Kosova nuk ka kthim pas. PIKË!

27 August 2026, 11:33 / EDITORIAL NGA RED VARAKU
Kosova nuk ka kthim pas. PIKË!

Nga Red Varaku

Kosova është një realitet shtetëror që Serbia nuk e ka as kapacitetin dhe as fuqinë ta zhbëjë me vullnetin e saj. PIKË!

Të jetosh me idenë se Serbia është ende në prag të rimarrjes së Kosovës është në mos paranojë, një formë e të jetuarit në të kaluarën, por sigurisht jo një lexim realist i së tashmes.

Kjo sepse Kosova e ka kaluar pikën historike të kthimit pas. Pavarësia e saj mund të kontestohet nga Serbia, mund të sulmohet diplomatikisht, mund të pengohet në procese të caktuara ndërkombëtare, por nuk mund të zhbëhet thjesht sepse Beogradi e dëshiron këtë apo ka një strategji të BIA- s për këtë.

Kjo nuk do të thotë, natyrisht, se Serbia nuk ka më interesa në Kosovë.

Përkundrazi.Serbia e ka interes parësor të ndikojë mbi mënyrën se si ky realitet shtetëror zhvillohet, konsolidohet dhe integrohet ndërkombëtarisht. Ka interesa politike, diplomatike, të sigurisë dhe natyrisht, aktiviteti i shërbimeve inteligjente ndaj Kosovës nuk është diçka që mund të përjashtohet.

Por pikërisht këtu duhet bërë dallimi që shpesh mungon në debatin publik.

Një gjë është aktiviteti real i një shërbimi inteligjent dhe krejt tjetër është fantazia se çdo gjë që ndodh në Kosovë është pjesë e një komploti madhështor për ta rikthyer Kosovën në Serbi.

Sigurisht që një shtet serioz duhet të hetojë çdo indicie, të ndjekë çdo pistë apo të ekspozojë çdo rrjet real të ndikimit të huaj.

Por një shoqëri serioze duhet të bëjë edhe një gjë tjetër, të mos e zëvendësojë provën me paranojën se kjo pastaj është të jetosh në limbo-n e një realiteti që ka vdekur me kohë. 

Sepse ekziston një rrezik paradoksal. Duke besuar se pas çdo ngjarje qëndron Serbia , Kosova mund të vazhdojë ta mbajë vetveten psikologjikisht të lidhur pas Serbisë dhe duke parë vazhdimisht pas mund të harrojë të shohë përpara, çka do ishte fataliteti më mi madh për Kosovën .

Dhe kjo është ndoshta forma më e rrezikshme e robërisë ndaj Serbisë. Pra, jo kur dikush ta kontrollon realisht të ardhmen, por kur ti vetë nuk arrin të dalësh nga hija e së kaluarës.

Sigurisht, Kosova duhet te jetë vigjilente dhe duhet të mbrohet nga çdo ndërhyrje. 

Por ajo duhet mbi të gjitha të ketë vetëbesimin e një shteti është një realitet i padiskutueshëm që Serbia ka zero shanse ta zhbëjë me vullnetin e saj. 

Ndaj, sfida e Kosovës nuk është më të provojë çdo ditë se ka të drejtë të ekzistojë, por sfida e saj është të ndërtojë një shtet aq të fortë, funksional dhe të sigurt, sa askush të mos mund ta mbajë më peng të së kaluarës.

Po ndodh...