Trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt Europës, arrestohet në Romë vëllai i deputetes së PD Elda Hoti

18 Shkurt 2026, 16:14 / POLITIKË ALFA PRESS

Trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt Europës, arrestohet në

Një 27-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim në gjithë Europën për trafik kokaine, është arrestuar në Romë.

Markelian Hoti, vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti, u kap në zonën Ponte di Nona, në periferinë lindore të kryeqytetit italian, ku ishte fshehur në një hotel bashkë me të dashurën. Lajmi i bujshëm, raportohet nga media e madhe italiane "La Repubblica".

Ai dyshohet se kishte rol kyç në një organizatë që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Droga mbërrinte në portin e Anversës në Belgjikë dhe më pas transportohej me makina luksoze nga Europa Veriore drejt Dubait.

Pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehura në kontejnerë në portin e Anversës, vëllai i deputetes ishte 'zhdukur'. Në janar ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest europian për “organizatë kriminale për trafik narkotikësh”, vepër që, sipas mediave italiane, parashikon deri në 15 vite burg.

Arrestimi u bë pas një hetimi të koordinuar nga Interpol dhe skuadra e antidrogës në Romë. Sipas mediave italiane, Hoti kishte qëndruar “në hije”, pasi pronari i hotelit ku ai po strehohej nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në sistemin “Alloggiati Web”, duke e bërë praktikisht të padukshëm për autoritetet.

Pasi iu verifikua identiteti, ai u dërgua në burg, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Belgjikës.

Po ndodh...