Nëpër labirintet e ‘te bukurës’- Prerje e Artë

23 Korrik 2022, 10:44 / AKTUALITET ALFA PRESS

Nëpër labirintet e ‘te bukurës’- Prerje e Artë

Thuhet shpesh që "te pëlqyerit" është subjektiv – atë që pëlqej unë, nuk e pëlqen një tjetër. Kjo është e vërtetë kur vlerësojmë një pikturë apo një skulpturë, kur soditim natyrën apo kur dëgjojmë muzikë, kur gjendemi përpara një ndërtese madhështore apo kur shohim larminë e pafund të pemëve apo kafshëve të një pylli. Megjithatë ka disa “objekte” që pëlqehen nga të gjithë: psh. skulpturat e Fidias apo të Mikelanxhelos, pikturat e Rafaelit apo të Rembrandit, muzika e Bahut apo Betovenit, tempulli i Parthenonit në Athinë apo katedralja e Notër Damës në Paris. Të gjitha këto, e shumë të tjera, mbeten model i pakundërshtueshëm i bukurisë, që pranohen dhe pëlqehen nga të gjithë.

Të ketë vallë kjo ndonjë arsye objektive? Matematicienët thonë “PO” dhe këtë ja dedikojnë asaj ligjësinë proporcionet që njihet si - “Prerja e Artë”.

Çdo nxënës i shkollës të mesme e di që një segment me gjatësi (a) ndahet sipas prerjes të artë atëherë kur pjesa më e madhe e tij (po e shënoj x) është e mesme e përpjesshme midis gjithë segmentit (a) dhe pjesës më të vogël të tij (a-x). Pra e shprehur matematikisht: x2 =a.(a-x). Nuk është vështirë të gjejmë që: x ~ 0.618 a. Pra kur segmenti ndahet sipas prerjes të artë dy pjesët e tij janë respektivisht: e madhja 62 % dhe e vogla 38% e gjatësisë të segmentit. Më poshtë do të shohim që kjo ndarje, në këto proporcione, ka përparësi estetike për syrin njerëzor dhe kjo është arsyeja që e kanë quajtur edhe - “Prerja e Artë”.

Pak Histori. – Për herë të parë “prerjen e artë” e hasim tek gjeometri grek i lashtësisë, Eudoksi, 2300 vjet më parë. Mandej ajo u studiua imtësisht nga matematikani Pitagora (580-500 p.e.re). Shkolla pitagoriane si themelin e sendeve dhe të fenomeneve merrte numrin, duke e menduar gjithësinë si një bashkësi harmonike numrash dhe marrëdhëniesh midis tyre. Shkolla e Pitagorës shpalli kultin e prerjes të artë duke e quajtur atë pikënisje në krijimin e botës. Prerjen e artë e studiojë dhe Euklidi (shek. III-te p.e.re).

Kaluan shekuj dhe pluhuri i kohës e mbulojë dhe këtë problem si shumë të tjerë. Por në vitin 1509, në Venetik, u duk një libër i vogël interesant me shumë ilustrime. Në kopertinën dhe faqet e tij paraqiteshin figura të ndryshme nga natyra, arti dhe gjeometria. Libri titullohej: “Mbi proporcione thynore” dhe tregonte mbi një nga enigmat e proporcioneve të trupit, të cilën e ka vënë përpara njeriut natyra. Autor ishte murgu dhe matematicieni italian Luka Pacioli, mik i ngushtë i Leonardo DaVinçit.

Kaluan vite dhe prerja e artë u harrua përsëri, derisa në vitin 1855 gjermani Ceizingbotoilibrin “Studime estetike”. Aty me shumë kompetence dhe analize Ceizingutregoi se ligji i prerjes të artë shfaqet jo vetëm në proporcionet e statujave antike, por edhe në proporcionet e trupit të njeriut, kafshëve dhe insekteve. Studimet e mëvonshme treguan se kjo ligjësi është e pranishme edhe në “arkitekturën” e bimëve dhe çuditërisht edhe në muzikë.

Zbatime të “Prerjes të artë”.

- Ptolemeu, filozofi i Greqisë të lashtë (shek. II-të p.e.re) vuri re se lartësinë e trupit të njeriut mund ta ndajmë në 21 segmente, ku pjesa më e madhe, nga  kërthiza në thembër përfshin 13 segmente, kurse pjesa tjetër, nga kërthiza në majën e kokës, 8 segmente.(raporti 8:13 = 0.618 është pikërisht prerja e artë)

- Leonardo Da Vinci bëri matje në statuja  të ndryshme dhe kudo i dilte raporti 13:8, gjë që e habiti pa masë. Ishte ai i pari që e quajti këtë raport “të artë” dhe që prej asaj kohe kjo ligjësi hyri në histori me emrin “Prerja e artë”.

- Ceizingu mati imtësisht proporcionet e statujës të Apolonit, të tempullit të Parthenonit dhe mjaft skulptura të antikitetit grek dhe erdhi në përfundimin se shfaqja më e lartë e “së bukurës” në arkitekturë arrihet kur proporcionet e pjesëve përbërëse të ndërtesës janë sipas raportit të prerjes të artë.

- Ligji i prerjes të artë shfaqet dhe në muzikë, ndonëse kjo duket disi e çuditshme. Tashmë është provuar se dytonëshi më i këndshëm për veshin formohet nga “mi” ose “mi bemol” nga kjo oktavë dhe “do” nga oktava pasardhëse. Shpjegimin e këtij tingëllimi të këndshëm e gjejmë në atë që raportet e numrit të lëkundjeve nëse kondë të këtyre toneve (frekuenca) janë shumë afër raporteve të prerjes të artë. Kështu “mi” oktava e parë (329.63 lek/sek) : “do” oktava e dytë (523.25 lek/sek) = 0.629.

- Natyralistët gjermanë të shek XIX-të, Shimper dhe Braun, krijuan një teori të veçantë, që lidhte vendosjen e gjetheve të bimëve në kërcell, sipas prerjes të artë.

- Shek. XX-të ishte shekulli i prodhimit masiv të makinave dhe orendive shtëpiake për përdorim vetiak dhe pamja e jashtme e tyre, bukuria, ishte një kërkesë bazë për shitjen e tyre. Lindi një shkencë e re “Estetik ateknike”, që parashikonte krahas inxhinierit konstruktore dhe piktorin në stafet projektuese të uzinave. Edhe këtu ligji i prerjes të artë ishte në themelin e modeleve të reja, të hedhura në treg.

Tashmë është vërtetuar shkencërisht që, për perceptimin e spektatorëve, më të këndshme për syrin apo veshin e njeriut, janë ato objekte, tek të cilat madhësitë e pjesëve të veçanta të tyre formojnë raporte të prerjes të artë. Kështu, midis gjithë drejtkëndëshave, “më i bukuri” është drejtkëndëshi, brinjët e të cilit janë në proporcionin sipas prerjes të artë 3:5; skulptura më e bukur e trupit njerëzor është ajo që ruan këtë proporcion, duke marrë si pikë ndarëse kërthizën e njeriut; po e tillë është edhe çdo godinë që na mrekullon me pamjen e saj apo çdo akord muzikor i kompozitorëve të famshëm. Megjithatë jo çdo gjë e bukur ka lidhje me prerjen e artë dhe nuk duhet vënë shënja e barazimit midis “të bukurës” nëpër gjithësi dhe parimit të prerjes të artë në veçanti./ Përgatiti Klodi Stralla

 

 

 

 

 

Po ndodh...