N’Odën e Malësisë së Gjakovës!

2 Korrik 2024, 21:52 / JETË NGA AZGAN HAKLAJ

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!
Në kohët më të zorshme, të gjata e të mundimshme kur shqiptarëve në Kosovë ju mohua skena e ekrani nga pushtuesi serb ngeli gjallë me plot shenjtërinë e saj Oda.

Në odat e kullave dardane u mblodhën burrat dhe menduan, kuvenduan, kërcyen e kënduan shqip.
Odat dardane u shndërruan në kuvende të fjalës, pleqsisë dhe besëlidhjes për lirinë.

Dardanët aty e kërcyen vallen e shpatave të Kreshnikëve të Jutbinës e Gjergj Kastriotit.
Aty thurën ëndrrat për bashkimin e kënduan këngë për mitet e tyre që i frymëzonin për Gjergj Elez Alinë, Lek Dukagjinin, Oso Kukën, Zhuj Selmanin, Mic Sokolin e Sef Kosharen, për Ded Gjon Lulin Azem Bejten e Isa Boletinin.

E kështu Oda mori permasat e një sheshi gjigand e stoik ku jo vetëm ruhej e përpunohej folku patriotik por dhe transmetohej tek brezat e rinj’.
E pra në këto oda nuk hyri dot strategjia asimiluese sllavo- serbe, përkundrazi ato u shndërruan në laboratorë të strategjisë së lirisë sonë kombëtare.
Motra dhe vëllezër!

Kolegë të nderuar artistë të Kosovës dhe trevave tona etnike! Ne shqiptarët jemi të deshmuar në histori si një komb etno -kulturor ndaj kultura, gjuha, zakonet e traditat, folku dhe eposi kanë qenë shtyllat e forta të vet ekzistencës sonë.

Kështë që në ditët me të zeza të pushtimit kur menduan se na tjetërsuan ishin dasmat e sebepet familjare, bashkimet shoqërore e miqësore në odat e Kosovës që zgjonin ëndrrat për çlirim e liri jo vetëm me fjalë por dhe me art.
Dhe kjo funksionoi biles aq mirë sa pushtuesi nuk e parashikoi.

Edhe në ditët e zjarrta të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës heronjtë e trimat si Muj Krasniqi, Shkelzen e Luan Haradinaj, Bedri Shala e Bekim Berisha, Permet Vula, Elton Zherka, Yll Morina e qindra e mijra luftëtarë të ushtrisë së lavdishme ja merrnin këngës para dhe pas betejave.

Me këngën shqipe piskamë ra në altarin e lirisë komandanti legjendar Adem Jashari!
Ndaj folkun tonë të pashoq dhe atdhetar një poet e ka quajtur një “UÇK" me vete.

Kënga e Dervish Shaqes:

“Moj Shqipni mos thuj’ mbarova
Se djemt tu hala janë gjallë
N’kambë u çue rrept Kosova

E bajnë luftën ballë për ballë” u bë hymn për UÇK-n.
Marshi i UÇK-së i Arif Vladit u bë burim frymëzimi për trimat që e kishin më të shtrenjtë se jetën atdheun të cilët lidhnin plagët si Gjergj Elez Alia dhe dilnin në mejdan me bajlozët sllavë me betimin solemn:

“Për Kosovën jap dy jetë

Vdekjen time e vras vetë”.
Të nderuar vëllezer dhe motra!

Sot po gezojmë lirinë e cila sapo ka mbushur 25 vjet!
Ruajtja dhe vazhdimi i kësaj tradite kulturore është jo vetëm e mirë por e domosdoshme dhe detyrë.
Kosova së shpejti do integrohet zyrtarisht në unionin e kombeve euroatlantike sepse rruga jonë e vetme është euroatlantizmi dhe ky proces ka filluar dhe ne aty do të integrohemi me kulturën tonë me folkun tonë sepse aty qëndron vetë identiteti ynë i lashtë në këto troje stërgjyshërore.

Pikërisht këto arsye më bëjnë të lumtur dhe me sinqeritet e përshëndes festivalin me një titull domethënës “N’Odën e Malësisë së Gjakovës” dhe njëkohësisht ju uroj suksese organizatorëve në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” dhe ju premtoj bashkëpunim të frytshëm edhe në të ardhmen.
Të nderuar pjesëmarrës!

Ndonëse akoma kemi disa piramida formale e pengesa internacionale e na mbajnë të ndarë administrativisht në dy shtete askush nuk mund të na pengojë në rrugën e domosdoshme të bashkimit e unifikimit tonë shpirtëror e kulturor mbarëkombëtar.

Jo vetëm si artist e politikan por pikësëpari si bir i Malësisë së Gjakovës ky festival dhe mbi të gjitha emërtimi i tij kuptimplotë më gezojnë pa masë.

Edhe një herë urime e bekime vllaznore për ju, artistët e Kosovës dhe mbarë kombit tonë.
Suksese festivalit dhe organizatorëve!
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!
Ju faleminderit.

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!

N’Odën e Malësisë së Gjakovës!