'Pula që bënte vezë të arta' - Fabula e La Fonten-it për Lakminë

Si sot 327 vjet më parë, në 13 prill 1695, vdiq Jean de La Fontaine, njëri prej fabulistëve më të mëdhenj që nga koha e Ezopit. Nëse dëshironi të kuptoni situata të ndryshme të realitetit të sotëm, mjafton të lexoni La Fontenin. Mbase tek lakmia për të realizuar fitime marramendëse, në kohë të shkurtër, e elitave botërore globaliste (përfshi edhe vendin tonë) duhet kërkuar çelësi i mjaft prej anomalive, materiale, sociale e shpirtërore të botës të sotme.
Si përkujtesë ndaj tij, në këtë përvjetor vdekje, kam përzgjedhur fabulën e mëposhtme:
Një fshatar gjeti një ditë në kotecin e pulave një vezë të artë. Mendoi se nuk e ka parë mirë dhe u afrua më shumë, e mori në dorë…
“Është vërtet e artë”, – tha në kulmin e gëzimit, “ar i vërtetë”.
Mori vezën e çmuar, me shumë kujdes, dhe e çoi në shtëpi.
Dhe gruaja mbeti tepër e çuditur, pastaj e lumtur i tha të shoqit:
“Jemi të pasur, kemi një pulë që na bën vezë të arta, nuk jemi më të detyruar të punojmë”.
“Të presim njëherë, të sigurohemi”, – tha i shoqi, – “mund të jetë vetëm një rast. Nuk e dimë akoma nëse kemi vërtet një pulë që na bën vezë të arta, apo kjo vezë na ra nga qielli”.
Ditën e nesërme plot ankth e i emocionuar fshatari hyri në kotec.
Veza e artë ishte atje, e burri mori frymë i lehtësuar.
“Është e vërtetë”, – i thirri burri gruas duke dalë me vrap nga koteci.
“Kemi një pulë që bën vezë të arta, duhet të zbulojmë cila nga pulat tona bën vezët e arta, kështu ta ndajmë nga të tjerat dhe ta ushqejmë më mirë”.
Ruajtën gjatë kotecin dhe zbuluan se cila ishte pula e çmuar, pastaj ndërtuan një kotec më të madh e më të bukur dhe e mbyllën aty vetëm që të bënte vezët e arta.
Nuk patën më nevojë të punojnë dhe u bënë të pasur.
Por, dora dorës që pasuroheshin dhe ferma e tyre zmadhohej, pa pasur nevojë që ata të punonin, të dy filluan të thonin:
“Përse duhet të presim vetëm një vezë në ditë.
Sigurisht një vezë në ditë nuk është dhe aq shumë!
Sikur të bënte të paktën dy!”
“Sipas meje”, – tha një ditë fshatari, “kjo pulë ka një grumbull të madh vezësh të arta në barkun e saj dhe ne presim këtu vetëm një vezë të vogël të artë në ditë, ndërkohë që mund të bëhemi shumë të pasur në një moment të vetëm”.
Me këtë mendim në kokë vrau pulën që bënte vezët e arta, por pa që brenda ishte njëlloj si gjithë pulat e tjera.
Kështu nga lakmia e pasurisë, humbi dhe mundësinë të merrte atë që kishte marrë deri në atë ditë”.
Një “pulë” që bën “vezë të arta” është vetë Natyra ku ne jetojmë. Nëse nuk do të dimë ta ruajmë e mirë trajtojmë do të na ndëshkojë, në të kundërt do të jemi përfituesit më të mëdhenj prej saj./ Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
