Rrëfehet për herë të parë vajza e Vilson Blloshmit, zbulon bisedën e fundit të babait me nënën në burg

14 Mars 2023, 13:42 / JETË ALFA PRESS

Rrëfehet për herë të parë vajza e Vilson Blloshmit,

Vajza e poetit Vilson Blloshmi, Enerjeta Blloshmi, pushkatuar në diktaturë ka bërë një rrëfim ekskluziv për herë të parë në emisionin “Pas Mesnate”.

Ajo ka ndarë të gjitha emocionet e ndjera, nga biseda e vetme që nëna ka pasur në burg me të atin, historitë që i kanë rrëfyer familjarët deri te lotët që i rrjedhin sa herë që i flasin sot për babain.

“Rreth moshës 4-5-vjeç kur fillova të kuptoja, ma kanë shpjeguar shumë mirë, gjyshja ime, halla ime, xhaxhai, mamaja. Ma kanë treguar komplet nga dita e arrestimit deri kur u pushkatua. Më kanë treguar shumë për jetën e tij, për poezitë, për librat, pasionin e madh për frengjishten. Për babain tim flitej çdo ditë. Mamaja ime deri në momentet e fundit të jetës së saj, ka folur gjithmonë për të. Më ka treguar edhe gjërat më të dhimbshme kur e takoi në burg, që i tregoi që kishte lindur, që kishte ardhur në jetë ky fëmijë, momentin që e thirrën dhe e arrestuan, sepse babain tim nuk e kanë arrestuar në shtëpi, por e kanë thirrur dhe e kanë arrestuar në zbor; momentet kur ai iku, momentin e fundit, përshëndetja, çdo gjë me shumë detaje.

Ai është arrestuar më 5 gusht, unë kam lindur në 6 shtator. Ai e ka marr vesh lindjen time në mars të vitit 1977, sepse ne nuk na lejohej ta takonim dhe as letër, asgjë. Mamaja ime me shumë insistim, kërkoi që ta takonte, shkonte përditë te Dega e Brendshme e Librazhdit dhe ia arriti qëllimit. Ka qene një takim 4 minuta dhe e vetmja pyetje që i bëri: “-Çfarë ke lindur?

-Kam lindur vajzë.

-Si ja ke vënë emrin?

-Enerjeta”.

I ka kapur dorën dhe i ka thënë: ‘Kujdes veten dhe vajzën’. Edhe pastaj e morën policët dhe e hoqën direkt. Nuk lejuan asnjë fjalë tjetër, vetëm ka qenë në djeni për lindjen time dhe emrin. Asgjë më tepër.

Unë jam rritur gjithmonë me atë dhembshurinë që më flisnin, sepse kur flitet për të, unë gjithmonë qaj në shtëpi. Fotografitë i mbanim të fshehta, sepse ne ishim të internuar dhe kur vinin kontrolle nuk duhet t’i shihnin, edhe ne i kemi mbajtur gjithmonë të fshehura të dy fotografitë, por nuk më janë tharë asnjëherë lotët për atë njëri. Flitej gjithmonë dhe unë e kam ndjerë sikur ai ka qenë gjithmonë prezent në çdo moment. Flitej shumë për të, gjithmonë”, rrëfeu Enerjeta.

 

 

Po ndodh...

ide