Kur humori bëhet alibi dhe një përgjigje Filip Çakulit
Nga Eva Idrizllari
Çakuli, ju keni të drejtë për një gjë: Protestuesit nuk kanë imunitet nga humori. Por pikërisht këtu nis edhe problemi me argumentin tuaj.
Ju po përpiqeni të na bindni se çdo tallje me një protestë është thjesht "satirë", duke anashkaluar çështjen themelore: Kë po godet humori, në ç'kontekst dhe në shërbim të kujt funksionon?
Satira mund të jetë armë kundër pushtetit. Mund të jetë edhe armë për ta relativizuar, diskredituar apo banalizuar kundërshtimin ndaj pushtetit. Nuk mjafton të qeshësh për të qenë i lirë. Duhet parë se kujt ia heq fuqinë ajo e qeshur. Ju thoni se protesta, sapo del në hapësirën publike, bëhet objekt i satirës.
Protesta nuk është një shfaqje televizive që pret të gjykohet nga juria e humorit. Protesta është një nga mjetet me të cilat qytetari ushtron një të drejtë politike. Prandaj, kur një protestë satirizohet, çështja nuk është nëse "lejohet" të bëhet shaka. Por: A po satirizohet pushteti dhe absurditeti i tij, apo po ridimensionohet protesta dhe po paraqitet si qesharake vetë e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar?
Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Ju thoni se humori nuk duhet të marrë anën e qeverisë apo të protestës, por "të absurdit". Një formulim "elegant". Por edhe absurdi ka një adresë. Nëse njëra palë ka pushtetin, institucionet, administratën dhe mekanizmat shtetërorë, ndërsa pala tjetër ka vetëm rrugën, zërin dhe pankartat - atëherë barazimi mekanik i tyre në emër "të absurdit" mund të prodhojë një absurditet tjetër: trajtimin e të pushtetshmit dhe qytetarit që proteston, sikur kanë të njëjtën peshë politike.
Këtu argumenti juaj bëhet problematik.
Nëse qytetarët thërrasin "Arrestoni Ramën!", kanë një motiv. Ndaj nuk mund të përdorësh satirën si mënyrë për të shmangur pyetjen që protesta ngre: Pse po protestojnë këta njerëz dhe çfarë po kërkojnë?
Sa e lehtë të bësh humor me qytetarët e nëpërkëmbur, por jo me pushtetarët e skandaleve të korrupsionit. Këtu do të duhej të ishte prova e vërtetë e pavarësisë së humorit.
Të tallesh me të dobëtin që proteston për hallet e tij, për të prodhuar ilaritet, është skandaloze. Kur një media e përdor spektaklin për të vendosur peshën e saj të shtypjes mbi ata që kanë dalë në rrugë kundër korrupsionit, ndërsa pushtetin e mban në pozicionin e të fortit, nuk mjafton të na thuhet: "Është vetëm humor".
Jo, zoti Çakuli.
Humori nuk është mbi politikën. Humori është pjesë e politikës. Edhe heshtja është politike. Edhe zgjedhja e objektit të shakasë është politike. Edhe mënyra se si ndërtohet një personazh është politike. Edhe ajo që lihet jashtë kornizës është politike.
Është disi komode të shpallësh veten arbitër "të absurdit', ndërkohë që përcakton vetë se kush është qesharak dhe kush është serioz. Ju pyesni me ironi: Kush do ta arrestojë kryeministrin, turma apo mikrofoni?
Shaka pa "kripë".
Protestuesit nuk pretendojnë se ata kanë kompetencën juridike të arrestojnë kryeministrin. Ata përdorin një slogan politik për të shprehur një kërkesë, një akuzë apo një qëndrim. Protesta është presion publik. Është shprehje politike. Është përplasje me pushtetin. Është mënyrë për ta bërë pakënaqësinë të dukshme. Dhe demokracia nuk funksionon vetëm kur protesta është elegante, e qetë dhe televizivisht e këndshme.
Historia e Arbnorit që ju përmendni është e bukur, por nuk provon atë që pretendoni. Pjetër Arbnori mund ta ketë përballuar humorin me dinjitet. Dhe ky është një shembull i admirueshëm. Por një politikan që qesh me imitimin e vet nuk është provë se çdo satirë është e drejtë apo se çdo reagim ndaj saj është "brishtësi". Mund të qeshësh me veten dhe përsëri të kesh të drejtë të kritikosh një humorist, ose një "zë me qira".
Por pjesa më interesante është "konflikti i interesit".
Çakuli, ju kërkoni të na jepni një leksion mbi pavarësinë e humorit, ndërkohë që pikërisht këtu është një çështje që ju nuk e prekni: Çfarë ndodh kur humoristi apo media perceptohet nga publiku si shumë pranë pushtetit që po kritikohet?
Atëherë nuk mjafton të thuash: "Mos më kritikoni, jam humorist". Ashtu siç protestuesi mund të thotë: "Mos më tallni, jam protestues". Prandaj, në vend që t'u shpjegoni protestuesve se duhet të kenë "vetëbesim" për të përballuar shakatë, ndoshta do të ishte më interesante që ju të tregoni të njëjtin vetëbesim dhe me humorin tuaj të tallni më fort pushtetin dhe kokat e korrupsionit:
Edi Ramën, Taulant Ballën, Belinda Ballukun, Vlora Hysenin, Mirlinda Karçanaj, Ermal Nufin, Ilir Beqaj, Skënder Hita, Ardi Veliun, Ergys Agasin, Ron Yeffet, Arjeta Puca, Ermal Beqiri, Erion Isain (kryebashkiakun e Kolonjës), etj...
Problemi nuk është se "Portokallia" bëri "shaka" me protestën. Problemi është kur "shakaja" mbi protestën përdoret si argument për të delegjitimuar protestën.
Humori që sfidon protestën ju e quani të lirë. Në fakt është propagandistik. Ndonjëherë, propaganda funksionon shumë më "bukur" me humor: me normalizimin e pushtetit dhe banalizimin e kundërshtarit të tij. Nëse ju e quani këtë thjesht "satirë", publiku ka të drejtë të pyesë: Satirë kundër kujt, Filip?
Sepse një humorist i pavarur nuk është ai që thjesht tallet me të gjithë. Është ai që, kur duhet të zgjedhë se ku të drejtohet shigjeta, nuk harron se kush mban pushtetin. Kush ka nevojë në këto momente që protestuesit të duken qesharakë, në mënyrë që protestat e tyre të duken të parëndësishme?
Pushteti.
Ju keni të drejtë, kur thoni: Një batutë nuk duhet të rrëzojë një protestë. Por as një batutë nuk duhet të përdoret për të rrëzuar të drejtën për të protestuar. Demokracia nuk është vetëm e drejta për të bërë humor për t'u zgërdhirë.
Është edhe e drejta e qytetarëve për të mos lejuar që humori të zëvendësojë arsyen, pse ata dolën në rrugë për të protestuar.
Po ndodh...
Pasqyra ku nuk shihet asgjë
ide
Kur humori bëhet alibi dhe një përgjigje Filip Çakulit
Faik Konica, Njeriu-Histori dhe Historia-Njeri
Pse Rama nuk jep dorëheqjen?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
