Grupi i PD takon misionin e PE/ Rasti Balluku dhe AKSHI, Bardhi denoncon regresin në luftën ndaj korrupsionit
Grupi Parlamentar i PD ka zhvilluar një takim gjatë ditës së sotme me misionin e Parlamentit Evropian.
Gjatë takimit kreu I grupit të PD Gazment Bardhi ka vlerësuar se, “Shqipëria ka bërë regres në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Sipas tij, “deformimi i zgjedhjeve sjell pasoja të rënda në funksionimin demokratik të institucioneve në vend”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Gazment Bardhi, shoqëruar nga Zv.Kryetarja e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërinë në Komitetin e Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, znj. Jorida Tabaku dhe Zv.Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, znj. Albana Vokshi, u takuan sot me Misionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian të kryesuar nga Kryetari i Komisionit z. David McAllister, shoqëruar nga 8 eurodeputetë të Parlamentit Europian.
Gjatë takimit përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të PD kanë shprehur vlerësimin e tyre për raportin e Parlamentit Europian mbi zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit, ku u konstatua mungesa e barazisë mes palëve në zgjedhje dhe ndërhyrja e krimit të organizuar në to. Ky raport është një këmbanë alarmi për zgjedhjet në Shqipëri dhe është e domosdoshme jo thjeshtë që Parlamenti Europian ta ndjek këtë çështje, por edhe të konstatojë se pa një Qeveri Teknike që të garantojë mos ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje dhe të pengojë përfshirjen e krimit të organizuar në to, Shqipëria nuk mund të garantojë standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Deformimi i zgjedhjeve sjell pasoja të rënda në funksionimin demokratik të institucioneve në vend” – u shprehën përfaqësuesit e PD në takim.
Ata nënvizuan me shqetësim regresin që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rasti i korrupsionit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe mbrojtja politike që po i bën mazhoranca asaj, janë një test kritik për luftën ndaj korrupsionit dhe rrugën europiane të Shqipërisë. “Gjatë këtyre javëve Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë pengimi dhe sulmi ndaj institucioneve të drejtësisë, duke synuar intimidimin e tyre dhe pnegimin e hetimeve në raste konkrete” – u shprehen përfaqësuit e opozitës në takim.
Çështja “Balluku” dhe çështja “AKSHI” janë rastet më tipike sesi mazhoranca po synon të pengojë drejtësinë, për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar apo familjarët e Kryeministrit të përfshirë në përfitime të paligjshme të fondeve publike. “Propozimet ligjore për t’i dhënë më shumë imunitet zyrtarëve të korruptuar shkojnë në të kundër të kërkesës së BE për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë” - u shprehen përfaqësuit e opozitës në takim.
Një tjetër çështje e trajtuar nga përfaqësuesit e opozitës në takim është bashkëpunimi i qeverisë me krimin e organizuar, si dhe mungesa e luftës reale ndaj pastrimit të parave të krimit në Shqipëri. Edhe pse Prokuroria e Posacme ka goditur disa nga organizatat kriminale në vend, asnjë nga drejtuesit e këtyre organizatave nuk është arrestuar dhe vijon i qetë aktivitetin e tij kriminal, nën mbrojtjen e Qeverisë dhe Policisë së Shtetit.
Në përfundim të takimit përfaqësuesit e PD falenderuan Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për shtimin e vëmendjes ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe objektivitetin me të cilin trajtojnë shqetësimet që pengojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ata i garantuan eurodeputetët se opozita shqiptare mbetet e angazhuar dhe mbështet plotësisht procesin e integrimit europian të Shqipërisë, bazuar në arritje të matshme dhe meritokraci.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128