SHBA: Bisedimet për tavanin e borxhit vazhdojnë, por palët ende larg në qëndrime

24 Maj 2023, 22:43 / KOSOVA ALFA PRESS

SHBA: Bisedimet për tavanin e borxhit vazhdojnë, por palët ende

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha të mërkurën se po dërgonte ekipin e negociatorëve republikanë në Shtëpinë e Bardhë për të përfunduar bisedimet për kufirin e borxhit, por paralajmëroi se dy palët janë “ende larg njëra-tjetrës” ndërsa përpiqen të arrijnë një marrëveshje për buxhetin me Presidentin Joe. Biden.

Zoti McCarthy tha se mbetet optimist se palët mund të bëjnë përparim me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje përpara një afati javën e ardhshme, kur Departamentit të Thesarit mund t’i mbarojnë fondet për të paguar detyrimet financiare të qeverisë. “Ne nuk do të dështojmë,” tha zoti McCarthy.

Sfidues, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve tha se “nuk ishte faji i tij” që Uashingtoni po shkonte drejt një krize, duke ia hedhur fajin Shtëpisë së Bardhë për refuzimin e presidentit Bidenit për të negociuar më herët ndërsa republikanët vepruan për të ulur shpenzimet.

“Unë shpresoj se ne mund të bëjmë përparim,” tha zoti McCarthy. “Nuk do të dorëzohem. ”

Negociatat për tavanin e borxhit janë bllokuar nga një problem klasik që e ka shqetësuar, ndarë dhe përçarë Uashingtonin edhe më parë: republikanët e udhëhequr nga zoti McCarthy duan të zvogëlojnë shpenzimet e qeverisë federale, ndërsa presidenti Biden dhe demokratë të tjerë e kundërshtojnë këtë qasje.

Koha është e shkurtër për të arritur një marrëveshje. Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha të mërkurën se “duket pothuajse e sigurt” se Shtetet e Bashkuara nuk do ta kalonin fillimin e qershorit pa dështuar të paguanin faturat. Kjo do të ishte katastrofike, pasi qeveria rrezikon të mbesë pa para për të paguar faturat e saj që më 1 qershor.

“Ne po shohim një stres tashmë në tregjet e thesarit,” tha zonja Yellen për gazetën Wall Street Journal.

“Edhe në prag të një marrëveshjeje, kur të ndodhë një e tillë, mund të ketë shqetësime të konsiderueshme të tregut financiar, ne po shohim vetëm fillimet e saj,” tha zonja Yellen.

Ngërçi politik po e afron vendin më pranë një krize, duke tronditur tregjet financiare dhe duke kërcënuar ekonominë globale. Pensionistët dhe grupet e shërbimeve sociale janë ndër ata që bëjnë plane të paracaktuara të emergjencës. Negociatorët shkuan në Shtëpinë e Bardhë për të rifilluar bisedimet në mesditë.

Debati i gjatë në Uashington mbi përmasat dhe shtrirjen e qeverisë federale ka vetëm disa ditë kohë për t’u zgjidhur. Dështimi për të rritur tavanin e borxhit të vendit, tani në 31 trilionë dollarë, do të rrezikonte një mospagim federal potencialisht kaotik, pothuajse i sigurt se do të shkaktonte trazira ekonomike brenda dhe jashtë vendit./ VOA

 

Po ndodh...