Prokuroria e Prishtinës nis hetimet për votimin me postë

26 Mars 2025, 21:47 / KOSOVA ALFA PRESS

Prokuroria e Prishtinës nis hetimet për votimin me postë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për procesin e votimit me postë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikim të informacioneve, mirëpo në këtë fazë të procedurës të parashtruara nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse do të cenohej procesi hetimor”, thuhet në përgjigjen e saj për KosovaPress.

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për manipulim të votave me postë. Aktualisht të njëjtit janë ankuar në Gjykatë Supreme, duke kërkuar anulim të votave me postë të LDK-së si dhe rivotim me postë, shkruan KosovaPress.

Mirëpo akuzat e LVV-së vazhdimisht janë mohuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, mërgata kosovare ka votuar në përfaqësi diplomatike dhe përmes votimit me postë.

Në përfaqësi diplomatike, LVV-ja mori mbi 80 për qind e LDK-ja ishte e treta me 7.3 për qind të votave. Ndërkaq, në votimin përmes postës, LVV-ja mori 51.89 për qind e LDK-ja 30.21.