
Bursa përkujtimore "Rauf Fico", nderimi i trashëgimisë dhe diplomacisë me fytyrë njerëzore

Disa njerëz lënë pas tituj, të tjerë lënë pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë. Bursa e sapo themeluar "Rauf Fico Memorial Scholarship" në Universitetin Amerikan në Bullgari (AUBG), e cila ofron dy grante prej 5,000 euro secila, nderon diplomatin dhe politikanin shqiptar të fillimit të shekullit XX, i cili ndikoi në fusha të tilla si arsimi, humanizmi dhe drejtësia sociale.
Kjo bursë është krijuar nga Edlira Dashi, një alumne e dalluar shqiptare e AUBG (’10), e cila synon të përjetësojë vlerat dhe kontributin e Rauf Ficos.
“Fico nuk ishte vetëm diplomat, por edhe humanist, edukator dhe një njeri që përdori ndikimin e tij për të ndihmuar të tjerët. Në kohë krize, ai zgjodhi guximin. Kjo bursë është për studentët që do të bëjnë të njëjtën gjë,” u shpreh Dashi.
“AUBG ka qenë gjithmonë më shumë se një institucion arsimor, është një hapësirë ku formohen njerëz që mendojnë kritikisht, udhëheqin me guxim dhe mbështesin kauza më të mëdha se vetja. Kjo bursë nuk është thjesht një nderim për të kaluarën e Ficos, por një frymëzim për të ardhmen.”
Bursa
Bursa Përkujtimore "Rauf Fico" është e hapur për studentët aktualë të AUBG. Dy studentë do të përfitojnë nga 5,000 euro secili për vitin akademik 2025-2026. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga AUBG, bazuar në meritën akademike dhe përputhshmërinë e tyre me vlerat e Ficos: ndjeshmërinë, lidershipin dhe shërbimin ndaj komunitetit.
Kjo bursë synon të mbështesë studentët që mishërojnë parimet që udhëhoqën Rauf Ficon gjatë gjithë jetës së tij, ata që përpiqen të sjellin një ndryshim të rëndësishëm në botë. Aplikantët inkurajohen të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj angazhimit komunitar, drejtësisë sociale dhe përpjekjeve humanitare në esenë e tyre të aplikimit.
Diplomat dhe Humanist
Rauf Fico lindi në vitin 1881 në Sanaa, Jemen, në një familje të shquar shqiptare nga Gjirokastra. Ai mori arsimimin e tij në Shkodër, Vjenë dhe Mekteb-i Mülkiye, duke filluar karrierën e tij politike në vitin 1912 si këshilltar në Ministrinë e Brendshme të qeverisë së Ismail Qemalit.
Fico u përfshi që herët në zhvillimin politik dhe shoqëror të Shqipërisë, duke bashkëthemeluar jetimoren e parë publike në Tiranë në vitin 1917, e cila ofronte strehim dhe arsim për fëmijët jetimë. Ai gjithashtu luajti një rol kyç në Kongresin e Tiranës dhe Kongresin e Durrësit në 1918, duke ndihmuar në mbrojtjen e sovranitetit të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore.
Karriera e tij vazhdoi me poste të rëndësishme si Ministër i Brendshëm në 1921 dhe deputet i Durrësit. Pavarësisht kundërshtimit të tij ndaj regjimit fashist italian, i cili e detyroi të largohej nga pozita e Ministrit të Jashtëm në vitin 1930, ai vazhdoi të angazhohej në diplomaci, duke mbajtur detyra të rëndësishme në Turqi, Bullgari, Jugosllavi, Greqi dhe Gjermani.
Një nga aktet më të rëndësishme të tij ishte ndihma e dhënë për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, duke siguruar largimin e tyre nga territori gjerman. Edhe pas internimit në Itali gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, Fico nuk u tërhoq nga angazhimi i tij për drejtësi dhe humanizëm. Ai u nda nga jeta në vitin 1944, duke lënë pas një trashëgimi që i tejkalon kufijtë e politikës dhe mishëron guximin dhe përkushtimin ndaj njerëzimit.
Gjatë jetës së tij, Fico u nderua me çmime të shumta prestigjioze, përfshirë:
-Grand Cordon of the Order of Franz Joseph
-Urdhrin e Leopoldit
-Oficer i Legjionit të Nderit të Francës
-Palmën e Akademisë Franceze
-Urdhrin e Mbretit Boris nga Bullgaria
-Doctor Honoris Causa nga Akademia e Napolit
Një Trashëgimi e Përjetshme
Trashëgimia e Rauf Ficos nuk mbetet vetëm në librat e historisë, por edhe në zemrat e pasardhësve të tij.
“Për ne, Rauf Fico nuk ishte vetëm një figurë publike; ai ishte një busull morale. Besimi i tij në arsim dhe drejtësi formësoi breza të tërë, dhe përmes kësaj burse, do të vazhdojë të ndikojë shumë të tjerë,” u shpreh nipi i tij, Neli Demi.
Edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka vlerësuar kontributin e Ficos, duke theksuar se ndikimi i tij mbetet i rëndësishëm për brezat e sotëm.
“Rauf Fico ishte një burrë shteti, politikan dhe diplomat i shquar, i cili i shërbeu Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë. Ai ishte pjesë e qeverisë së parë të pavarur të Shqipërisë në vitin 1912 dhe luajti një rol thelbësor në konsolidimin e shtetit shqiptar. Në karrierën e tij të jashtëzakonshme, ai mbajti poste kyçe si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Punëve të Jashtme, duke mbrojtur me pasion interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ky bursë është një homazh i denjë për një njeri që mishëronte parimet e integritetit, përkushtimit dhe patriotizmit. Trashëgimia e tij vazhdon të frymëzojë brezat e ardhshëm të liderëve që do të mbrojnë këto vlera të përjetshme,” u shpreh Hasani.
Aplikimet janë të hapura deri më 20 Mars
Studentët e interesuar për Bursën Përkujtimore "Rauf Fico" mund të aplikojnë deri më 20 mars 2025. Për më shumë informacion mbi kriteret e aplikimit dhe mënyrën e aplikimit, vizitoni faqen zyrtare të Universitetit Amerikan në Bullgari.
Kjo bursë është më shumë se një ndihmë financiare—është një mundësi për të ndjekur shembullin e një burri që përdori dijen, guximin dhe ndershmërinë për të bërë një ndryshim të prekshëm në botë.
Përktheu Alfapress.al/ Marrë nga https://www.aubg.edu/

Pse Aleanca Madhështore përfundoi në Foltore 2
ide


Teatri politik me listat e PS dhe PD

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit Madhështorë!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128