Alarmi i emigracionit! Shifrat ndër vite të largimit te Shqiptarëve

21 Qershor 2023, 19:05 / AKTUALITET ALDO SULOLLARI

Alarmi i emigracionit! Shifrat ndër vite të largimit te

Emigrimi masiv, sidomos i të rinjve, është rikthyer fort pas pandemisë. Shqiptarët po largohen, duke rrezikuar jetën njësoj si në luftë, së fundmi duke kaluar detin nga Franca në Britani me gomone.
Largimi masiv i shqiptarëve shpjegohet vetëm nga teoria e fituesit të çmimit “Nobel” në ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë.

Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Kjo vjen, veçanërisht për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur, i cili ka dhënë efektet e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.

Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit më 2022. Numri i atyre që janë larguar është aq i madh këtë vit, saqë konsumi ka pësuar rënie të beftë në shumë artikuj, si brumërat. Shqipëria humbi miliarda dollarë nga investimet në arsim, kurse sistemi i pensioneve po vihet në rrezik. Bizneset po humbin mundësitë për zgjerim nga mungesa e punonjësve, teksa emigracioni po krijon rrethin vicioz në produktivitet. Pagat, si një mjet i fuqishëm frenimi

Shqipëria nuk është një vend në luftë, por ngjan si e tillë.

Të rinjtë shqiptarë, shpesh minorenë, gra me foshnja, madje edhe të moshuar, vazhdojnë të largohen nga vendi në një mënyrë që rrezikojnë seriozisht jetën, së fundmi nëpërmjet një udhëtimi rraskapitës që zgjat 7-9 orë me mjete primitive lundrimi nga Franca drejt Britanisë së Madhe, njësoj si në vitet para pas rrëzimit të komunizmit.

Statistika ndër vitet e fundit

Të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 5000 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues në periudhën janar-qershor 2022. Gjysma e tyre kanë hyrë në vend me gomone, shumica të rinj.

Komuniteti Europian, nëpërmjet, Eurostat, raportoi se gjatë janar-gushtit të këtij viti kanë kërkuar azil mbi 5 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë ikin me kontrata pune, me punë të përkohshme, bashkim familjar, për studime etj.

Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve që vijnë nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022, fenomeni është bërë më agresiv, pasi bizneset në sektorin e tregtisë pohojnë se ka rënie të menjëhershme në konsum, teksa të gjithë sektorët, pa përjashtim edhe ai publik, janë në emergjencë për punonjës.

Nga viti 2008 deri në 2020-n, rreth 700 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Mijëra të tjerë jetojnë në mënyrë të paligjshme.

Censi për regjistrimin e popullsisë, i parashikuar për këtë vit, u shty, por të dhëna të tërthorta nga INSTAT dhe anketa e emigracionit tregojnë se kanë ikur nga vendi rreth 700 mijë persona pas vitit 2010, teksa ritmet e largimit janë përshpejtuar pas pandemisë, sidomos ne vitin 2022.

Statistikat aktualisht 

Ndërsa përgjigjen e ndjejmë në përditshmërinë tonë, në vendin e punës, në marketin poshtë pallatit, në takimet e të rinjve, sërish guxojmë të pyesim çfarë po i largon shqiptarët nga vendi i tyre. “Ikin kryesisht për faktorë ekonomikë, por edhe faktorë të tjerë. Shumë thonë që ikin për një arsimim më të mirë të fëmijëve, por edhe të tjerë që ikin sepse nuk shikojnë perspektivë në Shqipëri”, thotë Gëdeshi. “Ne kemi një diasporë të madhe. Secili nga ne ka të afërm, familjarë, shoqëri, që shërbejnë si magnet për të thithur në vendet e tyre”, thotë Erald Pashaj, ekspert punësimi.

Vendimi për t’u larguar nga Shqipëria nuk është aspak i lehtë as për qytetarët që shkojnë ilegalisht në vende të ndryshme, duke rrezikuar jetën dhe duke mos pasur të drejtë për të gëzuar qoftë edhe të drejtat themelore. Nuk është e lehtë as për ata që heqin dorë nga profesioni i tyre për t’ia nisur nga e para jashtë kufijve. Ndërsa studentët që e shohin arsimimin si katapultë, duhet të mbështeten të kursimet e familjes apo edhe te borxhet për studime.

Shqipëria plaket më tej, gjysma e popullsisë mbi 38.8 vjeç

Ikja e popullsisë në emigracion, kryesisht në moshë të re dhe rënia e lindjeve po sjellin një rritje të moshës mediane, që është mosha që e ndan popullsinë përgjysmë.

Sipas INSTAT, Në 1 janar 2023 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022, që nënkupton që gjysma e popullsisë së vend është nën 38.8 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë.

Në 1 janar 2023 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24,0 % në 23,8%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23,1% në 24,4% gjatë të njëjtës periudhë. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2023 ka pësuar rënie, në krahasim me 1 janar 2022: nga 98,6 në 98,0 meshkuj për 100 femra.

Raporti gjinor në lindje pësoi rënie të lehtë, duke shënuar vlerën 107,4 në vitin 2022, nga 107,6 që ishte në vitin 2021. Gjatë vitit 2022 lindën 24.688 foshnja, duke pësuar një rënie prej 9,3%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2022 ishte 23.998 persona, duke pësuar një rënie prej 21,3%, krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2022 numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5% më shumë, krahasuar me vitin 2021.

Numri i imigrantëve ishte 13.963 persona: 51,9% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej. Më 1 janar 2023 Tirana zë rreth 33,5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,5% dhe 9,8% përkatësisht. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 1,9% deri 4,1% të popullsisë gjithsej.

Më 1 janar 2023 popullsia u rrit vetëm në një qark të vendit

Përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2023 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë (+ 0,6%). Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër (- 3,6%), Berat (- 3,1%) dhe Dibër (- 2,9%).

Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi (33,7%), ndërsa qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë është Gjirokastra me (28,0%), ndjekur nga qarku i Lezhës me (27,8%)/ Alfapress.al

 

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128