Escobar për median serbe: Shqipëria po ecën shumë mirë

3 Shkurt 2023, 13:26 / KOSOVA ALFA PRESS

Escobar për median serbe: Shqipëria po ecën shumë mirë

Zyrtari i lartë amerikan, Garbiel Escobar, ka dhënë një intervistë për mediat serbe, ku ka folur më shumë për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbinë. Por në një pjesë të intervistës ai flet edhe për Shqipërinë, për të cilën thekson se po ecën mirë dhe është një nga partnerët më të besuar të SHBA. 

Zëvendës Ndihmës Sekretari që mbikëqyr politikën amerikane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në Departamentin e Shtetit, Gabriel Escobar, deklaroi se sido të shkojë përpara dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, “do të kemi një Asociacion (të komunave me shumicë serbe)”.

“Sido që të shkohet përpara nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të ketë një Asociacion [të komunave me shumicë serbe]. Pranon apo jo obligimin ligjor qeveria aktuale në Kosovë nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës”, deklaroi fillimisht Escobar.

Kjo është arsyeja pse zyrtari amerikan vazhdon të thotë se Asociacioni do të ndodhë.

“Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit. Nuk mund të bësh asgjë për këtë”, ishte i qartë Escobar. “Ne mendojmë se tani propozimi franko-gjerman të cilin ne e mbështesim – unë isha atje, kur ata e dorëzuan atë – ishte një hap i rëndësishëm në normalizimin”.

Zyrtari amerikan shtoi se ka mjaft fusha që ekzistojnë brenda Marrëveshjes së Brukselit që mbeten të paplotësuara – mes tyre edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Për ne, njohja reciproke duhet të jetë qëllimi përfundimtar, i rëndësishëm. Ne mendojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin, duhet të reduktojnë barrierat për tregtinë, duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e disa prej problemeve të pazgjidhura të mbetura nga vitet ’90 dhe të ecin përpara drejt integrimit evropian”, theksoi Escobar duke zbuluar detajet e strategjisë së SHBA-ve.

Autoritetet, sipas tij, janë të gatshme të marrin në konsideratë çdo pikë të marrëveshjes.

“Ata janë të gatshëm të fillojnë menjëherë zbatimin dhe negocimin e anekseve, anekseve shoqëruese. Pra, kjo është vërtet konstruktive”, shpjegoi Escobar.

Serbia ka nisur një dialog kombëtar dhjetëditor në Kuvend për atë se çfarë do të thotë që vendi të pranojë propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

“Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, vuri në dukje Escobar.

Zëvendës Ndihmës Sekretari ishte optimist kur The Pavlovic Today pyeti për reagimin e tij ndaj raundit të parë të debateve parlamentare.

“Reagimet janë normale. Çështja e Kosovës është një çështje shumë emocionale për Serbinë. Është vendi ku ata shqetësohen shumë se çfarë do të thotë kjo për të ardhmen, çfarë do të thotë për serbët që jetojnë atje”, nënvizoi Gabriel Escobar.

Parlamenti serb, thotë i bindur Escobar, është “një forum i mirë për diskutim”, një vend ku mund të dëgjohen të gjithë zërat.

“Ju po dëgjoni njerëzit që janë shumë kundër marrëveshjes dhe po dëgjoni nga njerëz që janë kundër elementëve të marrëveshjes, por në përgjithësi e mbështesin atë. Dhe ju po dëgjoni nga Presidenti për nevojën për të ecur përpara”.

Fryma e hapur polemike, thotë Gabriel Escobar, pavarësisht bujës së pahijshme të ligjvënësve nga partitë opozitare që mbajnë shenja “Jo kapitullimit” dhe “Tradhtisë” dhe protestojnë me zë të lartë kundër propozimit franko-gjerman, nuk duket se e shqetëson atë.

“Jo, dua të them, të jem i sinqertë, kjo është e gjitha brenda kornizës së tyre politike. Ata duhet ta diskutojnë atë. Unë mendoj se të gjitha shqetësimet dhe të gjitha kundërshtimet duhet të plotësohen dhe të tejkalohen”, tha në vijim Escobar.

Zyrtari amerikan ravijëzoi se qëndrimi i tyre është që duhet të jetë diçka që nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës, që nuk krijon probleme për funksionalitetin e Kosovës.

“Me fjalë të tjera, asnjë model i Republika Srpska”, garantoi ai.

Në përmbyllje, Escobar rezervoi disa fjalë edhe për situatën në Shqipëri.

“Dua të them, sinqerisht, Shqipëria brenda rajonit po ecën mjaft mirë”, tha Gabriel Escobar. “Nëse shikoni se ku filloi Shqipëria në fillim të viteve ’90, ku janë tani. Ata janë tani një nga partnerët tanë më të besuar brenda NATO-s dhe dypalësh për sigurinë, tregtinë, çështjet politike dhe stabilitetin rajonal. Dhe kështu ata po e bëjnë atë siç duhet. Rruga e tyre drejt Evropës është e hapur. Dhe në të vërtetë është vetëm një çështje se sa shpejt mund të bëjnë reforma”.

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128