Kosovë/ LDK thërret Kuvendin e partisë, kryetari Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim

19 Janar 2026, 23:34 / KOSOVA ALFA PRESS

Kosovë/ LDK thërret Kuvendin e partisë, kryetari Abdixhiku pritet

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë Kuvendin e partisë më 31 janar, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do ta kërkojë votëbesimin e delegatëve, njoftoi të hënën zyrtari i parisë, Besian Mustafa.

LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.

Mustafa tha se anëtarët e LDK-së zhvilluan “një diskutim gati 4 orësh, të hapur e demokratik, duke shtjerrë debatin në secilën pikë të mundshme dhe duke analizuar edhe rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit”.

“Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë. As kur është e lehtë, e sidomos kur është e vështirë. Sepse kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh. Prandaj, me përgjegjësi përballemi; para anëtarësisë”, shkroi ai.

Abdixhiku nuk përmendi votëbesim apo dorëheqje, por javë më parë, ai kishte thënë se po e ofronte dorëheqjen dhe se do të largohej vetëm nëse Kuvendi i partisë voton për shkarkimin e tij.

Mustafa theksoi të hënën se Abdixhiku – i cili e mori drejtimin e partisë më 2021 – do ta kërkojë votëbesimin në Kuvendin e 31 janarit.

“Kjo është formë që e kërkon vetë kryetari i partisë Lumir Abdixhiku. Në këtë Kuvend do të kërkojë votë të votëbesimit. Pra, Kuvendi i cili ka 355 delegatë do të vendosë për këtë kërkesë nëse do të kenë akoma besim në kryetarin Lumir Abdixhiku. Pra, është kërkesë për votëbesim”, tha Mustafa.

I pyetur nëse do të ketë garë për kryetar të ri të partisë, nëse shkarkohet Abdixhiku, Mustafa tha se është herët të flitet për këtë.

“Duhet të ketë një proces tjetër për të ardhur deri të kandidaturat e tjera për të pasur një proces zgjedhor në LDK. Tani jemi të pjesa e votëbesimit. Do ta shohim rezultatin e votëbesimit së pari”, tha Mustafa.

Ndërkohë, Abdixhiku nënvizoi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi i 31 janarit “nuk është krizë, por mundësi”.

“Mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe për të dalë më të fortë nga ky proces”, shtoi ai./REL

 

Po ndodh...