Jakup Krasniqi në Hagë: Nuk jam kriminel, por njeri i kalitur në luftë për dinjitet

18 Shkurt 2026, 15:36 / KOSOVA ALFA PRESS

Jakup Krasniqi në Hagë: Nuk jam kriminel, por njeri i kalitur në

Në fjalën e tij para Gjykatës Speciale në Hagë, Jakup Krasniqi deklaroi se qëndron para trupit gjykues jo si kriminel, siç përshkruhet në aktakuzë, por si një njeri i formuar dhe i kalitur në luftë për dinjitetin njerëzor.

Krasniqi theksoi se e konsideron të padrejtë dhe të panevojshëm burgimin e tij prej më shumë se pesë vitesh, duke shtuar se është i gatshëm të japë një rrëfim të vërtetë mbi luftën për pavarësinë e Kosovës.

“Qëndroj sot këtu para jush jo si një kriminel që përshkruan aktakuza e Prokurorisë, por si njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor nga një popull që refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar i udhëhequr nga bindja se çdo qenie njerëzore meriton të jetojë në liri. Ai nënvizoi se angazhimi i tij politik dhe jetësor ka qenë i hershëm dhe i lidhur me përpjekjen për jetë dhe liri për popullin e Kosovës.

“Pas më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm, jam i angazhuar për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të gjenocidit të regjimit serb, që sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës”, deklaroi ai.

Procesi ndaj Krasniqit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së vijon në Hagë, ndërsa pritet që gjykata të shqyrtojë argumentet e palëve përpara se të marrë një vendim përfundimtar.

Po ndodh...