Kurti takon liderët e KFOR-it dhe EULEX-it: Liria e lëvizjes duhet të rivendoset

26 Dhjetor 2022, 14:42 / KOSOVA ALFA PRESS

Kurti takon liderët e KFOR-it dhe EULEX-it: Liria e lëvizjes duhet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën me komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, “konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.

Disa barrikada janë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet nga autoritetet kosovare se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Në takimin e së hënës mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa për takimin njoftoi edhe KFOR-i në platformën Twitter.

“Sot, komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia u takua me zotëri Albin Kurti dhe zotëri Lars-Gunnar Wigermark për të diskutuar situatën e sigurisë në Kosovë”, thuhet në postimin e KFOR-it.

Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit tha se në takim u fol edhe “lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend” dhe u theksua se do të vazhdojë bashkëpunimi ndërinstitucional.

Më parë të hënën, KFOR bëri të ditur se është duke e hetuar atë që e ka quajtur “incident jodirekt zjarri” më 25 dhjetor, kur u raportua për të shtëna afër një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok - njëra nga katër komunat e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon ta përkrahë dialogun për ta gjetur një marrëveshje për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë të përfshirët në këtë proces”, thuhet më tutje në njoftimin e KFOR-it./REL

 

Po ndodh...