Kur pushteti zgjedh dhunën

2 September 2026, 18:32 / EDITORIAL NGA RED VARAKU
Kur pushteti zgjedh dhunën

Përballë një proteste, çdo pushtet ka në thelb tre rrugë. Ose ta negociojë, ose ta injorojë ose ta shtypë me forcë.

Nga këto tre opsione që i kishin mbetur, Edi Rama zgjodhi të tretin, represionin dhe shtypjen me dhunë të protestës. Kjo për shkak të dështimit dhe pafuqisë për ta blerë, për ta shantazhuar, për ta përçarë dhe për ta zhbërë siç ka bërë me të gjitha protestat qytetare deri tani. 

Kështu pas 94 ditëve kemi hyrë në një fazë të re, e cila po na zbulon makthin dhe frikën e madhe që ka kjo qeveri nga fryma që po krijon protesta. 

Kjo sepse një pushtet që ndihet i sigurt në legjitimitetin e tij  nuk ka frikë nga qytetarët e tij. Përkundrazi ai i dëgjon, negocion me ta dhe u përgjigjet politikisht. Kur pushteti zgjedh forcën si përgjigje të parë apo përfundimtare ndaj pakënaqësisë qytetare, atëherë problemi nuk është më protesta.

Problemi bëhet vetë pushteti.

Nga ky moment, Edi Rama, nuk mund të paraqitet më si zgjidhja për krizën që po kalon vendi. Me zgjedhjen e dhunës dhe represionit, ai rrezikon të kthehet në problemin më të madh politik të Shqipërisë.

Sepse, kur një kryeministër, që për të ruajtur pushtetin dhe karrigen e tij, është i gatshëm të përshkallëzojë përplasjen me qytetarët, ai po e fut vendin në një terren shumë të rrezikshëm dhe po e rikthen atë në një kohë kujtimet e së cilës janë ende të freskëta .

Shqipëria nuk mund të shndërrohet në tokë të minuar, për shkak të hallit personal politik të një njeriu. Pushteti nuk është pronë personale e askujt dhe Policia e Shtetit, nuk është instrument për të zgjidhur krizën politike.

Vetëm se nga ky moment përgjegjësia nuk bie më vetëm mbi Edi Ramën. Tashmë, përgjegjësia i takon edhe Institucioneve Kushtetuese.

I takon Parlamentit të bllokojë çmendurinë e një personi që mendon, se mund të marrë peng vullnetin e qytetarëve. I takon Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentar të kuptojnë se besnikëria ndaj një lideri nuk mund të jetë më e rëndësishme se përgjegjësia ndaj vendit. I takon Presidentit të Republikës të ushtrojë rolin e tij institucional në mbrojtje të stabilitetit kushtetues.

I takon Gjykatës Kushtetuese të jetë garantuese e rendit kushtetues dhe e lirive themelore. Dhe mbi të gjitha, i takon Policisë së Shtetit të kujtojë se është polici e Republikës së Shqipërisë dhe jo polici personale e një kryeministri apo e një partie politike.

Asnjë pushtet nuk duhet të lejohet të krijojë një konflikt të pakthyeshëm me shoqërinë, vetëm për të zgjatur jetën e tij politike. Sepse kur pushteti fillon ta shohë çdo qytetar që proteston si armik, atëherë ai ka humbur aftësinë për të qeverisur.

Nga ky moment, pyetja nuk është më se çfarë do të bëjë protesta. Pyetja është a do ta lejojnë institucionet shqiptare një njeri të vetëm ta çojë vendin drejt destabilizimit, vetëm për të ruajtur pushtetin e tij?

Sepse heshtja, në një moment të tillë, nuk është neutralitet. Është bashkfajësi dhe bashkpërgjegjësi.

Po ndodh...

ide