Kina në alarm: Formohet një liqen i ri pas përmbytjeve katastrofike në Himalaje

30 August 2026, 16:50 / BOTA ALFA PRESS

Kina në alarm: Formohet një liqen i ri pas përmbytjeve

Autoritetet kineze janë vënë në alarm pas formimit të një liqeni të ri në Himalaje, si pasojë e përmbytjeve të fuqishme, që goditën këtë javë zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Ekspertët po monitorojnë liqenin me dronë zbulimi, pasi ekziston frika se uji i grumbulluar mund të shpërthejë papritur dhe të shkaktojë një tjetër përmbytje, nëse çan masat e baltës dhe mbeturinave që e mbajnë të bllokuar.

Liqeni u zbulua dje në mbrëmje, pasi rrëshqitjet e dheut bllokuan rrjedhën e ujit dhe shkaktuan grumbullimin e tij.

Për arsye sigurie, ekipet e shpëtimit pranë pikës kufitare Gyirong, një nga kalimet kryesore tokësore mes Kinës dhe Nepalit, u zhvendosën në zona më të sigurta.

Ekipet kineze po i përqendrojnë kërkimet për personat e zhdukur në këtë zonë.

Autoritetet kishin ngritur më herët alarmin edhe për një liqen tjetër të përkohshëm që ishte formuar në jugperëndim të Tibetit, por ai më pas u tha natyrshëm.

Rreziku i përmbytjeve të tjera ka penguar vazhdimisht operacionet e kërkim-shpëtimit në të dyja anët e kufirit.

Sot në mëngjes, në Nepal u dha një tjetër paralajmërim për përmbytje në zonën e katastrofës.

Sipas autoriteteve nepaleze, të paktën 734 persona kanë humbur jetën dhe rreth 2 500 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Mediet shtetërore kineze kanë raportuar të paktën 16 viktima dhe 546 të zhdukur.

Mes personave të zhdukur ndodhen edhe qindra shtetas të huaj.

Po ndodh...