Rritet pjesëmarrja, çfarë dihet deri tani nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë

9 Shkurt 2025, 15:01 / KOSOVA ALFA PRESS
Rritet pjesëmarrja, çfarë dihet deri tani nga zgjedhjet

Në Kosovë sot janë duke u mbajtur zgjedhjet parlamentare, të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë.

Këto janë disa nga gjërat që dihen deri tani:

-Kutitë e votimit janë hapur në orën 7:00. Deri në orën 12:00 kanë dalë 14 për qind e qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e votës.

-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se procesi është duke u zhvilluar qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident të madh.

-Ka pasur raportime për vonesa në hapjen e disa vendvotimeve dhe shqetësime për shënjimin e gishtërinjve me ngjyrë matrikuluese, por KQZ-ja nuk i ka adresuar këto çështje.

-Katër kandidatët për kryeministër – Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj – e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës dhe u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë njëjtë.

-Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

-Në këto zgjedhje po marrin pjesë edhe serbët lokalë, ndonëse kishin bojkotuar zgjedhjet prej nëntorit të vitit 2022, kur Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – pati dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Një pjesë e serbëve që financohen nga shteti i Serbisë, kanë votuar kolektivisht në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut.

-Zgjedhjet janë duke u mbikëqyrur nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) dhe vëzhgues të angazhuar nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Pjesëmarrja rreth 15%
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, ka zhvilluar një konferencë për media lidhur me procesin zgjedhor që po zhvillohet sot në vend.

DNV ka bërë të ditur se, në bazë të vëzhguesve të saj, deri në mesditë, pra deri në orën 12:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 14.5% votuesve.

‘‘Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit – që nga hapja e vendvotimeve po zhvillohet në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 14.5% votuesve (me margjinë gabimi+/-0,37), nga 1,970,944 e qytetarëve me të drejtë vote. Në komunat me shumicë serbe, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi’’, është thënë mes tjerash në konferencë.