
“Për nder të familjes”/ Jo gjithmonë emri i mirë të “shpëton imazhin”, si po relativizohet në ditët e sotme dhuna e vulgariteti

“Fëmijëria e mirë nuk të lë kurrë në baltë”. Këtë shprehi e dëgjova në një nga podcastet që përcjell rrjeti, të psikologes për fëmijë, Lira Gjika.
Sa e vërtetë është. Çdo gjë që bëjmë, e cdo gjë që jemi e ka rrënjën tek fëmijëria.
Të mësuarit që fëmijë të kodit të sjelljes, mënyrës si respektojmë prindin, shokun, më tej edukatoren e mësuesin, bën diferencën kur rritesh e sheh se jo të gjithë prindërit kanë punuar me fëmijët e tyre.
Por, prindërimi nuk mësohet me recetë. Jo të gjithë ja kanë dalë të jenë prindër të mirë.
E megjithatë, pa gjykuar prindërit, ajo çka më vret sytë dhe veshët sot, është relativizimi që i bëhet sjelljes arrogante, vulgare, të folurit pa takt, me justifikimin se “jemi të drejtpërdrejtë”.
E dëgjojmë shpesh në debate televizive, në spektakle e formate të njohura, ku personazhe VIP, i japin vetes autoritet, të sillen si të duan, sepse “janë të drejtpërdrejtë”. Ata përdorin fjalor banal, të pahijshëm e megjithatë sërish gjejnë mbështetje në rrjete sociale.
Arsyeja pse po shkruaj sot, përpos rasteve të shëmtuara që shihen rëndom në ekrane (por dhe në jetën e përditshme), mori shkas nga takimi mbrëmë i një personazhi VIP me njeriun e afërm të familjes, një figurë e nderuar e ekranit.
Dhe, reagimi në rrjetet sociale ishte sigurisht, respekt për figurën e saj. Por më çuditi mbështetja që i jepej për personazhit që sot po “lufton” të fitojë çmimin e madh 100 mijë euro në një format televiziv.
Unë nuk e ndjek rregullisht atë format, vetëm shoh video që përhapen me shpejtësi online, ama nuk kam patur asnjëherë simpati për asnjë grua, që në përpjekje të duket e “fortë”, vesh kostumin mashkullor dhe “fshikullon” me arrogancë kundërshtarët.
Sepse mendojnë se kështu janë “të drejtpërdrejta” dhe kështu mendojnë se fitojnë audiencën.
I dëgjoj shpesh personazhe të kësaj natyre që duan të ngrenë imazhin e tyre në emër të familjes, prindërve që emrin e mirë ja vendosi publiku, artdashësit, qytetarët.
Sigurisht “emri i mirë” është ajo që çdo kush do të donte të linte në tokë, para se të ikte nga kjo botë.
Është misioni që çdo prind dëshiron të përmbushë, e po ashtu dhe fëmijët nëse ndjekin rrugën e prindërve.
Por a e justifikon emri i mirë i familjes sjelljen vulgare të pinjollit?
E kam kaq shumë të dëgjuar si frazë; “Mos fol me mua, se unë vij nga familje e mirë, me emër, me prona, të shkolluar, dijetarë”, por se çfarë je ti konkretisht, çfarë sjellje ke, çfarë emri të mirë ke?
Këtë nuk ta thotë njeri. Këtë ja thua ti vetë publikut me gjithçka bën, sillesh.
Dhe në kohët e sotme, ku teknologjia ka avancuar aq shumë, CV-ja jote nuk ka nevojë më të shkruhet, të rishkruhet apo të fshihet.
Ajo lë gjurmë në mendjen e çdo kujt që shikon një grua të shpërfytyruar, të egërsuar, të dalë nga binarët.
Ajo lë gjurmë në sjelljen e një burri, të frustruar, të çakërdisur, të egërsuar, të dalë nga binarët. Ajo lë gjurmë tek të gjithë ne, që “nderi” i familjes në rastin në fjalë, është nëpërkëmbur nga vetë ata që ulërasin në “emër të familjes”.
Nëse nuk je i zoti të ndërtosh “emrin tend të mirë”, të paktën mos e përbalt atë të familjes. Ti i pari!

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128