Analistët amerikanë dënojnë sulmin në veri të Kosovës, të ndarë për hapat e mëtejshëm të perëndimit

25 Shtator 2023, 08:48 / KOSOVA ALFA PRESS

Analistët amerikanë dënojnë sulmin në veri të

Një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe, një ngjarje që mund të rrisë tensionet me Serbinë, në një periudhë përpjekjesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Policia tha së në orët e para të mëngjesit njësitë e saj për reagim të shpejtë vunë re vendosjen e dy kamionëve të tonazhit të rëndë në urën në hyrje të fshatit Banjskë. Dy kamionët pa targa kishin bllokuar lëvizjen.

Tre njësi të policisë që shkuan në vendin e ngjarjes u qëlluan me armë zjarri, përfshirë bombat e dorës dhe armë të tjera të rënda, duke bërë që një polic i Kosovës të vritet dhe një tjetër të plagoset.

Autoritetet thanë se rreshteri i policisë Afrim Bunjaku nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit. Autoritete thanë se sulmuesit e armatosur ishin vendosur në Manastir dhe përreth tij në fshatin Banjskë. Sulmuesit shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha në mbrëmje se situata është vënë nën kontroll. Ai tha se tre nga sulmuesit janë vrarë, ndërsa janë arrestuar gjashtë persona, dy prej të cilëve të plagosur që ishin me uniforma dhe të armatosur, ndërsa katër të tjerë u gjetën me radiolidhje, që sipas policisë dyshohet se ishin në kontakt me grupin sulmues.

“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, armatim këmbësorie, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada dhe lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Do të thotë përgatitjet ishin që në mënyrë masive të sulmojnë policinë e Kosovës, të sulmojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht të cënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha ministri Sveçla.

Ai tha se policia është duke kontrolluar edhe disa dhjetëra pelegrinë që ndodheshin në manastir për të vërtetuar nëse ndonjë nga sulmuesit është fshehur mes tyre.

Policia e Kosovës tha se për shkaqe sigurie ka mbyllur dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, tha se gjashtë personat e arrestuar të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, dyshohen për ‘vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “përgatitje e veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Paraditen e së dielës Kryeministri Kurti, i cili mblodhi Këshillin e Sigurisë, tha se janë të paktën “30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë ose policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

Në një konferencë me gazetarë në Prishtinë së bashku me zëvendësdrejtorin e policisë së Kosovës Fehmi Hoti, ai shpalosi fotografi ku shiheshin persona të armatosur dhe makina të blinduara afër manastirit ortodoks në fshatin Banjskë.

“Kjo autoblindë nuk është e policisë së Kosovës”, tha kryeministri Kurti duke treguar pamjet e makinave pa targa. “Janë automjete që nuk i posedojnë serbët lokal dhe askush që është civil në Republikën tonë”, tha ai.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen”, tha Kryeministri Kurti përmes një shkrimi në rrjetet sociale.

Ai tha se qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur “krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”. “Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës”, shkroi ai.

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë e dënoi ashpër sulmin, duke vlerësuar se “ky është një incident i rëndë me implikime potencialisht të gjera. Prandaj, është e domosdoshme të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qetësinë dhe rendin”.

Dioqeza Rashkë Prizren, duke i shprehur ngushëllime familjes së oficerit të vrarë, shprehet “thellësisht e shqetësuar pasi, sipas raporteve të fundit, një grup i armatosur dhe i maskuar depërtoi portat e manastirit në Banjskë duke përdorur një automjet të blinduar. Individë të armatosur dhe të maskuar raportohet se po lëvizin nëpër mjediset e manastirit”.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dënuan vrasjen ndërsa theksuan se po ndjekin nga afër situatën në Banjskë dhe janë të gatshme të reagojnë, nëse kërkohet.

“Komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë dhe institucionet e Kosovës, dhe është duke punuar për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në një deklaratë të forcave të KFOR-it.

Në orët e mbrëmjes, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist kundër pjesëtarëve të policisë së Kosovës”.

Zoti Borrell, thuhet në një komunikatë të zyrës së tij, “përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në manastirin e Banjskës, që të largohen të sigurt”. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe qëndrueshmërisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli të hënën ditë zie në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.

Diplomatë ndërkombëtarë, udhëheqës institucionesh vendase e qytetarë ndezën të dielën në mbrëmje qirinj në shenjë nderimi para selisë së policisë së Kosovës në Prishtinë. VOA

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128