Kush nuk është i shantazhueshëm dhe kujt mund ti besojmë

9 October 2026, 18:13 / IDE NGA PëRPARIM GJEKA
Kush nuk është i shantazhueshëm dhe kujt mund ti besojmë

Nga Përparim Gjeka

Ka bërë përshtypje të madhe në opinionin publik se si nja dy-tre deputetë të Partisë Socialiste që u shprehën kundër reformës territoriale e votuan atë. Mendoni se si deputetë me imunitet, pra me mbrojtjen personale më të lartë ligjore, me rroga të larta, pensionin e lartë të siguruar edhe nëse nuk zgjidhen më deputetë, në rastin e Sinës së Vlorës edhe me pasuri që nuk ka nevojë të blihet e të shitet, përsëri shantazhohen nga pushteti dhe ndërrojnë mendje duke ulur dinjitetin dhe integritetin e tyre. Ndërkohë, edhe opozita e PD-së nuk e braktisi votimin si në plot raste të tjera, por qëndroi "stand by“, si pjesë e shantazhit mbi deputetët e PS-së: "nëse nuk votoni ju, gati janë ju dy-tre nga PD-ja“.

Me të drejtë shtrohet pyetja, në kushtet kur edhe opozita parlamentare është komplet ose e shitur, ose e shantazhuar, ose e shantazhueshme, ose "kalë troje" në opozitë e, në rastin më të mirë, e paaftë të formojë një alternativë qeverisëse që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme e të fitojë, nëse një shpresë mbetet protesta e përnatshme para Kryeministrisë, sa e besueshme është kjo opozitë reale qytetare që e shohim çdo ditë të shprehet kundër kësaj klase politike aktuale?

Si një nga anëtarët e parë të grupit koordinues të protestës, që i ka parë nga afër gjithë zhvillimet dhe dinamikat në protestë, mund të dëshmoj se, me përjashtime të vogla, shumica e grupit kanë mbajtur një qëndrim patriotik dhe parimor, në frymën e përgjithshme të protestës anti-establishment, kanë sakrifikuar nga vetja, kanë përballuar trysni linçimi e deri shantazhe të llojeve nga më të lehtat, në formën e joshjes me poste në parti të ndryshme, lehtësira personale dhe familjare në marrëdhëniet me shtetin, e deri te kërcënimet me jetë. Në të njëjtën kohë, dua të jem i qartë që ky grup ka bërë minimumin e pritshmërive të tij nga opinioni publik për ta përkthyer zemërimin dhe vullnetin popullor në goditje politike, prandaj këto shantazhe kanë qenë të gjitha indirekte, sepse nuk ka qenë nevoja të ndërhyhej fuqishëm nga qeverisja, derisa në asnjë rast nuk është se i është rrezikuar seriozisht pushteti nga protesta, për të parë realisht se sa të pashantazhueshëm apo të joshshëm do të ishin pjesëtarët e grupit koordinues. Në procesin e tentativave për organizim e përfaqësim të protestës kemi ndeshur njerëz me axhenda afër partive aktuale, njerëz me probleme karakteri që nuk punojnë dot në grup, njerez me axhenda okulte, njerëz që nuk kanë qenë mjaftueshëm patriotë ose të qartë për çfarë po protestojmë etj., prandaj asnjë mënyrë më e lartë organizimi e protestës nuk ka qenë e mundur të suksesonte për katër muaj.

Ngrihet pyetja, pra, nëse ka shqiptaria njerëz apo grupe njerëzish që do të merrnin përsipër ndryshimin real politik në Shqipëri? Sepse në protestë nuk janë parë shumë aktive me parashtrim politikash as elitat e tjera të pretenduara, si për shembull pedagogët, akademikët, artistët, juristët, arkitektët, mjekët etj., profesione të tjera të lira që janë pak a shumë në teori autonome nga qeveria. Në fillim ka qenë aktive diaspora, e cila gjithsesi nuk ka qenë e organizuar mes vedi.

Nëse e marrim të mirëqenë teorinë që është vërtetuar deri tani në praktikë mes shqiptarësh se nuk ka njeri të pashantazhueshëm ose të pableshëm, sipas thënies, nëse nuk shitet për shumë para, shitet edhe për shumë më shumë para, që pushteti aktual i ka me rezervat e kanaleve të narkotrafikut, oligarkët dhe korrupsionin me paratë e shtetit, cili do të ishte mekanizmi që do të garantonte një mundësi për vendosjen e demokracisë funksionale në vendin tonë?

Kjo mundësi do të kishte disa parakushte për të qenë e suksesshme:

1. Nuk mund t'i besojmë një individi, sado i artikuluar dhe i njohur të jetë ai, por një grupi individësh që dalin njëkohësisht me të njëjtën ide.

2. Ka një numër të caktuar midis tyre që kanë dhënë prova logjikisht të pranueshme të integritetit dhe dinjitetit personal, kur në pozicione të caktuara, edhe pse kanë pasur rastin, nuk janë bërë pjesë e së keqes, por kanë mundur ose të tërhiqen të pastër, ose e kanë denoncuar të keqen e janë ndeshur me të, pavarësisht pasojave.

3. Ka një numër të caktuar midis tyre që kanë mbajtur qëndrime atdhetare publike në vite, por sidomos janë shprehur pro protestës kombëtare gjatë qershorit e mundësisht të kenë marrë pjesë në atë protestë. Pra, më e rëndësishme është të jenë patriotë dhe te vendosur sesa figura të njohura, me grada shkencore apo që vetëm dinë të flasin bukur pa pasur një karrierë profesionale.

4. Janë në gjendje të formojnë një forcë politike me rregulla dhe funksionim demokratik e meritokratik brenda vetes, artikulojnë dhe mbrojnë vullnetin, shpresat dhe tezat kryesore anti-establishment të protestës kombëtare, pa të kenë kurajon të kërkojnë vota për të synuar pushtet politik.

5. Nuk financohen nga para të krimit dhe korrupsionit dhe bëjnë transparente burimet e financimit.

Le t'i lutemi Zotit që shqiptarë të tillë do të mund të organizohen sa më shpejt, në Shqipëri dhe diasporë, për t'i dhënë vendit alternativën e munguar politike kombëtariste.

 

Po ndodh...