BE ndan 171 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, Kosova jashtë kësaj skeme financiare

27 Janar 2026, 15:55 / POLITIKË ALFA PRESS

BE ndan 171 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, Kosova

Komisioni Evropian ka njoftuar një paketë mbështetjeje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjen e sektorit privat në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova.

Sipas Komisionit Evropian, Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesa, pasi nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor.

“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa. Ne shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Nga fondet e ndara, 94.7 milionë euro janë dedikuar për investime infrastrukturore, ndërsa 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat.

Gjithashtu, 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë, të fokusuara në përgatitjen e investimeve në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.

Sipas Komisionit Evropian, fondet për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë rreth 263 milionë euro investime shtesë përmes shtatë projekteve në sektorë prioritarë, si digjitalizimi, energjia e pastër, transporti, kapitali njerëzor dhe mbrojtja e mjedisit.

Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin e objekteve arsimore me eficiencë energjetike në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se investimet në Ballkanin Perëndimor janë thelbësore për afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian dhe për përmirësimin konkret të jetës së qytetarëve.

Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet pritet të kalojnë në fazën e zbatimit, pas përfundimit të procedurave dhe marrëveshjeve të nevojshme me institucionet partnere dhe përfituesit.

Po ndodh...

ide