam pritur të rrjedhë mbi urë,
Druajtur prej shtjellash, fundosjesh të thella...
Një varkë që ikën - një vragë mbi trup!
E rrjedhtë koha, e tkurrur unë...
Kurrë shtjellë s'u bëra - kurrë lumë!
GATITU
Hej, këtu jam!
Gatitu!
Në pritje të atij ojniku*
Që zbret një çast mes zhegu
Dhe lë si vragë nga pas
Një mungesë të gjatë sa një breg...
Hej!
Duku, pra!
A është ngricë a zheg?
Prej kur u fanite
S'e kuptoj më dritën,
Prej dielli është, a prej bore?
Hej, vego pra!
Derdhe atë baticë fryme,
Atë lëngështim prej drite…
Vërshimin të më mbështjellë pres.
Gishtat e tu prej ojniku
Ta hedhin reve të okërta
Këtë balonë që dergjet në breg...
*Ojnik - Erë e lehtë deti, puhi deti.
(Shkurt, 2022)
FLUTURAK
I vetëtimtë je!
Vijëzon EKG-në e qiellit
Dhe mugëtirës - një fill shkëndijash hedh.
Unë
Verbas
Pres gjëmimin...
(Janar, 2022)
NE – TË MIRËT
Kur u bëra kaq e ligë vallë,
Sa t’mos këqyr një ylber të ngrirë
Që lidh dy retë e tua të përsiatjeve,
Atë të ngasjes dhe të mosardhjes
Dhe mallit që sinor ka frikën?!
Kur u bëre kaq i lig vallë,
Sa më vërtit si fugë mes një loje
Që e tërheq dhe spraps sipas trilleve,
Kur fluturimin ndal e m'i cik rrezet,
Në ndezje - fikesh, në fikje - ndizesh?!
Kur u bëmë kaq të ligj vallë,
Ne - të mirët, që i druhemi dritës?!
(Korrik, 2021)
*Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara nga Alfapress.al
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
