Rindezja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, NATO mbledh nesër krerët e Ballkanit, Stoltenberg takohet me Kurtin dhe Osmanin

19 Nëntor 2023, 20:51 / KOSOVA ALFA PRESS

Rindezja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, NATO mbledh nesër

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg viziton këtë të hënë Kosovën, në kuadër të një turi 3-ditor viztash në Ballkan.

Vizita e Jens Stoltenberg vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes në Banjskë dhe deklaratës së Kurtit se Serbia po ripërgatit një tjetër sulm ndaj Kosovës.

Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të takohet me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti. Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR-it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR-it dhe do t’iu adresohet trupave.

Takimi i parë në axhendë është ai me drejtuesit e lartë politikë dhe ushtarakë vendas dhe ndërkombëtarë të Bosnje Hercegovinës dhe më pas vijon me liderët në Kosovë.

Të martën, më 21 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd. Ai do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren, Ana Bërnabiç. Po atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.

I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven. Në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.

Po ndodh...